Lajme

SHBA konfirmon rinisjen e bisedimeve bërthamore me Iranin

Negociatat midis Iranit dhe fuqive botërore mbi mënyrën se si do të rikthejnë në jetë marrëveshjen bërthamore të nënshkruar në vitin 2015 do të rinisin gjatë fundjavës, ka deklaruar zv. Sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, teksa i cilësoi zgjedhjet presidenciale në Iran si një “faktor që i ndërlikon” bisedimet.

“Jam në dijeni që negociatat do të nisin sërish këtë fundjavë”, tha Sherman gjatë një ceremonie virtuale. “Mendoj se ka pasur shumë progres, por në përvojën time, deri në momentin kur të jetë nënshkruar detaji i fundit, nuk do ta dimë nëse kemi apo jo një marrëveshje”, tha ajo.

Synimi i bisedimeve është rikthimi i marrëveshjes historike, sipas të cilës Irani pranoi të reduktojë programin e tij bërthamor në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Megjithatë, vijojnë të mbeten një sërë barrierash, çka do të thotë se implementimi i marrëveshjes së 2015-ës është ende shumë larg, paralajmërojnë ekspertët.

Një prej tyre janë zgjedhjet presidenciale të 18 qershorit, kur pritet të ndërrohet presidenti Hassan Rouhani, i cili ishte në favor të marrëveshjes.

Më 2018, ish-presidenti Donald Trump braktisi marrëveshjen, pasi e cilësonte si “shumë të butë për Teheranin” dhe riktheu sanksionet, ndërsa Irani iu kundërpërgjigj duke shkelur kufizimet e dakorduara.

Pasardhësi i Trump, Presidenti Joe Biden, ka thënë se synon të rikthejë kufizimet e marrëveshjes, e nëse do të ishte e mundur, edhe të mbulonte çështje të tjera, përfshirë këtu sjelljen e Iranit në rajon dhe programin bërthamor.

Nga ana tjetër, Irani kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve dhe jo zgjerim në çështje të tjera./euronews