Maqedonia

SHBA paralajmëron shtetasit e vet të cilët udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut

Ambasada amerikane ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të shmangin tubimet masive në vend gjatë periudhës së festave. Në njoftim thonë se është e mundur të ketë shtim të kriminalitetit, por kujtojnë se në Shkup janë bërë më të shpeshta raportimet për bomba në shkolla, qendra tregtare, stacione transporti dhe vende të tjera. Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale të sigurisë në rast të ndonjë kërcënimi me bombë.

Mirëpo, ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, thotë se nuk ka asnjë kërcënim real për sigurinë e vendit, ndonëse duhet të punohet seriozisht për zbulimin e rasteve të alarmeve të rreme për bomba. Sipas saj, synimi është të shkaktohet panik tek popullata dhe mosbesim në institucione, raporton alsat, përcjell albinfo.ch.
“Një nga supozimet, që as unë nuk e përjashtoj, është qëndrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me konfliktin në Ukrainë, pra qëndrimi i qartë në anën e drejtësisë në vend. Megjithatë, kur sheh se qëllimi kryesor është destabilizimi psikologjik apo ndikimi negativ tek qytetarët, të gjitha supozimet janë të hapura”, deklaroi Sllavjanka Petrovska – Ministre e Mbrojtjes.