Bota

Shumë refugjatë analfabetë në Gjermani

Shumë refugjatë analfabetë që kanë ardhur në Gjermani kanë vështirësi të mësojnë gjermanishten

Shumë refugjatë janë analfabetë në Gjermani dhe për këtë është e shqetësuar Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF).

Sipas saj shumë refugjatë analfabetë që kanë ardhur në Gjermani kanë vështirësi të mësojnë gjermanishten, raporton “Deutche Welle”.

Në bazë të dhënave të BAMF-it, më shumë se 80 përqind e këtyre refugjatëve nuk arrijnë nivelin e gjuhës B1, që konsiderohet prej qendrave të punës dhe agjencive të punësimit si kërkesë minimale për të gjetur një vend pune si ndihmës ose për të filluar një shkollë, përcjell albinfo.ch.

Ndër më të dobëtit janë refugjatët analfabetë nga Eritrea dhe Iraku, sipas gazetës gjermane “Bild am Sonntag” që mbështeten tek informacionet e Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF).

Gjithnjë sipas këtyre të dhënave, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2017 në kurset e posaçme për analfabetët që organizon BAMF-i kanë marrë pjesë 43.000 vetë, pra rreth 10 përqind më tepër krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe pse kushtet janë shumë të mira, katër nga pesë prej tyre flasin aq keq gjermanisht sa nuk kanë asnjë perspektivë për të gjetur një vend pune ose për të marrë pjesë në një kurs profesional.