Opinione

Shiptarite se krivi (Shqiptarët kanë faj)

Sa i përket shqiptarëve të mi, po duhej të dilnin me një numër më të madh në votim. E shkrova dhe javën që shkoi, po e them dhe tani, rreziku që votimi në referendum të shihej si dënim për klasën politike, tashmë u verifikua disi. Fushata e bërë më shumë partiake e jo si një arritje e një misioni e synimi prej dekadash e solli këtë moment

Nga Nazim RASHIDI

Në “Lagjen e Dibrës” ose “Debar Maallo” maqedonisht dhe siç njihet gjerësisht, ku është zemra e qytetit bohem, me lokalet e restorantet e vogla, prezenca shqiptare është shtuar dukshëm. Nuk përbën më çudi nëpër tavolina të flitet shqip, as për pronarët e as për klientët. Madje shumë biznese edhe të shqiptarëve, ndonëse jo me numër të madh, janë të vendosur në këtë lagje që është në qendër, por sërish disi e fshehur. Në këtë pjesë të qytetit penetron kryesisht pjesa më liberale e shoqërisë dhe dua të ndaj dy episode bisedash e konstatimesh që lidhen me periudhën para e pas referendumit për emrin. Arsyeja është e vetme, sepse po vij në një konstatim se shoqëria maqedonase nuk arrin dot të marrë përgjegjësitë e brezit të saj. Kur e them këtë nuk është se përjashtohet edhe shoqëria jonë shqiptare, por referendumi dhe çështja e ndryshimit të emrit, që është disi më emocionale për maqedonasit e boldon këtë konstatim timin.

EPISODI 1.

Në një nga kafenetë ku dielli i fundverës ende të shtynte të kërkosh hije, bënte që tavolinat të rrinë më pranë njëra tjetrës. Dhe biseda në tavolinën ngjitur shkonte kështu:

– Duhet votuar pro në referendum. Sepse në këtë mënyrë betonohen kufijtë e Maqedonisë dhe nuk do ju lejojmë shqiptarëve dominim.  Por bashkëbiseduesi tjetër nuk u pajtua me këtë vlerësim. Duke dhënë argumente për atë se si grekët nuk duhet të përzihen dhe të tregojnë se kush si ndihet biseda vazhdoi nga tjetri në tavolinë, sigurisht me parafrazime, kështu:

– Po pikërisht për shqiptarët e kam. Nuk do ua lejmë atyre mundësinë që të na ndryshojnë emrin. Nuk mund që edhe ata të vendosin për emrin tonë.

Me përshkrimin e kësaj bisede dua vetëm të theksoj se mbytëse ishte dhe si duket ende është fokusi tek shqiptarët duke mos lejuar që vetë maqedonasit të përballen me gjithë ato argumente se pse emri duhej të ndryshonte.

Sërish do ta theksoj, biseda bëhet në lagjen me urbane të vendit, ku presupozohet se mendjehapurit, që kanë parë botën e që pushimet i bëjnë ne Greqi në plazhet më të bukura, të mund të shihnin përparësitë e ndryshimit të emrit. Esenca e ndryshimit do ishte mes Republika Ish Jugosllave e Maqedonisë dhe Republika Maqedonia e Veriut. Me emrin e dytë, pikërisht kjo shtresë e shoqërisë rrezik do shkonte të zhvendosej në Greqi, por kësaj here lirshëm, pa viza, dhe streset e kufijve. Biseda e tyre dhe argumentet do të duhej të ishin se çfarë fitohet dhe çfarë humbet. Qoftë edhe argumente se sa lëndohet e poshtërohet maqedonasi ose dhe jo. Por jo, kjo nuk shihej dot, sepse në qendër të debateve nuk ishte barra e vendimit të madh shoqëror, por argumentet pro dhe kundër marrëveshjes me shqiptarët në mes.

EPISODI 2.

Në një kafene ku dielli i vjeshtës tashmë vazhdon të jetë prezent, e njerëzit duan të rrëmbejnë rreze por jo më nën hije, rrëmuja e krijuar në tarracat e lokaleve ku kërcasin syzet mes puthjesh të miqve të veshur me ngjyra vjeshte, temë diskutimi është referendumi, por tashmë pas rezultatit. Dhe biseda në tavolinën ngjitur shkon si vijon:

– Shqiptarët e kanë fajin. Nuk dolën sa duhet dhe me numrat që pritej. Si ka mundësi që të na e fusin kështu?

Këtë e tha bashkëbiseduesi i parë. Kurse i dyti që përpiqej të jetë më racional vijoi:

– Por nëse dilnin me një numër më të madh, do dilte se ata kanë bërë ndryshimin e emrit. S’do kish kuptim.

– S’do kishte rëndësi më vëlla, emri do kish ndryshuar, ne do ishim në NATO pastaj BE. Do kishte vetëm debate, ejjjj… Gjithmonë ka diskutime pastaj… por puna do ishe kryer. Jo, jo. Shqiptarët na e futën. Ata e kanë fajin.

