Lajme

Shkolla e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, një pasuri e pamohueshme për fëmijët në mërgim

Gjuha shqipe dhe të folurit shqip, njëkohësisht është edhe një mjet i identitetit kombëtar

Një e veçantë e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër është  Shkolla e Mësimit Plotësues të gjuhës shqipe, organizuara nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë ”Naim Frashëri”, e cila ka një traditë mbi 30-vjeçare.

Qëllimi i shkollës ishte dhe mbetet që breznitë të ruajnë identitetin e tyre, sidomos gjuhën shqipe dhe trashëgiminë etnokulturore.

Gjatë gjithë viteve mësim plotësues shqip pati luhatjet e veta. Këto luhatje janë ndikuar nga shumë faktorë e kryesisht nga mosvijueshmëria e mësimit prej një numri të konsiderueshëm fëmijësh.

Gjuha shqipe dhe të folurit shqip, njëkohësisht është edhe një mjet i identitetit kombëtar. Një fëmijë në moshën shkollore, që di shqip, kur është në mërgim e ruan edhe identitetin. Nëse nuk e njeh gjuhën shqipe, si mund të quhet shqiptar? Pra, identitetin ia kanë humbur prindërit, që nuk flasin shqip me fëmijë dhe nuk i çojnë ata në mësimin plotësues shqip. Bashkë me gjuhën, i kanë humbur fëmijës edhe mundësitë për të mësuar më mirë në shkollën e vendit pritës.

Në kushtet e mërgimit roli i mësimit të gjuhës amtare në shkollë për zhvillimin gjuhësor të një fëmije dhe për suksesin shkollor është mjaft i njohur.

Në fakt, fëmijët në mërgim jetojnë me dy gjuhë. Shqip në shtëpi dhe gjermanisht apo frëngjisht…në shkollë. Fëmijët përvojën e parë gjuhësore të shqipes të mësuar nga prindërit me të hyrë në shkollën publike në një farë mënyre ndërpritet, sepse fillojnë mësimin e një gjuhe tjetër të vendit pritës. Është me rëndësi që fëmijët të shkojnë në shkollën plotësues të gjuhës shqipe, sepse aty përkrahet më tej zhvillimi i gjuhës amtare. Në asnjë mënyrë mësimi plotësues nuk është pengesë dhe nuk duhet të ndërpritet, sepse ka pasoja jo vetëm për zotërimin e gjuhës amtare, por edhe për mësimin e të nxënit e gjuhës së dytë. Fëmijët përjetojnë dygjuhësinë duhet të zhvillohen e pasurohen të dyja gjuhët. Disa fëmijë e përballojnë lehtë këtë thyerje gjuhësore, por tek disa lindin probleme gjuhësore.

Lidhur me mësimin plotësues në gjuhën shqipe duhet të kihet parasysh rëndësia e saj për:

  1. Zhvillimin e kompetencës gjuhësor dhe aftësitë kognitive: Në shkollë bëhet përvetësimi i gjuhës amtare, si në strukturën gramatikore, të fjalorit dhe drejtshkrimit.

Të folurit e fëmijëve bëhet më i kuptueshëm si me prindër dhe me rrethin familjar. Ata arrijnë aftësi të mira në shkrim dhe lexim. Gjuha e fëmijëve një gjuhë e folur nga prindërit arrin të bëhet një gjuhë e shkruar. Gjuha dialektore e folur në shtëpi, kalon në procesin e ngritjes në gjuhë standarde, fëmijët arrijnë të lexojnë tekste në gjuhën letrare dhe të dallojnë nga dialekti. Njohuritë e mira të shqipes dhe një gjuhe tjetër krijohet dygjuhësia.

  1. Zhvillimin e vetëdijes për rrënjët dhe identitetin kombëtar: Mësimi plotësues i gjuhës shqipe ndihmon fëmijët të ndjehen të lidhur me origjinën dhe trashëgiminë e tyre. Kjo lidhje me rrënjët mund të ndihmojë në krijimin e një identiteti të fortë social e kulturor.

3. Zhvillimin e dygjuhësisë (bilinguizmi):

Kur një nxënës di gjuhën shqipe për të komunikuar e shkruar dhe njëkohësisht ka mësuar gjuhën e shkollës, kjo dukuri është bilinguizëm. Fëmijët identifikohen si dygjuhësh, me dy gjuhë dhe dy kultura. Ata zhvillojnë dhe përdorin dy gjuhë të ndryshme në komunikimin e tyre të përditshëm. Shqip në mjedisin familjar dhe jashtë shprehin në gjuhën e shkollës. Këto dy gjuhë mund të jenë të ndryshme në nivelin fonologjik, leksikor, gramatikor dhe pragmatik, por fëmijët i identifikojnë dhe ndajnë gjuhët. Ata zhvillojnë kompetenca në të dyja gjuhët në mënyrë të ngjashme me fëmijët që flasin vetëm një gjuhë.

4. Zhvillimin e mundësisë për karrierë:

Në një treg pune ndërkombëtar dhe të ndërthurur, njohja e më shumë se një gjuhe është një avantazh. Ndonëse shqipja nuk është një gjuhë globale, njohja e saj mund të hapë mundësi në fusha të ndryshme si diplomacia, tregtia, turizmi, arsimi dhe shumë fusha të tjera ku njohja e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme është një pasuri.

5. Zhvillimin dhe pasurimin kulturor. Njohja e gjuhës shqipe do të lejojë fëmijët të shijojnë letërsinë, muzikën, kinemanë dhe artin shqiptar në gjuhën origjinale. Kjo është një mundësi për të thelluar njohuritë dhe për të shijuar bukuritë e kulturës shqiptare.

6. Rritja e lidhjeve familjare: Nëse brezi i vjetër i familjes flasin shqip, mësimi i gjuhës do të ndihmojë fëmijët të komunikojnë më lehtësisht me gjyshër, halla, xhaxha dhe të afërmit e tjerë. Kjo ndihmon në forcimin e lidhjeve familjare dhe ruajtjen e traditave.

7. Pasuri sociale dhe emocionale: Mësimi i gjuhës së parë ndihmon fëmijët të ndjehen pjesë e një komuniteti më të madh dhe të ndjehen krenarë për origjinën e tyre. Kjo mund të ndihmojë në zhvillimin e vetëvlerësimit dhe ndjenjave pozitive ndaj vetvetes.

Bazuar në përvojat e hidhura, sjelljen indiferente ndaj gjuhës shqipe, nënvlerësimin,  mosinteresimin për kultivimin e saj, mosndjekjen e mësimit në shkollat shqipe nga shumica e nxënësve shqiptarë, mund të thuhet se pjesa dërmuese e bashkatdhetarëve tanë nuk janë sa duhet të  vetëdijshëm për pasojat e moskujdesit të tyre ndaj gjuhës amtare dhe ndaj zhvillimit të natyrshëm të personalitetit të fëmijëve të tyre.

Gjuha si pasuri e pakontestueshme duhet të kuptohet e të pranohet si e tillë prej të gjithë shqiptarëve, dhe si e tillë t’u lihet trashëgim atyre që i duam më shumë, atyre që i vlerësojmë si pasurinë tonë më të madhe, pra fëmijëve.

Qëllimi i këtij artikull është ngritja e zërit kundër lënies pasdore dhe përbuzjes së gjuhës amtare shqipe prej vetë shqiptarëve në mërgim.

Gjenevë, 19.11. 2023   

Nexhmije Mehmetaj