Lajme

Rriten çmimet e baterive të veturave elektrike

Çmimi i baterive litium-jon u rrit për herë të parë në më shumë se një dekadë këtë vit, pasi kostot në rritje të lëndëve të para pritet të sfidojnë përpjekjet e industrisë së makinave për t’i kthyer automjetet elektrike në një produkt për tregun masiv.

Rritja e çmimeve të metaleve të baterive, si për shembull litiumi, kobalti dhe nikeli, si dhe kostot më të larta të komponentëve, bënë që çmimet e paketave të baterive të arrijnë deri në 151 dollarë për kilovat orë, një rritje prej 7% krahasuar me një vit më parë dhe e para rritje që kur BloombergNEF filloi të kryente studimin e tij të përvitshëm në 2010.

Kompania pret që çmimet të rriten më tej, duke shkuar në 152 dollarë për kWh vitin e ardhshëm. Në vitin 2010, çmimet ishin mesatarisht 1,160 dollarë për kWh.

Industria e makinave i ka konsideruar prej kohësh bateritë prej 100 dollarësh për kWh si pikën e kthesës ku makinat elektrike do të bëhen konkurruese me automjetet që përdorin motor me djegie.

Megjithatë, çmimet e litiumit janë rritur 10-fish që nga fillimi i vitit 2021 dhe nikeli është rritur me 75 për qind, ndërsa çmimet e kobaltit këtë vit kanë qenë më shumë sesa dyfishi i mesatares së vitit 2020.

Si rezultat, BloombergNEF parashikon që niveli prej 100 dollarë për kWh do të arrihet në vitin 2026, dy vite më vonë nga sa pritej më parë. Kjo do të “ndikojë negativisht mundësitë e prodhuesve të automjeteve për të prodhuar dhe shitur automjete elektrike në sasi të mëdha, në ato vende ku mungojnë subvencionet.”

Kompania shtoi se kostot më të larta mund të jenë gjithashtu problematike për projektet e ruajtjes së energjisë të baterive, të cilat janë jetike për stabilizimin e rrjetit në një kohë kur po rritet sasia e energjisë së rinovueshme që përftohet në intervale të çrregullta.

Rritja e çmimeve të paketave të baterive do të kishte qenë edhe më e lartë nëse kompanitë e makinave dhe prodhuesit e qelizave të baterive në tregun kinez nuk do të kishin kaluar te bateritë më të lira të përbëra nga fosfat litium hekuri (LFP), të cilat nuk përdorin kobalt dhe nikel, por kanë një jetëgjatësi më të shkurtër.

Në vitin 2022 kishte 603 gigavat orë kërkesë për bateritë e ndërtuara me litium-jon, pothuajse dyfishi i nivelit të një viti më parë.

Çmimet e paketave të baterive litium-jon ndryshojnë ndjeshëm në rajone të ndryshme. Në Kinë, ato kushtojnë mesatarisht 127 dollarë për kWh, ndërsa në SHBA dhe në Europë, çmimet janë përkatësisht 24 dhe 33 për qind më të larta.

Dallimi shpjegohet me kostot më të larta të prodhimit në tregjet perëndimore më pak të zhvilluara, si dhe me preferencën e tyre për bateritë me jetëgjatësi më të madhe që përdorin nikel dhe kobalt./ Financial Times