Sekreti bankar nxjerr në pah dallimet partiake

Tash e tutje në rast dyshimi për ikje nga pagesa e tatimeve do të mjaftojë vetëm numri i kontos së të dyshuarit  

Autoritetet tatimore të vendeve të huaja në të ardhmen do të kenë lehtësime për marrjen e ndihmës zyrtare lidhur me identifikimin e bishtnuesve të mundshëm të tatimeve.

Është ky propozim i dhënë sot nga Qeveria Federale dhe është publikuar nga ministrja e financave Eveline Widmer-Schlumpf. Propozimi për ndryshim vjen si rezultat i presionit të bërë nga Organizata Evropiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

 

Sipas rregullave që janë ende në fuqi, autoritetet e huaja tatimore, për të marrë informata nga Zvicra janë të detyruara të dijnë emrin e personit që i ka bishtnuar pagesës së tatimit. Tash e tutje kjo nuk do të jetë e nevojshme. Në rast dyshimi do të mjaftojë vetëm numri i kontos së të dyshuarit.

 

Parlamenti Nacional i Zvicrës do të vendosë së shpejti lidhur me propozimin e bërë nga qeveria. Por, gjykuar nga reagimet e para, partitë e djathta do ta kundërshtojnë ndërsa të majtat do ta mirëpresin propozimin që lidhet kryesisht me sekretin bankar.

 

SVP, FDP dhe CVP e kanë quajtur atë “cenim i privatësisë”, ndërsa SP ka thënë se propozimi është shumë i mirë, ndonëse i vonuar.