Shqiptarët që ndajnë drejtësinë në Zvicër

Shqiptarët në Zvicër duhet t`i njohin më mirë të drejtat e tyre

“Roli i avokatit nuk është që t’i premtojë dikujt se ia zgjidhë problemin por një lloj ndihme juridike ndaj personave, të cilët kanë nevojë për një ndihmë të këtillë”, thotë avokati Trimor Mehmetaj

Trimor Mehmetaj është një avokat i ri, i shkolluar në Zvicër. Spektri i shërbimeve juridike që ai ofron në avokaturën e tij kryesisht ka të bëjë me të drejtën penale ekonomike, raste këto që konsiderohen si krime ekonomike. Megjithatë, ai në intervistën për abinfo.ch thotë se ka pasur edhe raste kur ka ofruar shërbime rreth çështjeve të pronësisë, trashëgimisë, shkurorëzimit, por edhe raste që kanë të bëjnë me përmbarimin publik. Një sferë tjetër ku po ashtu ai është mjaft aktiv ka të bëjë me të drejtat e të huajve dhe rregullimin e qëndrimit në Zvicër.

Albinfo.ch: A mund të na tregoni se si filloi karriera juaj si avokat?

Trimor Mehmetaj: Karrierën time si avokat e fillova në mënyrë pak si të pazakonshme. Pas përfundimit të shkollës së mesme, u regjistrova në studimet e mjeksisë. Në provimin e Drejtësisë mjekësore tregova sukses të shkëlqyeshëm, gjë që bëri që profesori i asaj lënde të më këshillojë se mbase do ishte më mirë t’i përkushtohem studimeve të drejtësisë. I inkurajuar nga profesori nga njëra anë, si dhe nga zhgënjimi për mjekësinë e cila nuk doli ashtu siç e kisha paramenduar në anën tjetër, vendosa ta ndërroj profesionin.

Albinfo.ch: Vendosët të ndërroni drejtimin, duke u orientuar në drejtësi. Si rodhën punët më tutje?

Trimor Mehmetaj: Gjatë studimeve, mu dha mundësia të bëja një praktikë dymujore te një avokat i cili më motivoi t’i përfundoj studimet, madje edhe magjistraturën për një periudhë të shkurtër. Ka pasur ditë kur kam pasur ligjërata prej herët në mëngjes e deri vonë natën me disa pauza të vogla. Ka qenë e tmerrshme por megjithatë ia dola. Nuk ishte diçka e paarritshme. Po ai avokat sot është jo vetëm koleg i imi por edhe njëri prej shokëve të mi më të mirë. Për të arritur këtu ku jam tani, vazhdova mbindërtimin tim profesional duke dhënë provimet e avokaturës dhe njëkohësisht, duke punuar përkohësisht si gjyqtar pranë Justice de paix de la Sarine. Pas përfundimit të provimit të avokaturës, gjatë periudhës 2014-2016, jam angazhuar si bashkëpunëtor pranë zyrës së avokatëve MCE Avocats, ku më vonë jam bërë edhe partner i kësaj zyre. Përvojën time e pasurova edhe më tepër gjatë punës për zyrën e avokaturës me seli në Lozanë, Friburg dhe Lokarno, Eigenmann Associés, në mënyrë që pastaj, si hap i ardhshëm dhe shumë i natyrshëm të jetë hapja e zyrës sime në Fribourg, me të cilën fillova me punë gjatë muajit qershor 2018.

Albinfo.ch: Një gjë me të cilën ballafaqoheni shpesh në punën tuaj është, siç shpreheni ju juridikisht, takimi me “personat me origjinë shqiptare” para autoriteteve juridike në aspektin civil edhe atë penal.” Si e shihni ju këtë punë?

