Shqiperia

Shqipëria, destinacioni më ‘in’ i momentit sipas mediave spanjolle

Shqipëria turistike vijon të mbetet në vëmendjen e medieve botërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar nga e përditshmja spanjolle “El Viajero Fisgón”, i cili rekomandon Shqipërinë si një nga destinacionet më “in” për t’u vizituar nga turistët, duke e cilësuar si një vend që të rrëmben ndjenjat.

E përditshmja spanjolle “El Viajero Fisgón” shkruan se një nga destinacionet më të rekomanduara për të vizituar këtë vit midis muajve maj dhe shtator është Shqipëria, e vendosur në zemër të Ballkanit.

“Shqipëria, e njohur si “vendi i shqiponjave” ka shumë për të ofruar, nga peizazhet mahnitëse plot aventura, te historia dhe kultura unike dhe autentike. Ju mund të zhyteni në bukuritë e Shqipërisë dhe të zbuloni vendet më turistike të vendit”, thuhet në këtë artikull.

Për të përditshmen spanjolle “Shqipëria është plot me mundësi për t’u shkëputur nga rutina”.

“Nisni aventurën tuaj në kryeqytetin e gjallë të Shqipërisë, Tiranë. Vizitoni qytetin piktoresk të Beratit, i njohur si “Qyteti i një mijë dritareve”. Udhëtoni në qytetin e Gjirokastrës, një tjetër perlë e trashëgimisë botërore. Eksploroni kështjellën e saj mbresëlënëse dhe rrënojat e Butrintit, një vend arkeologjik i shpallur gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Drejtohuni drejt bregdetit të bukur të plazhit të Gjipesë, ku do të gjeni disa nga plazhet më mahnitëse në Shqipëri”, janë disa prej destinacioneve turistike që promovon artikulli i “El Viajero Fisgón”.