Lajme

Rritet konsumimi i drogës në Evropë  

Një raport i BE-së ngre gjithashtu shqetësimin për llojet e reja të drogave sintetike në qarkullim

Sipas raportit vjetor të agjencisë së BE-së për kontrollin e drogës.pas një rënieje të konsumit gjatë krizës së COVID-19, përdorimi i drogave po rikthehet, këtë herë me një diversifikim të llojeve të kanabisit dhe një rritje të marrjes së kokainës.

Gjithashtu, dokumenti nënvizon se oferta për drogë është e lartë në mbarë BE-në.

“Trendi në vitet e fundit është se njerëzit po zgjedhin shumë substanca, përfshirë ato të reja. Gjithashtu, ka një tendencë mes njerëzve të kërkojnë substanca gjithnjë e më të forta. Natyrisht, pandemia pati një impakt të fortë negativ tek shëndeti mendor, sidomos tek grupet e cënueshme dhe po ashtu kriza ekonomike. Të gjithë këta elementë kontribuojnë në rritjen e presionit të tregut tek klientët ekzistues, ose ata potencialisht të rinj”, tha Alexis Goodsdeel, drejtor i Qendrës Evropiane për Kontrollin e Drogës, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Raporti ngre gjithashtu shqetësimin për llojet e reja të drogave sintetike në qarkullim, përfshirë 6 me bazë opiumi dhe 15 me bazë kanabisi, disa prej të cilave nuk janë shpallur ende të paligjshme.

Kjo tregon gjithashtu thellimin e bashkëpunimit mes rrjeteve kriminale brenda dhe jashtë Evropës.