Trimor Mehmetaj: Një problem të cilin do mund ta veçoja në këtë drejtim është mungesa e njohurive mbi të drejtat civile të cilat i gëzon kjo popullatë. Ata janë pjesë e popullsisë së Zvicrës dhe nuk përbëjnë asnjë dallim nga personat e tjerë që jetojnë në Zvicër. Shumica e personave me origjinë shqiptare vërtet kanë mungesë të informacioneve në lidhje me të drejtat e tyre civile para autoriteteve juridike. Këtij problemi do t`ia kisha shtuar edhe hezitimin ose frikën që e kanë ata për t’u informuar në lidhje me të drejtat e tyre civile, se mos vallë ashtu bien në sytë të autoriteteve si persona që nuk e respektojnë ligjin.

Albinfoch: Po çfarë mund të na këshilloni ju në këtë drejtim?

Trimor Mehmetaj: Hapi i parë që duhet bërë kur vjen një letër nga gjykata, nga ndonjë avokat ose nga ndonjë autoritet, është që në qetësi dhe pa panik, të përpiqemi ta kuptojmë saktë se kush e ka dërguar, për çfarë bëhet fjalë dhe ku mund të drejtohemi për ndihmë dhe këshillim. Duhet të kemi kujdes që të mos krijojmë panik, pasi që në një gjendje të këtillë personat nuk kanë mundësi të reflektojnë me gjithë kapacitetin e tyre mendor. Gjëja tjetër që duhet pasur kujdes është të shihet nëse ka afate të caktuara në këtë korrespondence. Afatet e tilla nuk duhet të anashkalohen kurrsesi. Afatet e këtilla nuk janë si puna e faturave, të cilat ia lejojmë vetes t’i paguajmë edhe më vonë. Afatet duhet të respektohen dhe nuk duhet të nënvlerësohen, sepse rezultojnë me shpenzime dhe dënime shumë të mëdha, edhe pse mund të ketë kaluar ndoshta vetëm një ose dy ditë. Hapi i fundit është që nëse vetë individi nuk mund ta zgjidhë rastin, të mos ketë turp të drejtohet për ndihmë dhe këshillia juridike. Kjo është hapësira ku avokati mund ta luajë rolin e vet. Për ta ilustruar më mirë këtë do ta përdor shembullin e të sëmurit edhe mjekut: Nëse një i sëmurë do të kishte turp të kërkojë ndihmë nga mjeku për sëmundjen e vetë, ai person do të provonte të shërohet vetë dhe si rezultat do mund të kishte pasoja më të rënda. Mjeku nga ana tjetër, si ekspert në atë fushë, do të ishte munduar ta ndihmonte që të vijë sa më shpejt në gjendjen e dëshiruar.

Albinfo.ch: Deri këtu elaboruat mbi raportin me autoritetet civile. A mund të na jepni vështrimin tuaj ndaj raporteve me autoritetet juridike në rast të shkeljes së ligjit penal?

Trimor Mehmetaj: Ligji penal si term është shumë i gjerë: duke filluar prej një gjobe të thjeshtë në komunikacion e deri te vrasjet e rënda. Diçka që kam vërejtur shpesh si avokat, janë rastet kur personi nuk e merr këtë çështje me seriozitetin më të madh, duke qenë i bindur se ka të drejtë dhe në këtë mënyrë, me veprimet e veta e vë veten në pozitë më të pavolitshme. Në raste të tilla do të propozoja për një këshillim me një avokat i cili duhet ta shohë dosjen, me qëllim të evitimit të hapave të gabuar. Në 90% të rasteve është policia ajo që e ka kontaktin e parë me të pandehurin dhe shpesh ndodh që i pandehuri të shkojë në seancë dhe mos të jetë plotësisht i vetëdijshëm se për çka bëhet fjalë. Prandaj sugjeroj që personat në fjalë të kenë shumë kujdes në këtë drejtim. Një fenomen tjetër të cilin do mund ta theksoja është numri mjaft i madh i personave, mes tyre edhe me origjinë shqiptare, të cilët kanë vështirësi për ta rregulluar çështjen e qëndrimit në Zvicër. Duke marrë parasysh se sa të ndërlikuara mund të jenë këto raste edhe këtu do të kisha sugjeruar një këshillim me ndonjë avokat. Është një çështje që shumë pak persona me origjinë shqiptare e kanë kuptuar – nuk ka më azil për shqiptarët nga Kosova! Kjo çështje ka përfunduar më 2009. Kjo është kështu për shkak se shteti kosovar ekziston dhe është i njohur nga shteti i Zvicrës. Megjithatë, një trend i ri i cili veçanërisht më gëzon, ka të bëjë me ndihmën juridike që e kërkojnë personat me origjinë shqiptare dhe e cila ndërlidhet me lejet e ndërtimit. Shpesh herë ndodhë që personat në fjalë janë aq mirë të informuar për të gjitha aspektet administrative sa që edhe nuk kanë nevojë të veçantë për ndihmë juridike.