Seriozisht! Narracioni si para ashtu dhe pas referendumit lidhet me dhe rreth shqiptarëve. Por jo, kjo s’ka kuptim. Referendumi dështoi se një pjesë e madhe e maqedonasve nuk dolën të votojnë. Nëse duam të përdorim argumentin e suksesit ose jo për referendumin, qëndrimi duhet të jetë ky.

Dhe realisht, një numër i madh miqve, kolegëve, fqinjëve më kanë pyetur e shkruar se pse dështuan shqiptarët? Por kjo nuk është çështja thelbësore. Në Strumicën e Zoran Zaevit, nuk kishte shumicë votash pro pyetjes së referendumit!!! Pyetja do duhej të ishte si ka mundësi që ne si maqedonas nuk kuptuam rëndësinë e momentit historik? Por narracioni i tillë me shqiptarët në qendër nuk shtrohet vetëm në tavolina ku rrufiten kafetë e uiskit por edhe në media dhe qarqet akademike.

“Ishte e qartë se qeveria në Shkup vështirë se do të arrinte kufirin prej 50 përqind për tu arritur kushti i nevojshëm. Siç ishte e sigurt se votat “pro” do të ishin në përparësi.

(Dhe vini re tani) E vetmja befasi lidhet me mos suksesin e partive shqiptare që janë përfshirë në kabinetin e Zoran Zaevit…” Këtë e ka shkruar D-r Dimitar Beçev, deklaratë e përcjellë me sa shoh edhe në mediet greke. Po maqedonasit që nuk dolën të votojnë? Po Qeveria që nuk arrti të bindë ata mbështetës të VMRO DPMNE-së që megjithatë të ngadhënjejnë dhe të shohin se ardhmja e vendit do të jetë me e ndritur? Kjo si duket nuk ka rëndësi sepse ajo shtresë liberale maqedonase që sheh Evropën si prioritet duket se këtë synim dëshiron ta arrijë me çdo kusht.

Por këtu nuk është kjo çështja. Për vendimin më të rëndësishëm historik pas pavarësisë së Maqedonisë, të gjithë duhej të kishin pasqyrë të qartë.  Po është e vërtetë për mua se opozita maqedonase është oportuniste dhe nuk arrin, ose nuk do që ta shohë interesin e qytetarëve para të sajin. Tragjike është se eksponentë të saj, jashtë kamerave, nën zë, apo dhe indirekt e pranojnë edhe e dinë se ku është e ardhmja dhe sa në fakt fitohet me këtë marrëveshje. Por nuk do ta pranojnë këtë.

Beteja e liberalëve, e shoqërisë maqedonase dhe jo vetëm, pra edhe e jona e shqiptarëve duhej të jetë me këtë qasje. Se kur vjen një moment, dhe momente të tilla në histori nuk shfaqen shpesh, retorika dhe banaliteti i politikës minore s’ka më rëndësi. Por këtë nuk e kuptuan maqedonasit përgjithësisht. Dhe më keq ende, këta liberalët dhe mendjehapurit maqedonas, reflektimin nuk e kanë me veten një herë, (përjashtime ka kuptohet) por edhe fajin edhe dëshpërimin edhe zgjidhjen e shohin përmes shqiptarëve. Sa do që të tingëllojë komplementuese për shqiptarët dhe rëndësinë e tyre, kjo është zhgënjyese për maqedonasit, sepse urban ose jo, pasion i tyre nuk duhet të jetë shqiptari. E ardhmja fillon me reflektimin mbi veten, do të thoshte Adelina Marku. Dhe kjo s’po bëhet. Normal është më lehtë ta gjesh fajin dhe justifikimin për situatën tek tjetri. Deri dje nuk ishim dot në NATO dhe BE për shkak të grekëve. Tani s’jemi dot në NATO e BE për shkak të shqiptarëve!

PËR SHQIPTARËT

Kurse sa i përket shqiptarëve të mi, po duhej të dilnin me një numër më të madh në votim.  E shkrova dhe javën që shkoi, po e them dhe tani, rreziku që votimi në referendum të shihej si dënim për klasën politike, tashmë u verifikua disi. Fushata e bërë më shumë partiake e jo si një arritje e një misioni e synimi prej dekadash e solli këtë moment.

I qartë jam me analizat se numri i votave shqiptare janë aty-aty sa edhe në zgjedhjet e tjera, por nuk do duhej të ishte rasti. Do të duhej që gjithë ai evropianizëm në retorikë, gjithë ajo mbështetje ndër vite e perëndimit, gjithë ai mund kolektiv e shoqëror për idealin e përbashkët, të derdhej në një votë – vulë e të fuqishme pro rrugës drejt Brukselit, dhe jo thjeshtë si vota sa në zgjedhje të zakonshme. Se ky votim i zakonshëm nuk ishte.

Por kjo nuk ndodhi!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)