Tematike

Shqiptarët dhe klisheja për “frankofonët dembelë”

Pyetjes së albinfos nëse frankofonët janë më dembelë se gjermanofonët, 53 % i janë përgjigjur Po, 38% Jo dhe 8% nuk kanë mendim

Zvicra funksionon si “komb i bazuar në vullnetin e shprehur” (Willensnation) dhe jo në përkatësinë etnike, gjuhësore aopo “të gjakut”. Kështu, dallimet në etni, në religjion dhe në kulturë, tejkalohen falë një bazamenti të tillë.

Por megjithatë, dallimet, për ata që patjetër duan t`i theksojnë, nuk është se nuk ekzistojnë. Si simbol për dallimet në fjalë shërben vija imagjinare “Röstigraben” që ndan Zvicrën gjermane nga ajo frankofone.

Javorja “Weltwoche” javë më parë pati publikuar një dosje me titullin “Romandët, grekët e Zvicrës”, ku hendeku Röstigraben paraqitej më i thellë dhe më ndarës se që është në realitet. Në këtë dosje autorët kanë radhitur një mori gjysmëfaktesh për të na bindur se frankofonët do të falimentonin në çdo aspekt, ashtu si grekët, sikur të mos ishin gjermanofonët punëtorë e kursimtarë, që po u mundësojnë romandëve të jetojnë me dembelinë e tyre.

Duke shkruar kështu, Weltwoche i ka dhënë hapësirë një paragjykimi që ekziston në shtresa të ndryshme të debatit ndërzviceran.

Dhe, se paragjykimet janë “infektuese” dëshmohet edhe në sondazhin që ka bërë albinfo.ch me lexuesit e saj shqiptarë. Pyetja ka qenë: “A mendoni edhe ju sikur “Weltwoche” se Zvicra frankofone është më dembele se ajo gjermanofone?”.

53 për qind (187 veta) të pjesëmarrësve në sondazh janë përgjigjur me Po, 38% (134) me Jo dhe 8% (29) Pa mendim. Shumica pra janë në favor të klishesë!

Por ç`thonë ekspertët shqiptarë nga të dyja anët e “Röstigraben” lidhur me këtë fenomen dhe sidomos lidhur me jehonën që ai gjen te shqiptarët?

Hamit Zeqiri, sociolog dhe kryetar i qendrave profesionale për integrim në nivel të Zvicrës, e sheh në radhë të parë si një qëndrim të pamatur dhe “të papërshtatshëm” atë që del nga shkrimet e Weltwoche-s.  “Një medium serioz nuk do të guxonte të bënte këso kategorizime. Por, ndryshime në mes të dy regjioneve të Zvicrës, megjithatë ekzistojnë . Fjala vjen, raporti i qytetarit ndaj shtetit në Zvicrën perëndimore dallon nga ai në Zvicrën gjermane. Qytetarët në këtë regjion e perceptojnë se shteti është i detyruar të investojë më tepër në shërbimet publike. Kjo qasje në pjesën gjermane është ndryshe”, thotë Zeqiri.

Por ai shton se në temat e mëdha si: definimi i demokracisë, identifikimi me Zvicrën, liria e individualitetit etj. qëndrimet janë të njëjta, nga të dyja anët e “hendekut”.

Lidhur me reflektimin te shqiptarët dhe të huajt tjerë të gjithë kësaj, Zeqiri thotë se në Zvicrën frankofone ka një qëndrim më liberal ndaj të migracionit.

“Kur flasim për temën e integrimit, në Zvicrën gjermane konstatojmë më shumë tendenca për të marrë masa sanksionuese ndaj njerëzve që nuk tregojnë vullnet për integrim. Ndërsa në frankofoni janë shumë të kujdesshëm në këtë drejtim”.

Ndërsa Bashkim Iseni, doktor në politologji, hulumtues shkencor në Universitetin e Friburgut dhe drejtor i albinfo.ch ka botuar ditë më parë në lidhje me temën e iniciuar nga Weltwoche, një kolumne në gjuhën frënge dhe gjermane në PolitBlog.

“Secilit, romandët e tij” mban titullin teksti . Sipas Isenit, “sulmet më të reja të “Weltwoche-s” kundër romandëve (frankofonëve) të cilët i etiketon si “grekët e Zvicrës”, janë një shembull shkollor i retorikës populiste. Një retorikë e tillë ngrihet mbi fokusimin e klisheve dhe stereotipeve ndaj një grupi social. Ajo i vendos vetitë kulturore si shpjegim për çdo gjë, në vend të kërkimit të shpjegimeve të vërteta.

Konkretisht, populizmi i interpreton tiparet kulturore të pakicave si hendikepime ose provon që gjendjen e caktuar socioekonomike apo politike ta identifikojë si pasojë vetëm të kulturës, duke errësuar me këtë rast elementet tjera”, konstaton Iseni.

Iseni në artikull flet edhe për shabllonet e njëjta që partia e afërt me “Weltwochen” SVP-UDC ka përdorur edhe kundër komunitetit shqiptar të Zvicrës.