Albinfo.ch: Si mund ta përmbledhni me disa fjali rolin e avokatit në Zvicër?

Trimor Mehmetaj: Roli i avokatit në Zvicër është ta këshillojë një person (qoftë fizik ose juridik), me qëllim të mbrojtjes së interesave të tij në mënyrën më të mirë. Roli i avokatit nuk është që t’i premtojë dikujt se ia zgjidhë problemin. Me fjalë tjera, puna e avokatit është një lloj ndihme juridike ndaj personave, të cilët kanë nevojë për një ndihmë të tillë.

Albinfo.ch: Cili është spektri i shërbimeve juridike me të cilat jeni më tepër i angazhuar?

Trimor Mehemetaj: Spektri i shërbimeve juridike në përditshmërinë time kryesisht ka të bëjë me të drejtën penale ekonomike, raste këto që konsiderohen si krime ekonomike. Megjithatë, kam pasur edhe raste kur kam ofruar shërbime të çështjeve të pronësisë, trashëgimisë, shkurorëzimit, por edhe raste që kanë të bëjnë me përmbarimin publik. Një sferë tjetër ku po ashtu jam mjaft aktiv ka të bëjë me të drejtat e të huajve dhe rregullimin e qëndrimit në Zvicër.

Albinfo.ch: A mund të veçoni ndonjë prej sfidave me të cilat ballafaqoheni si avokat?

Trimor Mehmetaj: Jam plotësisht i vetëdijshëm për aspektin financiar që e ngërthen ky profesion, si për atë që e kërkon shërbimin, ashtu edhe për atë që e ofron atë. Një keqkuptim me të cilin unë shpesh ballafaqohem është perceptimi se në momentin që avokati e merr lëndën, puna është e kryer dhe se kompensimi bëhet atëherë kur lënda të ketë përfunduar në favor të klientit, duke harruar që detyra e avokatit siç e përmenda edhe më lart, është t’i mbrojë interesat e klientit të vetë në mënyrën më të mirë. Kjo në anën tjetër, nuk nënkupton se rasti domosdoshmërisht do të përfundojë në favor të klientit përkatës.

Albinfo: Po në të ardhmen? Cilat janë planet tuaja?

Trimor Mehmetaj: Planet e mia për të ardhmen do t`i përmblidhja në një fjali: zhvillim i mëtejshëm i punës time. Me këtë nuk e përjashtoj edhe mundësinë e zgjerimit të zyrës dhe shërbimeve të mia, jo vetëm në Zvicër por edhe në Kosovë. Një gjë që do të kishte ndihmuar mjaft në këtë drejtim do të ishte lejimi i shtetasve të huaj të jenë pronarë të bizneseve të tyre në Kosovë, gjë që shpresoj se do të bëhet së shpejti.

 

 

 

 

 

 

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriTrimor Mehmetaj
  • Vendi ku vepron:Fribourg
  • Profesioni:Avokat
  • Kontakti [email protected]