Lajme

Si u vodhën 2.1 milionë euro nga buxheti i Kosovës?

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë një raportimi të enjten para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se transferimi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer pasuordet”, tha Bajrami.

Sipas saj transaksioni prej mbi 2 milionë eurove, është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka, shkruan rel, transmeton Albinfo.ch.

Për këtë transaksion ka shtuar Bajrami, nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka deklaruar ajo.

Lidhur më këtë rast Policia e Kosvës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati.

I arrestuari është L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.