Tematike

Sërish për sigurimet: Përse shqiptarët duhet të paguajnë më së shumti?

Kur një person me prejardhje të huaj shkakton një aksident në një makinë me fuqi të lartë, kjo përfshihet në statistikë. Dhe, nëse kjo ndodh disa herë, krijohet një profil rreziku i cili pastaj zbatohet për të gjithë njerëzit me të njëjtën prejardhje

Të huajt, pa pasaportë të kuqe, zakonisht paguajnë më shumë për sigurimin e makinës.

Një praktikë e tillë është e ndaluar në BE, por në Zvicër kompanitë e sigurimeve lejohen të mbështeten në statistika. Kritikët thonë se kjo është diskriminuese në raport me individin, shkruan blick.-ch.

Nëse jeni duke paguar më shumë për sigurimin e makinës thjesht sepse jeni nga Turqia apo Serbia, duhet të dini se ky është standard në Zvicër.

Kushdo që dëshiron të sigurojë makinën e tij këtu si i huaj, paguan më shumë sesa një zviceran, transmeton albinfo.ch. Nuk ka rëndësi nëse keni pasur një aksident apo po vozisni ndonjë makinë të shpejtë.

Kompanitë e sigurimeve pra, veç kritereve tjera bëjnë edhe diferencën sipas kombësisë, kush dhe sa duhet të paguajë.  Në këtë pikë, ndryshimet janë drastike: në veçanti shqiptarët, serbët dhe turqit duhet të paguajnë ndjeshëm më tepër- mesatarisht ata paguajnë rreth 60 për qind më shumë sesa zviceranët, siç e tregon një analizë e publikuar nga portali i krahasimeve në internet Comparis.ch.

Për të vërtetuar këtë, Blick ka pyetur kompanitë e sigurimeve Axa, Helvetia, TCS dhe Zürich Versicherung. Shpjegimi i tyre duket si më poshtë: Për llogaritjen e primit, përcaktohet se cilët faktorë mund të çojnë statistikisht në kosto më të lartë të sigurimit. Këto përfshihen për shembull, performanca e makinës, mosha e shoferit, gjinia dhe, edhe kombësia.

“Profili i rrezikut” nga i cili vuajnë pjesëtarët e gjithë komunitetit

Pra, kurdo që një person me prejardhje të huaj shkakton një aksident në një makinë me fuqi të lartë, kjo përfshihet në statistikë, përcjell albinfo.ch. Dhe, nëse kjo ndodh disa herë, krijohet një profil rreziku i cili pastaj zbatohet për të gjithë njerëzit me të njëjtën prejardhje.

Ndërsa për politikanin Mustafa Atici, kryetar i seksionit të Migracionit në Partinë Socialdemokrate (SP) “kjo praktikë në Zvicër është diskriminim i pastër. Kjo është një zhvatje”, thotë deputeti nacional i PS-së nga Bazeli. “Mijëra njerëz duhet të paguajnë në mënyrë paushalle më shumë, pa shkaktuar kurrë ndonjë aksident”.

Ai e di që shoferët e rinj me makina të shpejta dhe të cilët shpesh janë me prejardhje të huaj janë më shpesh të përfshirë në aksidente. “Por që mbi këtë bazë të dënosh të gjithë ata që kanë të njëjtën kombësi me të, nuk është e drejtë”. Duhet ndëshkuar ata që kanë faj.

Atici përpiqet të tërheqë vëmendjen rreth temës përmes fushata në gjuhë të ndryshme, transmeton albinfo.ch. Ai këshillon migrantët të marrin sigurime atje ku nuk bëhet dallim midis zviceranëve dhe të huajve.

Tani edhe “Generali” bën dallimin në mes të të huajve dhe zviceranëve

Por një gjë e tillë duket të jetë e vështirë. Sepse në Zvicër tashmë nuk ka asnjë sigurues që nuk merr parasysh kombësinë. Deri më tani, “Generali” ishte e vetmja kompani e sigurimeve që nuk bënte dallim midis të huajve dhe zviceranëve. Por tani edhe “Generali” ka devijuar nga kjo.

Në të kaluarën, statistikat nuk tregonin ndonjë rrezik më të lartë nga të huajt. “Me të dhënat aktuale dhe modelet e llogaritjes, megjithatë, mund të identifikohen dallimet midis kombësive të ndryshme”, thotë zëdhënësi i kësaj kompanie, Ueli Kneubühler. Kjo është arsyeja pse kombësia tani merret parasysh në llogaritjen e primit edhe te “Generali”.

Në Bashkimin Evropian, prejardhja nuk luan rol në çmimin e primit, përcjell albinfo.ch. Ndërsa në Zvicër po, për aq sa mund të provohet statistikisht se të huajt në të vërtetë kanë shkaktuar kosto më të larta.