Muzikë

Shqiptarët në Zvicër, në mes të suksesit në integrim dhe asimilimit

Në debat morën pjesë: Dr. Basil Schader, albanolog, Nexhat Maloku, kryetar i LAPSH, Hamit Zeqiri, punëtor social dhe Adem Dërmaku, piktor akademik

“Java e Kulturës Shqiptare në Zvicër”, një organizim i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, të shtunën, në ditën e dytë të saj pati në program debatin mbi “Historinë dhe aktualitetin e shqiptarëve në Zvicër”. Një panel me pjesëmarrës kompetentë, i drejtuar po ashtu me kompetencë nga moderatori Gëzim Hasanaj, hodhi dritë mbi temën e shtruar.

Në debat u paraqitën këndvështrime të ndryshme, në varësi nga profesioni dhe vokacioni i panelistëve, në përpjekje për të dhënë një “diagnozë” të gjendjes së komunitetit tonë këtu, shkruan albinfo.ch.

Në debat morën pjesë: Dr. Basil Schader, albanolog dhe pedagog shumëvjeçar në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut, Nexhat Maloku, kryetar i LAPSH-së “Naim Frashëri”, Hamit Zeqiri, punëtor social, udhëheqës i Qendrës për Migracion në Lucern dhe Adem Dërmaku, piktor akademik.

Çështjet që u shtruan për diskutim nga drejtuesi (njëherësh edhe pjesëmarrës) i debatit, Gëzim Hasanaj, kishin të bënin me historinë e vendosjes së shqiptarëve në Zvicër, fazat e zhvillimit të këtij komuniteti, integrimin e tij, perceptimin nga vendësit, shumësinë e identiteteve etj.

Hamit Zeqiri, gjendjen aktuale dhe të viteve të fundit të komunitetit shqiptar në Zvicër e sheh me sy shumë optimist. Sipas tij, shqiptarët këtu, kanë kaluar fazën e rëndë që kishin në mesin e viteve `90 të shekullit të kaluar, kur njiheshin për imazh jo të mirë. Me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e gjithanshëm të komunitetit, shqiptarët gradualisht po shkojnë drejt statusit të pjesës “normale” të shoqërisë zvicerane.

Këtu ai sheh ngjashmëri me komunitetin italian, i cili fazën e imazhit të keq e kishte kaluar në vitet 50-60 të shekullit të kaluar ndërsa tani, italianët, të integruar plotësisht në jetën shoqërore të këtushme, nuk dallohen nga zviceranët tjerë. Zeqiri i sheh edhe shqiptarët në një nivel të tillë, në një të ardhme të afërt. Por, ai përmendi me këtë rast edhe anën tjetër të medaljes, rrezikun e asimilimit që vjen në mënyrë të vetëkuptueshme me kalimin e disa gjeneratave.

Sipas tij, proceset si integrimi, diversifikimi i shoqërisë përmes dhënieve dhe marrjeve të ndërsjella ka bukurinë e vet por në një pikë në të ardhmen, të besojmë sa më të largët, asimilimi vjen si një proces i pashmangshëm.

Dr. Basil Schader si njohës i thellë dhe shoqërues për më se tri dekada i shqiptarëve (jo vetëm) në Zvicër, ka plotësuar parafolësin duke vënë në dukje se, mjerisht, në sytë e pjesës konservatore të zviceranëve, gjithnjë “duhet” të ketë një komunitet të cilit i vihet faji për të gjitha të këqijat në shoqëri. Kështu, së pari, “fajtor kujdestar” kanë qenë italianët, pastaj “Jugos”, më vonë shqiptarët dhe tani janë të tjerët, kryesisht të huajt nga Afrika Veriore etj. Por, ka tërhequr vërejtjen Schader, këtu kemi një “zhvillim trivial”, i cili ka “shpëtuar” shqiptarët nga roli i fajtorit kujdestar, pra ardhjen e flukseve të reja të refugjatëve nga Afrika, Azia etj.

