Kosova

Rritet për 90 për qind numri i turistëve në Kosovë

Në Kosovë vitin e fundit është rritur numri i turistëve për rreth 90%. Gjatë vitit 2023 numri i netqëndrimeve të vizitorëve vendorë dhe të jashtëm ishte 1 milion e 523 mijë ose 86 për qind rritje krahasuar me vitin 2022.

Kryeqyteti shënon numrin më të madh të vizitorëve, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), me burim nga strukturat akomoduese. Ndërsa numrin më të madh të netëve të qëndrimit nga vizitorët ka shënuar Peja, me 678 mijë e 899 netqëndrime.

Kosova është bërë atraktive për vizitorë nga rajoni, Evropa dhe Japonia.

Turisti nga Japonia, i cili ka qëndruar për vizitë këto ditë në Prishtinë, Charles, thotë pë KosovaPress se Kosova ka vende të bukura dhe njerëzit këtu janë miqësorë.

“Një nga miqtë e mi të kolegjit jep mësim këtu. Pra, unë jam këtu për ta vizituar atë, dhe ai mund të më shëtis rreth gjithë vendit. Unë mendoj se njerëzit këtu janë vërtet miqësorë, kudo që shkoj, pa marrë parasysh në një restorant apo një kafene. Të gjithë janë vërtet të mirë me mua. Ata janë tepër miqësorë, janë shumë të këndshëm për të folur me ta…”, tha Charles.

“Kam ardhur këtu për vizitë. Mora një rekomandim nga një mik, ai më tha të vij të shoh Kosovën dhe pastaj erdha të shoh Kosovën dhe është shumë bukur. Njerëzit janë shumë të dashur. Më pëlqejnë njerëzit, janë shumë miqësorë. Ata më flasin, nëse kam nevojë për orientim është shumë e lehtë të flasësh me ta. Mund të përpiqem të jetoj këtu, është lirë, në krahasim me euron. Këtu me 5 € mund të hani, të ngopeni, të hani çfarë të doni. Po, është e mundur, unë mund të jetoj këtu”, thotë një turist tjetër.

Sipas Unionit të Turizmit rol të madh në promovimin e vendit tonë luajnë institucionet për shkak se duhet të ndajnë buxhet më shumë dhe të kenë prioritet turizmin. Për këtë arsye unioni bënë apel institucioneve që të rrisin fondin për turizmin për shkak që është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë dhe punësimit të këtij vendi.

Kryetari i Unionit të turizmit, Baki Hoti, thotë se një vizitor për të qëndruar 24 orë është e paraparë mesatarisht që të shpenzojë rreth 150 euro, duke përfshirë akomodimin, ushqimin dhe gjëra të tjera.

“Në vitin 2023 kemi një rritje të numrit të turistëve 28.4 për qind, por duhet cekur që kemi edhe rritje të net qëndrimeve pra grupe të ndryshme kanë filluar të qëndrojnë në Kosovë 2-3 ditë varet prej agjendës së tyre dhe aktiviteteve që janë të parapara në kuadër të tripit. Kosova do të duhej të promovohej më tepër, ndoshta këtu luan një rol shumë të madh institucionet për shkak që duhet të ndaj në buxhete shumë më të mëdha dhe te kenë prioritet turizmin. Kur kemi prioritet atëherë edhe fondet për promovimin e turizmit dhe zhvillim e infrastrukturës dhe elementeve tjera përcjellëse janë më të mëdha kështu që ne ju kemi bë apel dhe institucioneve të rrisin fondin për turizmin për shkak që është një ndër shtyllat kryesorë të ekonomisë të këtij vendi dhe punësimit. Turizmi është një faktor shumë i rëndësishëm i këtij vendi, një vizitor për të qëndruar 24 orë është e paraparë mesatarisht të shpenzon rreth 150 euro duke përfshirë akomodimin, ushqimin dhe gjëra të tjera, sa më shumë që ndalim vizitorë aq më shumë dhe pozitive do të ketë të hyra në biznese në radhë të parë, dhe pastaj tek vet shteti, për shkak se pjesa tatimit rritet, dhe bizneset shteti mund të vjel më shumë të hyra”, shprehet ai.

Edicioni i tretë i Panairit Ndërkombëtar i Turizmit, “Kosova 2024” do të mbahet më 12-13 prill, ku do të ketë mbi 300 kompani ekspozuese që do të prezantojnë produktet e tyre nga 15 shtete evropiane./Kosovapress