Lajme

Sekretari amerikan: Irani po e përdor Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Irani po përpiqet ta përdorë Ngushticën e Hormuzit si “mjet presioni ndaj botës”.

Sipas tij, Irani synon të kontrollojë një rrugë jetike ndërkombëtare teksa ai u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që të ndajnë barrën e mbrojtjes së transportit detar global.

Para nisjes për një takim në Filipine, Rubio tha se operacionet ushtarake amerikane janë të përqendruara vetëm në ndalimin e sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare dhe në dobësimin e aftësisë së Teheranit për të kërcënuar trafikun detar.

“Është e qartë se Irani, ose të paktën disa njerëz në Iran, duan ta kontrollojnë Ngushticën dhe ta përdorin atë si mjet presioni ndaj botës. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë atë që është e nevojshme për të mbrojtur transportin detar global, por edhe vendet e tjera duhet të fillojnë të kontribuojnë, qoftë me pajisje, qoftë me mjete financiare, për ta ndarë këtë barrë”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Rubio u shpreh se Washingtoni nuk mund të mbetet i vetmi përgjegjës për sigurimin e një prej rrugëve më të ngarkuara tregtare detare në botë.

“Nuk është detyrë e Shteteve të Bashkuara që ta mbrojnë përgjithmonë transportin detar të të gjithë planetit”, tha Rubio.