Kosova

Rritja e çmimeve të banesave në Tiranë, metri katror më shumë se 1 mijë euro

Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, ky indeks është rritur me rreth 70%

Çmimi mesatar i një metri katror në Tiranë në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”, një publikim nga Çelësi Media Group.

Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, ky indeks është rritur me rreth 70%. Shtrenjtimi ka vijuar dhe në 6-mujorin e parë të vitit 2021, ku tregtuesi tjetër, ai i çmimeve mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë (që përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar) u rrit me 4.22%, në raport me fundin e 2020-s, shkruan Monitor, përcjell albinfo.ch.

Sipas indeksit, çmimet reale të shitjes së apartamenteve u rritën me shpejtësi deri në 2009-n, duke u shtrenjtuar me rreth 50%, në raport me vitin e parë të marrë në konsideratë. Më pas, tregu shënoi maturim dhe çmimet shënuan tendencë rënëse deri në 2015-n dhe mbetën të qëndrueshme deri në vitin 2017.

Pas kësaj periudhe nisi një tjetër valë e rritjes së çmimeve, që kulmoi në vitin 2019, me një shtrenjtim rreth 20% në një vit. Në pjesën e parë të 2020-n, kur vendi ishte në mbyllje për shkak të pandemisë, u shënua një rënie e lehtë vetëm në tremujorin e dytë, por që zgjati fare dhe më pas çmimet shënuan një tendencë të lehtë rritëse.

Sipas raportit, që shoqëron publikimin e indeksit, në Grafikun 1 është paraqitur kurba e evoluimit në kohë të indeksit të çmimit real të shitjes së apartamenteve në Tiranë për periudhën 2005-2021* me frekuencë vjetore për periudhën 2005-2019 dhe frekuencë tremujore për vitin 2020 dhe 2021. Vlera e indeksit për vitin 2005 është caktuar 100.

Çmimet mesatare u rritën me 4.2% në 6 mujorin e parë 2021

Çmimi mesatar real i shitjes së apartamenteve në Tiranë në Euro/m2 për periudhën 2005-2021*, shprehur në vlerë reale (i deflatuar me normën e inflacionit) ka lëvizur brenda intervalit 662 euro/m2 – 1,102 euro/m2, sipas Keydata.

Ndërsa çmimet mediane (vlera e mesit), përgjatë kësaj periudhe kohore, janë luhatur brenda intervalit 630 në 1,016 euro/m2.

Çmimet mesatare shprehin çmimin e shitjes së një apartamenti në një zonë të caktuar, i cili përllogaritet si shumë e çmimeve të shitjes ndaj numrit total të apartamenteve në shitje në atë zonë.

Çmimet mediane shprehin vlerën e mesit të çmimit të shitjes nga një numër apartamentesh në shitje.

Në tremujorin e parë dhe të dytë 2021, çmimet mesatare dhe mediane përllogariten në 1,095 euro/m2 dhe 991 euro/m2 dhe 1,102 euro/m2 dhe 1,016euro/m2, respektivisht. Krahasimisht me tremujorin e katërt 2020, në gjashtëmujorin e parë, çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë janë rritur me 4.22%, ndërsa çmimet mediane janë rritur me 1.95%.

Ҫmimet mesatare, në ndryshim nga indeksi i çmimeve, përllogariten në proporcion me numrin e apartamenteve që janë në shitje në një periudhë të caktuar. Kështu, një rritje apo rënie në çmimet mesatare, jo domosdoshmërisht duhet të interpretohet me një dukuri që mund të ketë ndodhur të tregun e pasurive të paluajtshme. Ajo mund të interpretohet me faktin se në një moment të caktuar, oferta për apartamente është rritur ose ulur.

Në tremujorin e parë 2021, indeksi me frekuencë tremujore i shitjes së apartamenteve në Tiranë përllogaritet në 170.29, ndërsa në tremujorin e dytë indeksi përlogaritet në 171.45 i cili krahasuar me tremujorin e parë 2021 është rritur me 0.69 %. Gjashtëmujori i parë 2021 krahasuar me tremujorin e katërt 2020 ka shënuar një rritje me 0.75%. Një rritje në këtë vlerë lidhet me situatën aktuale të pandemisë në të cilën është duke kaluar vendi, gjë e cila tregon një farë rimëkëmbje edhe pse të ngadaltë të tregut të tregut të pasurive të paluajtshme dhe në veçanti të shitjes së apartamenteve në Tiranë.