Lajme

Shqiptarët me 47.400 të natyralizuar në BE, të dytët pas marokenëve

Vendet e BE-së natyralizojnë gjithnjë e më pak të huaj. Sipas Eurostat, Suedia shfrytëzon më së miri potencialin e natyralizimit. Gjermania renditet vetëm nën vendin e 19-të.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian natyralizojnë gjithnjë e më pak të huaj. Në vitin 2018, janë natyralizuan rreth 672.300 njerëz, shkruan migazin.de. Kjo flet për një rënie të ndjeshme në krahasim me vitet e kaluara, transmeton albinfo.ch. Në vitin 2017 ky numër ishte 700,600, ndërsa një vit më parë ishte pak më pak se 844.000.

Kjo gjendje pasqyrohet në shifrat e Agjencisë Evropiane për Statistikë, Eurostat-it. Sipas kësaj, 13 për qind e personave të natyralizuar, më parë ishin shtetas të një shteti tjetër anëtar të BE-së.

Grupi më i madh i të huajve që kanë fituar nënshtetësinë e BE ishin marokenët (67.200 njerëz). 84 për qind e tyre fituan shtetësinë në Spanjë, Itali apo në Francë. Grupi i dytë më i madh ishin shqiptarët (47.400), përcjell albinfo.ch. Ata u natyralizuan pothuajse ekskluzivisht në Greqi ose Itali.

Në vendin e tretë ishin njerëzit nga Turqia (28.400), nga të cilët mbi 59 për qind fituan shtetësinë gjermane.

Siç është raportuar më tej nga Eurostat, me 116.800 natyralizime, Gjermania ka dhënë më së shumti pasaporta të veta në të gjithë BE. Kjo korrespondon me 17 për qind të të gjithë natyralizimeve në BE. Italia dhe Franca pasojnë, secila me rreth 110,000 dhe Spanja me 90.800 natyralizime.

Por, epërsia e Gjermanisë tregohet vetëm në shifrat absolute, falë numrit më të madh të banorëve dhe të të huajve që ka ky shtet në krahasim me shtetet tjera të BE-së, shkruan albinfo.ch. Ndryshe, Gjermania, marrë “për kokë” banori dhe të huaji, qëndron më poshtë se shumica e vendeve tjera evropiane.

Nga ana tjetër, potenciali për natyralizim shfrytëzohet më së miri nga Suedia në të gjithë BE-në. Atje janë natyralizuar 7.2 për qind e të gjithë të huajve. Pasojnë Rumania (5.6 për qind) dhe Portugalia (5.1 për qind). Në anën tjetër të shkallës janë Estonia dhe Republika Ceke, secila me një normë natyralizimi prej 0.4 për qind.

Mesatarja e BE-së është 2.1 përqind. Gjermania është nën mesataren evropiane, në vendin e 19-të, me shkallën e natyralizimit prej 1.4 për qind – pak përpara Bullgarisë dhe Sllovakisë.