Ngritja e shkallës së arsimimit të shqiptarëve në Zvicër, si një tregues për integrimin e tyre në shoqërinë e këtushme ka qenë po ashtu një çështje e ngritur nga drejtuesi i debatit, shkruan albinfo.ch. Panelistët, Schader, Zeqiri dhe Maloku janë pajtuar se, krahasuar me një kohë jo shumë të largët, niveli i shkollimit të shqiptarëve në Zvicër sot është shumë më i lartë. Por, megjithatë, siç kanë theksuar Zeqiri dhe Schader, në përpjesëtim me madhësinë e komunitetit, numri i studentëve por dhe i gjimnazistëve shqiptarë në Zvicër vazhdon të mos jetë i madh.

 

Nexhat Maloku, në cilësinë e kryetarit shumëvjeçar të LAPSH-së “Naim Frashëri”, në fjalën e tij është angazhuar më shumë lidhur me mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Ai ka konstatuar se, me gjithë angazhimin pothuaj vullnetar të personelit mësimor, përfshirja e nxënësve në mësimin plotësues ka shënuar ngecje ose edhe rënie. Shkaktarët e këtij zhvillimi jo të mirë, Maloku i sheh në mungesën e interesimit të prindërve por dhe në mungesën e mbështetjes së mësimit plotësues nga institucionet e vendeve të prejardhjes, shrkuan albinfo.ch. Ndërsa, me gjithë faktin se autoritetet zvicerane japin një ndihmesë në kuptimin e ofrimit falas të ambienteve dhe të materialeve të nevojshme për mësim, ato nuk kanë mbështetur integrimin e mësimit plotësues në sistemin arsimor të vendit. Si shembuj për një integrim të tillë, ai ka përmendur shtetet si Suedia, Austria dhe pjesërisht, Gjermania, ku mësimi plotësues në gjuhët e prejardhjes trajtohet sikur ai në gjuhën e vendit.

Schader ka ngritur më tej shqetësimin e bastardimit të gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar, që ai e konstaton, kryesisht në mediat sociale, të përhapura kaq fuqishëm sot. Ai e sheh këtë si rrezik për brezin e ri të shqiptarëve të Zvicrës për faktin se ata nuk lidhen me gjuhën standarde, atë të shkollës dhe leximit por me atë të rrugës. Kjo shton rrezikun e asimilimit të shpejtë të tyre pasi mungon referenca kulturore, baza që tregon lidhjen e vërtetë me gjuhën dhe kulturën e vendit të prejardhjes.

Pjesëmarrësi tjetër në debat, Adem Dërmaku, veç tjerash, ka folur për artistët shqiptarë që kanë treguar sukses në Evropën Perëndimore dhe pjesërisht edhe në Zvicër. Me këtë rast, ai ka veçuar si shembuj të depërtimit në kulturat e vendeve përkatëse dhe më gjerë, Adrian Pacin, Sislej Xhafën dhe Petrit Halilajn. Në ekranin e madh në prapavijën e panelit, publiku ka mundur të shikojë disa nga veprat më të njohura të këtyre tre artistëve.

Njëkohësisht në sallën ku është mbajtur debati, vazhdon të mbahet ekspozita me piktura e grafika të Adem Dërmakut dhe me fotografi të Rromir Imamit.

Pas përfundimit të debatit, dy muzicientë shkodranë , Rafael Lishi me akordeon dhe Ahmet Ujkashi, me klarinet, përmes një interpretimi virtuoz kanë shpalosur shumë perla nga muzika shqiptare e të gjitha trevave.

Në një ambient tjetër të qendrës ku po zhvillohet “Java…”, artisti i fotografisë, Rromir Imami ka hapur një studio te improvizuar në të cilën ka fotografuar dhe intervistuar shumë nga pjesëmarrësit në aktivitet.

“Java Kulturore Shqiptare në Zvicër” vazhdon sot, nga ora 16, me prezantimin e Shkollës Shqipe të Zvicrës (LAPSH). Ndërsa nga ora 16.30 fillon blloku i dytë, i prezantimit të librave të autorëve shqiptarë në Zvicër, si: Shaip Beqiri, Bujar Salihu dhe Shkumbin Gashi.

albinfo.ch është sponsor medial i Javës Kulturore Shqiptare në Zvicër.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI