Tematike

Shqiptarët të diskriminuar apo të vetëviktimizuar?

Sa janë shqiptarët të diskriminuar në vendin pritës dhe në vendin e prejardhjes

A janë shqiptarët të diskriminuar, në vendin pritës dhe në vendin e prejardhjes. Ku identifikohet ai dhe a (keq)përdoret ky diskriminim, nëse ekziston, edhe për mbulimin e mospunës sonë? Ishin vetëm disa nga pyetjet, të cilave një panel prej pesë ligjëruesve, u përpoq t`ua gjente përgjigjet, në një tryezë të mbajtur të premten që shkoi, në Volkshaus të Cyrihut.

Tubimin e ka shpallur të hapur, në cilësinë e organizatorit, kryetari i “Aktivistëve” shqiptarë të Sindikatës UNIA” të Cyrihut, Xhafer Sejdiu. Pas tij, moderatorja, aktorja e njohur Liri Lushi, fjalën ia ka dhënë bashkëkryetarit të UNIA-s për kantonin e Cyrihut, Remo Schadler. Ky i fundit ka lexuar një referat përmes të cilit ka njoftuar publikun për qëndrimet e sindikatës që përfaqëson dhe ka ftuar të pranishmit për të marrë pjesë në manifestimet e saj.

© albinfo.ch/Remo Schläder

Dr. Bashkim Iseni, politolog dhe drejtor i platformës albinfo.ch në fjalën e tij ka shfaqur pikëpamjet e tij mbi diskriminimin – dhe atë që e perceptojmë si diskriminim – të shqiptarëve në Zvicër. Iseni, konstatimin e përgjithshëm lidhur me gjendjen e komunitetit tonë në Zvicër e ka operacionalizuar duke identifikuar “hendeqet” mes popullatës zvicerane dhe asaj shqiptare.

Hendeqet dhe “shoku kulturor”

Duke shkoqitur këto hendeqe, ai është ndalur në vështirësitë që të rinjtë shqiptarë kanë për sigurimin e vendit për mësimin e zanatit (Lehre). Pastaj ka folur për sektorët e punës ku bëjnë pjesë shqiptarët (kryesisht sektorë më pak të vlerësuar) etj. Faktorë të tjerë si participimi politik i ulët, zotërimi i pamjaftueshëm i gjuhëve të vendit, shkalla e delinkuencës etj. ndikojnë së bashku, sipas ligjëruesit, në gjendjen jo shumë të mirë të mërgatës sonë. 

Diskriminimi nga segmente zvicerane, sipas Dr. Isenit është gjithsesi një faktor, por jo i vetmuar. Është për tu përmendur edhe dimensioni kulturor, problemet si “shoku kulturor” që pëson një pjesë e popullatës sonë (kryesisht rurale) me ardhjen në Zvicër etj.

Faktor tjetër i përmirësimit jo të shpejtë të gjendjes së komunitetit tonë është, sipas ligjëruesit, preokupimi me kauzën kombëtare në vendlindje. Që nga vitet tetëdhjetë deri në përfundimin e luftërave të fundit në Ballkan (Në Kosovë dhe në Maqedoni) shqiptarët e Zvicrës si preokupim kryesorë e kanë pasur kauzën kombëtare që lidhej me fatin e kolektivitetit të tyre në vendlindje, ka theksuar më tej Iseni.

Së fundi, mesazhi i tij ishte që shqiptarët duhet ti hikin logjikës së viktimizimit dhe të mendojnë për forma të veprimit që mundësojnë tejkalimin e vështirësive në rrugën e integrimit të mirëfilltë në Zvicër.

Shembuj “shkollorë” të diskriminimit

Albana Krasniqi-Malaj në ligjëratën e saj është marrë me fushat ku shqiptarët, bashkë dhe me të huajt tjerë, i nënshtrohen diskriminimit. Ajo është përqendruar në aspektet e shumta të diskriminimit që i nënshtrohen shqiptarët. Si shembull më të freskët znj. Krasniqi ka përmendur sigurimet shoqërore, gjegjësisht përjashtimin vetëm të Kosovës nga veprimi i marrëveshjes për pensionet zvicerane të invaliditetit.

Shqiptarët, bashkë me të huajt tjerë, janë të diskriminuar edhe në sferën e sigurimit të makinave. Në këtë pikë, znj Krasniqi-Malaj ka argumentuar duke sjellë shifra fare konkrete dhe lehtë të verifikueshme përmes të cilave konstatohet diskriminimi i atyre që nuk kanë pasaportë zvicerane, me rastin e sigurimit të veturës.

