Lajme

Shqiptari nga diaspora, kampion në “Kansas Open”

Enea Lapa është shqiptari i parë që u shpall kampion në “Kansas Open”

Me punë e angazhim individual, çdokund në botë mund të dalin sportistë, studiues, artistë e madje shkencëtarë kulminantë.

Por ajo që ndodhi me shqiptarin nga diaspora dhe me rezultatet e tij në sportin “Brazilian Jiu Jitsu”, nuk janë aksidentale. Ato janë fryt i punës së vazhdueshme, sistematike e konsistente të një sportisti të madh dhe luftarak, siç është kampioni Enea Lapa, shkruan albinfo.ch.

Bëhet fjalë për sportistin me origjinë nga Saranda, i cili tani jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara. Ai po ngjitet drejt majave të këtij sporti dhe është shpallur zyrtarisht fituesi absolut, kampion në Kansas Open, duke u renditur i pari në të gjitha peshat.

Por, jo vetëm kaq! Enea Lapa ka garuar edhe në “Miami Open”, ku tregoi përgatitje dhe sukses të madh, duke marrë çmimin e tretë më të mirë në këtë garë.

Edhe pse sakrificat gjatë këtij rrugëtimit nuk kanë qenë të lehta, dëshira dhe ëndërra e tij për të pasur sukses dhe për të triumfuar kanë qenë të mëdha.

Vlen të theksohet se edhe shteti i Shqipërisë njohu këtë sport për herë të parë nga profesori i quajtur Dorjan Lapaj, i cili me mjeshtërin që e ka dhe me dijet e tij që transmeton në gjithë ekipin e Shqipërisë, çdoherë e më shumë po sjell suksese në këtë fushë sporti relativisht të re.

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë me Enea Lapën:

 

Albinfo.ch: Së pari na trego rreth vendlindjes tuaj, ku keni lindur në Shqipëri, ku i keni marrë hapat e parë të shkollimit, jeta juaj në përgjithësi? 

Më quajnë Enea Lapa, jam 29 vjeç dhe vijë nga qyteti i Sarandes. Si çdo femijë i atij brezi edhe une dhe familja ime emigruam nga Shqiperia për 5 vjet në Greqi. Gjimnazin e kam përfunduar në Sarande pasi familja vendosi të ktheheshim në vendlindje deri sa unë vendosa të shpërngulem pastaj në SHBA.

 

Albinfo.ch: Cilat kanë qenë disa nga aktivitetet më të shpeshta gjatë periudhës sa ju ishit në Shqipëri?

Sigurisht pasi që unë vijë nga një vend bregdetar, noti ka qenë  një nga aktivitetet primare krahas vrapimit dhe ciklizmit. Gjithashtu  edhe deshira për kamping ishte gjithmonë pasi që ky ishte nje aktivitet i shpeshtë  i imi dhe  i gjithë shoqerisë.

 

Albinfo.ch: Në çfarë moshe emigruat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Në Shtetet e Bashkuara emigrova në moshën 26-vjeçare.

 

Albinfo.ch: Sa ishte e vështirë të ambientoheni në SHBA dhe çfarë hapa keni ndjekur atje?

Në fillim kishte vështirsi mirëpo duke ditur gjuhen angleze më ndihmoi shumë të ambientohesha më shpejt me mënyren e jetesës atje. Fillimisht ndoqa studime për trajner personal. Por fokusi kryesor ishte Jiu jitsu, pasi  kjo ishte ëndrra ime që në fillim kur erdha në SHBA.

 

Albinfo.ch: Na flisni rreth sportit të cilin po triumfoni, si quhet ky sport dhe kush ishte mbështetësi kryesor juaj?

Brazilian Jiu Jitsu eshte një art marcial i cili lindi në Brazil si shkak i emigrimit të një mjeshtri Japonez që dy prej nxënesve të tij (Helio dhe Carlos Gracie) bënë disa modifikime të artit për ta bëre më të thjesht dhe më efikas. Jorge Santiago, ka qenë kontakti i parë për këtë sport. Akademia e tij (xcell jiu jitsu) u bë shtëpia ime e dytë. Me mbështetjen e tij ai nuk është thjesht një profesor për mua por një frymezim për të arritur majat e këtij sporti. Patjetër, shokët e skuadrës kanë luajtur rol kryesor duke më kanë  mbështetur në çdo hap timin.

 

Albinfo.ch: Rrugëtimi juaj në këtë sport, sa ishte i vështirë dhe në çfarë sakrifica kaluat?

Ka pas momente të vështira gjatë stërvitjes sigurisht, ditë që mendon se duhet të dorezohesh dhe të fokusohesh në drejtimet e tjera të jetës, por pa sakrifica nuk ka arritje. Gjithashtu nuk është e lehtë kur punon  me orë të zgjatura dhe pasataj duhet  të stërvitesh pas pune. Çfarë po mësoj gjatë rrugëtimit tim në këtë sport është se duhet të jesh i qetë në momentet kur duhet të bësh zgjedhje.

 

Albinofo.ch: A kishit mbështetje nga shteti i Shqipërisë për këtë lloj sporti?

Nuk pata ndonjë mbështetje përveç nga sponsoret e mij, do të ishte një nder për mua nëse një ditë do ta kem atë mbeshtetje.

 

Albinfo.ch: Cilat kanë qenë disa nga të arriturat tuaja gjatë përvojës sa keni ushtruar në këtë sport?

Fillova të stërvitem që prej vitit 2016 (kur erdha në SHBA për herë të parë) dhe kam konkuruar shpesh. Gjatë kësaj periudhe, kam pasur disa humbje, disa rënditje në vendin e tretë dhe rezultati me i fundit ishte vend i parë në të gjitha peshat në Kansas Open. Këto rezultate si humbjet dhe vendet e treta nuk më shqetësojnë për arsye se pretendoj të jem pjesë e kampionateve për kohë të gjatë dhe ëndrra ime është që një ditë të bëhem Kampion Bote.

 

Albinfo.ch: Së fundi jeni renditur në vendin e parë në Kansas Open për sportin e Brazilian Jiu Jitsu, na trego më shumë rreth këtij suksesi (sa shtete ishin pjesëmarrëse në garë)?

Në këtë kampionat marin pjesë sportista nga e gjithë Amerika, por pjesemarrja e vendasve është e dalluar.  Ne peshën time dola  në vend të tretë për arsyen se në ndeshjen time të dytë u skualifikova pa asnjë paralajmerim siç duhej bërë, për një lëvizje që së fundmi e kanë nxjerë në rregulloren të palejueshme. Pas kësaj, kush zë vend në podium regjistrohet për të gjitha peshat. Aty pata tri ndeshje jo të lehta, dy prej tyre me finalizim dhe finalen me pikë.

 

Albinfo.ch: Sa jeni i lidhur me vendin e lindjes dhe sa shpesh e vizitoni?  

E adhuroj vendlindjen time, nuk ishte i lehtë largimi im, por mundesitë ishin arsyeja kryesore. Edhe pse larg e kam pasur gjithmonë mbështetjen dhe besimin nga e gjithë familja ime dhe nga shoqëria.