Tematike

Rrezik i madh për zanatmarrësit

Për dy të tretat e nxënësve që e kryejnë shkollimin e obligueshëm këtë vit qëllimi është ta gjejnë një vend për zanatmarrje. Çështja është urgjente!

Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur: shkollat do të hapen më 11 maj. Meqenëse çështja që i preokupon të gjithë duket të jenë masat shëndetësore, distanca sociale dhe kompensimi i mësimit që nxënësit e kanë lëshuar, për dy të tretat e nxënësve që e kryejnë shkollimin e obligueshëm këtë vit qëllimi është ta gjejnë një vend për zanatmarrje. Çështja është urgjente !

Në përgjithësi, këta nxënës bëjnë stazhin në firma të ndryshme dhe kjo u jep shansin që ta nënshkruajnë një kontratë zanatmarrjeje për vitin vijues shkollor. Mirëpo për shkak të mbylljes (konfinimit), këto stazhe nuk kanë mundur të organizohen. Si pasojë e kësaj, një pjesë e këtyre të rinjve rrezikojnë të shkëputen definitivisht nga shkollimi e më vonë mund të pasojë edhe përjashtimi social, i cili u kushton po aq atyre sa edhe gjithë shoqërisë.

Duhet ditur se në të gjitha kantonet zvicerane ekzistojnë struktura tranzitore (në Valis : le Semestre de motivation, la Plateforme T1, l’école pré-professionnelle, l’Action jeunesse etj.), të cilat i marrin përsipër këta nxënës derisa ta gjejnë një punëdhënës, mirëpo idealja do të ishte që të mos kalojnë nga këto struktura. Më shumë se kurrë këtë vit, prindërit duhet të jenë proaktivë dhe të kërkojnë zgjidhje për fëmijët e tyre para se të rifillojë shkolla në gusht, duke bashkëpunuar me shkollën, duke u informuar se cilat janë strukturat tranzitore në kantonin ku jetojnë ata dhe duke e aktivizuar rrethin e tyre shoqëror.

Ajo që i bën të rralla vendet për zanatmarrje këtë vit është e dhëna se punëdhënësit potencialë kanë qenë të detyruar ta bllokojnë procesin e angazhimit të të rinjve në ndërmarrjet e tyre. Meqë ekonomia po funksionon me një ritëm të ngadalësuar që prej fillimit të krizës shëndetësore, shumë firma janë detyruar të mbyllen përkohësisht ose i kanë zvogëluar aktivitetet e tyre. Dhe përkundër ndihmës së shtetit zviceran dhe mundësisë për nëpunësit e tyre që t’i shfrytëzojnë pjesërisht të ardhurat e entit të papunësisë, këto firma sot gjenden në vështirësi ekonomike dhe shumë prej tyre mund edhe të mos angazhojnë zanatmarrës për vitin e ardhshëm (lajmet e 19h30, 01 maj, RTS në Zvicrën frankofone). Ky është një refleks legjitim frike përballë një të ardhme të pasigurt, duke marrë parasysh faktin se trajnimi i të rinjve ka një kosto për këto firma. Megjithatë, trajnimi i të rinjve është edhe investim për to dhe benefiti (më kohëgjatë) qëndron në faktin se ato pas disa viteve do të kenë në dispozicion mjaft staf të kualifikuar.

Së fundi, ndërmarrjeve (firmave) edhe u takon ta mbartin një përgjegjësi sociale : ta evitojnë përjashtimin e të rinjve nga tregu i punës. Por ato nuk duhet ta bartin këtë përgjegjësi vetëm mbi supet e tyre. Autoritetet përkatëse kantonale duhet t’u ndihmojnë atyre për ta përmbushur këtë mision.

Afërdita Bogiqi

  • Autorja është specialiste e fushave sociale dhe të shkollimit