“Nga krahasimet e bëra në mes të kompanive të ndryshme të sigurimit të automjeteve rezulton se të huajt, shpesh paguajnë deri në dyfishin e shumës që paguajnë vendësit”. Sektor tjetër ku të huajt janë të diskriminuar sipas Albana Krasniqit është vendimi (i marrë edhe me votim gjithëpopullor)  për dëbimin e të huajve me dosje krimi.

Perspektiva: një organizatë çati e asociacioneve shqiptare në Zvicër

Osman Osmani, përgjegjës i seksionit për Evropën Juglindire në kuadrin e sindikatës UNIA, ka trajtuar temën “Perspektivat dhe rrugëdaljet e mundshme: shembuj konkretë e praktikë”. Osmani këtu ka rrahur një aspekt të veçantë të problemit: atë se a është faktorizimi i komunitetit tonë këtu një proces që duhet ta funksionalizojnë vetë migrantët, apo e gjithë puna duhet të bëhet nga vendi mikpritës dhe nga vendet e prejardhjes.

Pasi ka konstatuar se një ndihmesë nga vendet e prejardhjes nuk është e pritshme (veç tjerash për mungesë mjetesh dhe mungesë njohjeje të gjendjes), Osmani vjen në përfundimin se barra e organizimit dhe faktorizimit u mbetet vetë mërgimtarëve.

Në këtë kontekst ai ka përkujtuar se “jemi dëshmitarë edhe të proceseve në zhvillim e sipër për të krijuar subjekte si Unioni i Studentëve apo me karakter profesional si ajo e shkrimtarëve në mërgatë, të profesionistëve shëndetësore, juridikë, kulturorë, etj. Mbetet për të uruar që të gjitha këto të ndërlidhen në një federatë asociacionesh të mërgatës shqiptare në Zvicër, si çati për përfaqësim të komunitetit tonë”, ka thënë veç tjerash Osman Osmani.

Ndërsa Faton Topalli, veprimtar politik dhe punëtor social, ka marrë për trajtim diskriminimin, gjegjësisht mungesën e vlerësimit që u bëjnë institucionet e vendit të prejardhjes (kryesisht ato kosovare) pjesës së popullatës që jeton jashtë vendit. Ai me këtë rast ka numëruar fushat ku mërgimtarët kanë dhënë kontributin e tyre dhe i u ka vënë atyre përballë të gjithë mosmirënjohjen dhe  papërgjegjësinë e institucioneve kosovare për gjithë sakrificën e mërgatës. Topalli i është drejtuar edhe Parlamentit të Kosovës, që, sipas tij duhet të ndryshojë kushtetutën dhe ligjet e caktuara, për tu mundësuar, ndër të tjera, bashkatdhetarëve jashtë vendit pjesëmarrjen në zgjedhje.

©albinfo.ch / Xhafer Sejdiu

Debat i pasur dhe publik i pakët

Orhan Spahiu, ka mbajtur një fjalë spontane në emrin e shoqatës “Studenti” të studentëve shqiptarë të dy universiteteve të Cyrihut dhe të shkollave të larta që funksionojnë në Cyrih. Ai ka vënë në pah një avancim të vetëdijesimit të shqiptarëve të Zvicrës për shkollimin e fëmijëve të tyre, por gjithashtu ka folur për problemet që vazhdojnë të paraqiten në këtë drejtim. Diskriminimi, i cili sigurisht ekziston, nuk duhet të bëhet mbulesë edhe për mosangazhimin tonë, ka thënë veç tjerash Spahiu.

Pas fjalëve të mbajtura është zhvilluar një debat i pasur, me ç`rast pjesëmarrës nga publiku kanë shtruar pyetje (dhe më shumë kanë komentuar) lidhur me temën e hedhur në debat, diskriminimin e shqiptarëve nga vendi pritës dhe nga vendet e prejardhjes.  

Ajo që u vu re edhe në këtë tryezë, ishte pjesëmarrja jo e madhe e publikut. Ndërsa, siç u konstatua më se një herë, nuk kishin ardhur ata që kanë më shumë nevojë për mësimet që dalin nga bashkëbisedime si kjo. Ndërkohë që, pjesëmarrësit ishin kryesisht njerëz aktivë në jetën shoqërore të shqiptarëve të këtushëm.