Kosova

Rritja e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse në Kosovë, hipertensioni në krye të listës

Sëmundjet kronike jo-ngjitëse, si hipertensioni dhe diabeti, po prekin gjithnjë e më shumë banorët e Kosovës.

Të dhënat e vitit 2024 tregojnë mbi 21 mijë raste të hipertensionit arterial, që shënon një rritje prej 4.7% krahasuar me vitin 2023. Ky trend thekson se këto sëmundje janë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend, me hipertensionin si diagnozën më të zakonshme.

Sipas Artan Ahmetit, internist-kardiolog, “Hipertensioni arterial është një nga sëmundjet për të cilat ekzistojnë më shumë medikamente, por është e rëndësishme që pacientët të ndryshojnë stilin e jetës: reduktim i kripës në ushqim, ndalim i duhanit, aktivitet fizik më i lartë dhe kufizim i kalorive të tepërta. Nëse këto nuk mjaftojnë, trajtimi me barnat përkatëse është i domosdoshëm.”

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po ashtu njofton për rritje të rasteve të diabetit tip 2, ndërsa sëmundjet malinje mbeten një problem i vazhdueshëm. Te femrat, kanceri i gjirit është më i përhapuri, ndërsa te meshkujt dominojnë kanceri i lëkurës dhe ai i zorrës së trashë.

Klinika e Onkologjisë raporton se paraqitja e sëmundjeve malinje ka mbetur e qëndrueshme gjatë viteve të fundit.