Lajme

Shitja online “ia sheh hairin” pandemisë: 3 miliardë franga rritje

Çdo e dyta pikë shitjeje përmes internetit në Zvicër ka regjistruar rritje të porosive prej mbi 20 për qind gjatë krizës së koronës

Shitja me pakicë përmes internetit, në Zvicër, po përjeton një rritje të madhe gjatë vitit 2020 pikërisht “falë” krizës së koronavirusit, shkruan srf.ch. Çdo e dyta pikë shitjeje përmes internetit në Zvicër ka regjistruar rritje të porosive prej mbi 20 për qind gjatë krizës së koronës.

Si pikat e vogla të shitjes në internet ashtu dhe ato të mëdhatë, janë duke përfitua nga rritja, transmeton albinfo.ch. Këtë e tregon “Anketa Online e Shitësve me pakicë 2020″ botuar të enjten nga Shkolla e Menaxhimit dhe Drejtësisë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara” e Cyrihut (ZHAW).

Rezultati bazohet në një sondazh përfaqësues të 330 dyqaneve zvicerane në internet dhe është realizuar midis 6 majit dhe 13 gushtit të vitit 2020.

Sipas sondazhit, shitësit me pakicë në internet presin që rritja të vazhdojë. Universiteti i Shkencave të Zbatuara Zvicra Veriperëndimore (FHNW) kishte arritur në rezultate të ngjashme me ZHAW, përcjell albinfo.ch.

Në studimin e tij për tregtinë elektronike, të botuar në korrik, parashikonte që zviceranët do të shpenzojnë 13 miliardë franga për blerje në internet këtë vit – 3 miliardë më shumë se në vitin 2019.