Lajme

Sela: Nuk i lejojmë lëvizjet e caktuara, të luajnë me Skënderbeun

Ziadin Sela tha se si parti politike por edhe si komb, nuk do të lejohet që lëvizje të caktuara politike ta kontestojnë figurën heroike të Skënderbeut

Figura e Skënderbeut ka qenë dhe vazhdon të mbetet pikënisja e identitetit kombëtar shqiptar dhe si parti politike nuk do të lejojmë që aventurierë të ndryshëm ta përdhosin këtë figurë. Kështu ka deklaruar dje në Xhepçishtë të Tetovës,  kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela, ku edhe formoi nëndegën e kësaj parti në këtë komunë.

Ai u ndje mirë kur në sfondin  e sallës e pa figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotin- Skënderbeun. Sela tha se nga disa njërës në Maqedoni po akuzohen pse po e nxjerrim në facebook Skënderbeun.

“Më vjen mire që këtu ne sfond e shoh figurën e heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Pa marrë parasysh që çfarë emri dhe mbiemri ne si shqiptarë mbajmë këtu, është pikënisja e identitetit tonë kombëtar dhe të kontestosh figurën Kombëtare të Skënderbeut, ke kontestuar qenien shqiptare dhe shqiptarët që jetojnë këtu edhe më gjerë”, deklaroi Sela.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë, tha se vazhdimisht edhe si komb, po përballen me kësisoj goditjesh nga qarqe dhe rryma të caktuara, ndështa edhe të paguara nga jashtë.

“Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur probleme me identitetin kombëtar, por fatkeqësisht tani ka disa rryma politike që duan të na shkombëtarizojnë nga identiteti kombëtar. Nuk guxojmë ti lejojmë aventurier të tillë që ndoshta edhe paguhen për ta faruar indin kombëtar. Ne do të goditemi gjithandej sa herë qe të vërejnë se do të kemi krizë. Pikërisht edhe këta janë treguesit se ku duhet të veprojmë ne si politikë në mënyrë që mos të kemi krizë”, deklaroi ai.

Sa herë që do të vërehet boshllëk dhe mungesë edukimi, sipas tij, aty do të goditen si komb.

“Kjo ndodh në fakultete, në shkolla të mesme, por edhe në çerdhe. Andaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe syhapur t’i ndjekim këto procese. Ne jemi ata që duhet t’u paraprimë këtyre proceseve dhe nuk duhet të lejojmë të goditemi pikërisht aty ku është me e dhimbshme siç është kombi dhe identiteti kombëtar”, shtoi më tej Sela.