Integrimi

Sarah Gretler: Shqipja për mua ishte një zbulim magjepsës!

albinfo.ch ka realizuar një seri portretesh dhe intervistash me zviceranë që e flasin shqipen. E para në këtë seri që e publikojmë duke nisur nga sot, është Sarah Gretler, përkthyese dhe autore libtrash

Sarah Gretler, përkthyese e shquar, bashkautore e një libri mbi mërgatën shqiptare në Zvicër, një emër shumë i dashur për shqiptarët në Zvicër . Ka shumë vite që Sarah Grettler punon si përkthyese zyrtare, dhe akoma ka njerëz që janë të bindur se Sarah është shqiptare. Por ajo është e lindur si zvicerane, ndërsa me shqipen e saj të bukur ne krenohemi dhe Sarën e ndjejmë si pjesë tonën.

Albinfo.ch: Kur e keni dëgjuar shqipen për herën e parë dhe si ju ka tingëlluar ajo në veshin tuaj?

Sarah Grettler: Ishte në vitin 1978. Atëherë kishte shumë sezonierë nga Kosova dhe Maqedonia këtu. Ata punonin në “gragjevinë”, siç thoshin atëherë, e sot thuhet ndërtimtari. Unë në atë kohë kam pas një të dashur kosovar, i cili si kujtim më ka lënë këtë gjuhë shumë interesante dhe në atë kohë gati krejt të panjohur në Zvicër. Për mua shqipja ishte një fenomen shumë magjeps, sepse në dëgjim të parë nuk i përngjante asnjë gjuhe tjetër, por, duke gërmuar pak në fjalorët dhe strukturat e gjuhëve më të njohura dhe latinishtes, unë zbulova shumë lidhje mes shqipes dhe gjuhëve tjera. Kjo afërsi e fshehtë e zgjoi interesin tim për këtë gjuhë të huaj.

A mund t`i shqiptonilehtë të gjitha shkronjat tona ?

Po, vetëm dallimin mes r dhe rr, si dhe mes l dhe ll nuk arrij ta bëj. Deri më sot më ndodh rregullisht që ta ngatërroj pullën, atë që duhet të ngjitet në zarfin e letrës me pulën (e gjelit).

A e keni pasur vështirë t`i shqiptoni fjalët e para të shqipes?

Po. Vështirësia kryesore qëndronte në atë që një kohë të gjatë nuk kisha ku të kontrolloja veten, s’kishte as shkollë, as kurse, as gramatika për të huaj, dhe nga ana tjetër kishte aq shumë dialekte dhe një dygjuhësi të theksuar mes të folmeve të ndryshme dhe gjuhës letrare.

Sa e njihni kulturën shqiptare?

Besoj që e njoh një pjesë pak a shumë të madhe të kulturës së jetës së përditshme, sidomos aspektin e zhvillimit nga strukturat e familjes së madhe patriarkale deri te format e reja të sotme. Për mua kultura shqiptare lidhet më së forti me mikpritjen e jashtëzakonshme që kam përjetuar!

Keni vizituar ndonjë nga trojet shqiptare?

Po, kam qenë në shumë vende të Kosovës, pastaj në Bujanovc, në Shkup, në Strugë, në Ohër, në Tetovë, në Shqipëri. Në Shqipëri kam qenë, ndër të tjera, në vitin 1991 me një delegacion të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në burgjet e Tiranës, Sarandës, të Fierit dhe Burrelit, dhe nuk do të harroj kurrë çka kam parë dhe dëgjuar atje. I kam krahasuar ato me rrëfimet e të ikurve politikë shqiptarë nga Jugosllavia për rrethanat e burgimit të tyre, dhe më së shumti më ka ardhur keq për ata që kanë rënë prej burgjeve jugosllave në burgjet e Shqipërisë.

Thuhet se fëmijët i mësojnë më shpejt gjuhët e huaja sepse ata nuk turpërohen kur gabojnë. A ngurroni ju gjatë të folurit të shqipes?

Jo, por jam e vetëdijshme që bëj gabime. Ama jam gjithnjë optimiste që bashkëbiseduesi ose dëgjuesi shqiptar më kupton dhe ma fal gabimin.

A keni ndonjë fjalor të gjuhës shqipe?

Shumë! Sot është bërë shumë më lehtë të punosh si përkthyese, ke në dispozicion, përveç Langenscheidt’it, fjalorë të mëdhenj (me nga rreth 2000 faqe) nga autorët Ali Dhrimo dhe Hamlet Bezhani shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip, dhe për përkthimin gjyqësor ke fjalorin juridik të Dritan Halilit. Dhe gjithashtu gëzohem shumë për fjalorin 1600-faqesh me fjalë të gjuhës së folur, të autorit Mehmet Elezi. Aty gjen fjalë që nuk gjinden në fjalorët të tjerë, që ekzistojnë në dialekte të shumta ose që kanë prejardhje turke, dhe që janë gjithashtu shumë me rëndësi për të kuptuar gjuhën shqipe në të gjitha format e paraqitjes së saj.

 A mund të na e thoni një frazë shqipe nga ndonjë tekst, këngë apo ndonjë përshëndetje shqiptare?

„Ta mbajsh me shëndet!“ Kjo thënie është e bukur, se thuhet shpesh, në jetën e përditshme, dhe, edhe pse përdoret në momentin kur dikush merr diçka materiale, blen ose merr dhuratë një rrobë, kjo fjali ta kthen vëmendjen tek shëndeti, pra kjo shprehje flet çdo ditë për lidhjet që ekzistojnë në mes vlerave materiale dhe atyre më të thella.

Si anekdotë këtu mund të shtoj edhe këtë: Fjalia e parë në gjuhën shqipe, rasti i parë ku gjuha shqipe është cituar sa e di unë në mediat zvicerane, ka qenë, mjerisht, „nuk e di“, si titull i një artikulli në gazetën NZZ dikur në vitet 90. Dhe shpjegimi ishte që këto fjalë janë fjalët më të shpeshta që shqiptarët të zënë për dyshim të biznesit me drogë i japin si përgjigje policisë apo prokurorit. Është anekdotë, por mua atëherë më ka ardhur shumë keq që gjuha shqipe, gjuha e një popullsie që jetonte atëherë qysh më shumë se 25 vjet në Zvicër dhe ku shumica ishin punëtorë ndërtimtarie që punonin rëndë, prezantohej për herë të parë në një kontekst aq negativ. Kjo anekdotë për mua ilustron në mënyrë shumë mbresëlënëse se sa kohe shoqëria zvicerane ka lënë të kalojë, prej ardhjes së punëtorëve të parë shqiptarë në vitin 1964 deri te perceptimi – shumë i njëanshëm! – i tyre vetëm pak para luftës në Kosovë!

“Ende e ngatërroj “pullën” me “pulën” (e gjelit) 

Vetëm dallimin mes r dhe rr, si dhe mes l dhe ll nuk arrij ta bëj. Deri më sot më ndodh rregullisht që ta ngatërroj pullën, atë që duhet të ngjitet në zarfin e letrës me pulën (e gjelit).