Tematike

Shkollat profesionale, mundësi më e lehtë për punësim

Në Kosovë mbizotëron ideja se nxënësit e mirë shkojnë në gjimnaz, e ata të dobëtit në shkolla profesionale. Kjo ide konsiderohet e gabuar, nëse të rinjtë dëshirojnë një vend pune

Kosovës për çdo vit i shtohet nga 6000 mijë të rinj të diplomuar, ndërsa 95 për qind e tyre, nuk arrin të gjejnë një vend pune. Derisa gjetja e një vendi pune, konsiderohet si mision i vështirë, autoritetet dhe ekspertët e ekonomisë iu rekomandojnë të rinjve, që t’i zgjedhin shkollat profesionale si mundësi më e lehtë për punësim.

Shumica nga të diplomuarit, shkollën e mesme e kanë përfunduar gjimnazin, si “tranpulinë” për t’u gjuajtur më pas në fakultetin e preferuar, mjekësi, juridik, shkenca politike etj. Pra, edhe më tej në Kosovë mbizotëron ideja, se nxënësit e mirë shkojnë në gjimnaz, e ata të dobëtit në shkolla profesionale: teknikë, juridik, ekonomi, bujqësi, etj.

Në shtetet tjera përfshirë edhe Zvicrën, Gjermaninë, Francën, vetëm një përqindje e vogël e nxënësve superiorë, vijojnë shkollat e larta, ndërsa të tjerët orientohen në shkolla profesionale, që i mundësojnë më lehtë gjetjen e një vendi pune.

Në Kosovë, sipas Ministrisë së Arsimit, janë 57 shkolla profesionale, të shpërndara në 26 komuna. Prej tyre, 18 shkolla janë teknike 12 mikse, 9 shkolla ekonomike -juridike, 7 shkolla të mjekësisë, 6 shkolla të artit (prej tyre 1 shkollë arti dhe 5 shkolla muzike), 3 shkolla bujqësore, 1 hotelieri-turizëm dhe 1 fetare.

Numri i përgjithshëm i nxënësve që vijojnë shkollat profesionale është rreth 60 mijë.

Gjoshi: Perspektiva është në shkolla profesionale

Ragim Gjoshi është drejtor i Agjencisë për Aftësim Profesional në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Ai tha se perspektiva e të rinjve kosovarë është arsimi profesional, ndërsa kërkoi nga qytetarët që të vetëdijesohen dhe të heqin dorë nga mendimi neuhumanist, se të riut i duhet “një karrigë”.

“Koha e karrigeve ka shkuar dhe duhet të punojmë më shumë dhe të marrin mësim nga vendet e zhvilluara”, tha ai për Albinfo.Ch.

Gjoshi tha se Kosova, për dallim nga shtetet e tjera të rajonit, por edhe nga Shqipëria ka një përqindje të lakmuar për shkolla profesionale. Nga të gjithë nxënësit sa janë të regjistruar në arsimin mesëm të lartë, mbi 60 për qind e atyre janë të regjistruar në shkolla profesionale, tha ai.

Në pyetjen se a mjaftojnë për nivelin e Kosovës vetëm 57 shkolla profesionale, Gjoshi tha se ato janë të mjaftueshme, ndërsa përmendi se në shumicën e shkollave janë ndërtuar edhe kabinetet e punësimit. Por, hendikep, sipas tij, është praktikën e punës në terren me nxënës.

“Për Kosovën janë të mjaftueshme këto shkolla, por një kërkesë që e zvarrit zhvillimin e këtij sektori, është zhvillimi ekonomik i vendit, sepse mbi 60 për qind e punës në Zvicër dhe vendet tera, puna në këto shkolla zhvillohet në praktikë profesionale”, tha Gjoshi, sipas të cilit, në Kosovë nuk është i zgjidhur as sigurimi i nxënësve.

Ai tha se Kosova po mburret me moshën e popullatës, që është më e reja në Evropë. Mirëpo, këta të rinj, sipas tij, duke mos pas perspektivë të punës, janë përcaktuar që të vijojnë pothuajse të gjithë, studimet e larta.

