Kosova

Në Kosovë mund të hapen shkolla profesionale zvicerane

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me presidentin Stefan Sarkany të Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër – Kosovë.

Veprimi i sotëm ka një rëndësi të madhe për nismën e realizmit të projektit të Sindikatës Zvicerane të Automobilëve për hapjen e shkollave profesionale në fushën e automjeteve dhe profilizimin e kuadrove të këtij sektori në vendin tonë.

Kjo marrëveshje hap rrugë trajnimit, certifikimit dhe licencimit të personave përgjegjës, të cilët janë të angazhuar në punëtoritë për riparim, servisim dhe rregullim të automjeteve.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri Pal Lekaj, me anë të një statusi në Facebook.

“Sot nënshkrova Memorandum Bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër – Kosovë, përmes së cilës i hapim rrugë trajnimit, certifikimit dhe licencimit të personave përgjegjës, të cilët janë të angazhuar në punëtoritë për riparim, servisim dhe rregullim të automjeteve. Kjo marrëveshje është nismë e realizmit të projektit të Sindikatës Zvicerane të Automobilëve për hapjen e shkollave profesionale në fushën e automjeteve. Jemi të përkushtuar që të sjellim lëvizje frytdhënëse në secilën sferë, si në këtë rast, arsimimi i të rinjve. Për “Kosovën që e duam të gjithë”, ka shkruar Lekaj në Facebook.​