Kosova
SHBA-ja dhe BE-ja e cilësojnë historike marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd
Bashkimi Evropian nuk ka qenë i përfshiri në arritjen e marrëveshjes në parim për hapjen e linjes direkte ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit
Së fundi, burime të shumta kanë konfirmuar për REL-in se zyrtarët e BE-së kanë marrë vesh përmes mediave se të hënën në Berlin është nënshkruar marrëveshja dhe se ata ishin zënë në “befasi” me këtë informacion.
BE-ja ka reaguar nga Brukseli të martën, në konferencën për gazetarë pas pyetjeve të gazetarëve në lidhje me këtë çështje, zëdhënës i Shefit të diplomacisë evropiane, Peter Stano, foli për anën komerciale të kësaj marrëveshjeje.
Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borell, nuk e ka përshëndetur në veçanti marrëveshjen, por ka thënë se ajo paraqet “sinjal pozitiv”.
“BE mbështet të gjitha lidhjet në rajon që forcojnë komunikimin mes njerëzve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një mënyrë për të avancuar normalizimin e marrëdhënies midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Stano, sipas të cilit, hapja e një linje ajrore nuk do të ndikojë ose ndryshojë qëndrimin e BE-së për statusin e Kosovës.
Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur fitore marrëveshjen për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shkruar në profilin në Twitter se “Presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për të arritur këtë marrëveshje, që është vetëm fillimi i një të ardhme të ndritur për miqtë tanë, Kosovën dhe Serbinë”.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë lëvizje në drejtim të rritjes së rolit të tyre në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar special të presidentit Donald Trump, për negociatat paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.
Procesi i bisedimeve i filluar që nga viti 2011 ishte ndërprerë pasi Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar vendosi taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për hapjen e linjës së fluturimeve direkte Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas, Kosova dhe Serbia presin që së shpejti kjo marrëveshje të jetësohet edhe në praktikë.
Marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd është nënshkruar më 20 janar në Berlin. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë gjermane “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë.
Linja ajrore Prishtinë – Beograd synon të normalizojë hapësirën ajrore dhe trafikun ajror në Kosovë. Vendosja e kësaj linje, sipas një komunikate për media të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.
Drejtori i Agjencisë se Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, shpreson se shumë shpejt do të funksionalizohet kjo linjë, ndonëse rikujton se për jetësimin e saj kanë mbetur edhe disa procedura teknike.
Ai thotë se Aeroporti i Beogradit mund të shfrytëzohet edhe si destinacion për pasagjerë për të udhëtuar në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.
“Pasagjerët kanë të drejtën edhe mundësinë që të zgjedhin destinime të ndryshme përmes aeroporteve të ndryshme. Sigurisht që edhe kjo duhet të jetë një ndër opsionet dhe mundësitë që nëpërmes Aeroportit të Beogradit të fluturohet edhe në destinacione sipas nevojës dhe kërkesës së pasagjerëve. Apo edhe anasjelltas përmes linjave të tjera të Beogradit për të ardhur në Kosovë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme familjare, biznesore dhe çfarëdo që janë ato”, thotë Nuredini.
Kompania ajrore “Lufthansa” do të operojë në këtë linjë. Rrjedhimisht ky korridor do të shkurtojë edhe kohën e fluturimit. Distanca rrugore nga Prishtina në Beograd është 350 kilometra, rreth katër orë me makinë.
Qytetarët në Kosovë japin mendime të ndryshme lidhur më sigurinë dhe mundësinë e fluturimeve nga Prishtina në drejtim të Beogradit. Safet Beqiri shprehet se në rast nevoje për udhëtim në Beograd ose ndonjë shtet tjetër, kjo linjë do t’i shkurtonte kohën e fluturimit.
“Linja ajrore në mes Prishtinës dhe Beogradit është e mirë. Unë nëse kam nevojë të shkoj në Beograd, normalisht se e shfrytëzoj linjën ajrore. Më shumë e preferoj linjën ajrore sesa udhëtimin me veturë”, thotë ai, përcjell albinfo.ch.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Diaspora është zot shtëpie Nuk ka rëndësi data e prodhimit të një klipi që po qarkullon si murtajë nëpër rrjetet... -
Foto
KUR VESHJA BËHET IDENTITET! -
1 Maji “ndez” Zvicrën: Mijëra në rrugë në Cyrih dhe Bernë, nga protesta paqësore te përplasjet me policinë -
KQZ: Mërgata ka 12 ditë kohë për t’u regjistruar për zgjedhjet në Kosovë -
Zvicra përballet me “mafian e biçikletave”, disa e-bike të vjedhura përfundojnë në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Zvicrës po i mbarojnë kombinimet e targave, Parlamenti kërkon lejimin e targave të personalizuara Këshilli Kombëtar ka miratuar një mocion për t’i lejuar targat me kombinime të zgjedhura nga qytetarët,... -
Lucern: Gruaja gjendet në banesën e saj disa muaj pasi kishte vdekur -
Mundësi me rrënjë shqiptare, Naim Fejzaj kthehet në ring pas sulmit në tru -
Zvicër: Shitjet me pakicë, në rënie -
Aferë dashurie midis dy gjyqtarëve federalë