“Dhe kjo është e pakuptimtë sepse jo të gjithë e meritojnë t’i vijojnë studimet. Kjo nuk është zgjidhje sepse me aftësimin në shkolla profesionale vjen më lehtë tek vendi i punës”, deklaroi Gjoshi.

Profesionistët, potencial i madh për BE-në

Ai tha nëse arrihet marrëveshje për punësim sezonal më vendet e BE-së, atëherë këta të rinj më shkolla profesionale, janë potencial i mirë për tregun e Evropës. “Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, qoftë për punë sezonale jashtë vendit, qoftë për punësim brenda vendit”, deklaroi Gjishi.

Ndryshe, rasti konkret i tregut evropian të punësimit vjen nga Agjencia Federale e Punës në Gjermania, e cila ka hapur ofertë ndërkombëtare për punëtorë të kualifikuar nga lëmenjtë: infermieri, elektricist, robotikë, mekatronikë etj.

Arben Veselaj, albanolog nga Prishtina, thotë se papunësia dhe rrjedhimisht kriza ekonomike në Kosovës, është pasojë e politikave të këqija të Qeverisë së Kosovës, e cila nuk po harton plane zhvillimore që lidhen me tregun e punës për të rinjtë. Sipas tij, të rinjtë sot janë të pa perspektivë dhe të pa shpresë se në Kosovë do të gjejnë punë.

“Të rijnë tanë që mbarojnë fakultetet si juridik, ekonomik dhe degët e mësuesisë dhe filologjisë, duhet të presin që dikush nga zyrtarët e administratës shtetërore ose ndonjë mësimdhënës të pensionohet që ata eventualisht të punësohen në vendin e tyre”, thotë Veselaj.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë është 30.9 për qind. Ndërsa komuniteti i biznesit dhe sindikatat e punës kanë thënë se ky numër është dukshëm më i madh, duke kaluar 40 përqindëshin.

Shkollat profesionale, bazament i zhvillimit

Ndërsa profesori universitar dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë se shkollat profesionale janë bazamenti i zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të cilat, siç thotë ai, Kosova ka shumë nevojë.

“Në vendin tonë ka shumë punëkërkues, por fatkeqësisht shumica prej tyre janë të pakualifikuar. Shkollat profesionale janë një mundësi e mirë për kualifikimin e fuqisë punëtore, rritjen e punësimit tek të rinjtë dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi”, konsideron Gashi.

Profesionalizimi punëtorëve, sipas tij, është një nga parakushtet për inkurajimin e investimeve të jashtme, sepse pa një fuqi punëtore të kualifikuar, investitorët nuk do të vijnë për të investuar ne vendin tonë.

“Ne kemi shumë të rinj që diplomojnë në universitetet publike dhe private të cilët fatkeqësisht nuk gjejnë punë, ose detyrohen të bëjnë punë që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre. Në rastin e shkollave profesionale, punësimi është gati 100 për qind, siç është rasti me Shkollën Profesionale në Prishtinë”, konsideron ai.

Profesori i ekonomisë, thotë se çdo komunë e Kosovës duhet të ketë së paku një shkollë profesionale që i përshtat rrethanave të komunës.

“Në Peja duhet të ketë një shkollë profesionale për hotelieri dhe turizëm, sepse e ka zonën e Rugovës, si pikë turistike, ndërsa Vushtrria duhet të kenë një shkollë profesionale në bujqësi, sepse shumica e banorëve të zonës merrem me kultivimin e patates”, thotë Gashi.

Ai thotë se në Kosovë mungon një orientim profesional në nivel nacional, nëpërmes të cilit iu tregohet të rinjve se sa punëtor i kërkon nëse e kryejnë një fakultet ose shkollë profesionale.

“Nëpërmes orientimit profesional ne iu ndihmojmë të rinjve që ta zgjedhin më lehtë profesionin e tyre dhe që ata paraprakisht t’i dinë gjasat për punësim”, shprehet Gashi për Albinfo.Ch.