Opinione

Siguria, mbrojtja e Kosovës dhe diaspora

Derisa jam në pushime, për disa ditë po qëndroj në Champex Lac, një vend i përdhelur nga natyra me bjeshkët e mbuluara me pisha të gjata, me një liqen që shpesh dimrit ngrihet, i cili bën që shumë turistë të përfitojnë e të ndiejnë kënaqësinë të ecin mbi të. Sot pata fatin të ec mbi liqen të ngrirë dhe të ndiej zhurmën që shpërndante. Në këtë ndjenjë të përcjellë edhe me frikë, ashtu m’u kujtua shprehja «Lumi fle, armiku nuk fle». Buzagaz vazhdova rrugën, duke u zhytur në thellësinë e bjeshkëve dhe në reflektimin e borës, isha i kënaqur që kisha ecur pa ndier hapat e mi pothuaj një orë dhe vendosa të kthehem e të pi një kafe në restorantin që e preferoj më së shumti… Në fakt, prej shumë restoranteve që gjenden në Champex, nuk e di pse, po restoranti që e ka emrin ‘Gentiana‘ më tërheq më së shumti për kafe!

Para se të shkoj në pushime, i kisha dhënë vetit detyrë që të mos lexoj gazetat në internet, që të jem i shkëputur së paku disa ditë nga informatat e shumta.

Rezistova dy ditë pa lexim në internet, po ja që sot forca e informatës ishte më e fortë se unë dhe sapo u ula në kafene, ende pa porositur, fillova të shikoj faqet e ndryshme të gazetave në gjuhën frënge dhe shqipe. Dhe, dihet ç’forcë tërheqëse kanë gazetat në Kosovë që prijnë me lajme që nuk mund t’i anashkalosh… Ajo që bie në sy sapo konsultoj këto informata janë lajmet nga kronika e zezë për fatkeqësitë e komunikacionit që marrin jetë… Më nuk flitet për raste të izoluara, po kemi të bëjmë me fenomen që shoqëria shqiptare është duke u përballur dhe thirrjet e ndryshme që nuk po japin rezultate… Kur kemi të bëjmë me sigurinë e qytetarit, nuk kemi nevojë të marrim kritere dhe parametrat zviceranë, po mund të marrim shembull nga «teoria e dritares së thyer – Broken Windows», e cila bazohet në faktin që një dritare e thyer, nëse nuk zëvendësohet shpejt, bën që edhe dritaret e tjera të pathyera, të thyhen, si thirrje për tolerancë zero… Kritere që shërbejnë për të matur sigurinë e qytetarit zviceran, për momentin as nuk bëhet fjalë të përdoren në Kosovë.

Fatkeqësisht …

Për shembull, si kriter për sigurinë e cilësisë të qytetarit zviceran, ndër të tjera, është edhe ndriçimi sa më i mirë i lagjeve dhe parqeve të qyteteve, e ky kriter dihet që nuk mund të futet në Kosovë, se pjesa më e madhe e qytetarëve kanë reduktime të rrymës elektrike…

Por, kur marrim gjithë numrin e viktimave të fatkeqësive të komunikacionit, ajo që duhet të bëhet sa më shpejt për të shpëtuar jetë, organet gjegjëse dhe e gjithë shoqëria në Kosovë duhet të koordinohen për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, së paku për një periudhë kohore të caktuar…

Pa harruar fenomenin e aksidenteve të komunikacionit, lexoj lajmin që presidenti serb ishte viktimizuar edhe një herë për faktin që zv.presidenti i Parlamentit Evropian bën homazhe te varri i Adem Jasharit, si formë për të treguar që politika e tij është vazhdim i politikës të Milosheviqit. Pa e mbaruar fare deklaratën e Vuçiqit, m’u kujtua shkrimi i Andrea Nativi, redaktor i revistës italiane të mbrojtjes RID, që kishte botuar një shkrim për praninë e forcave serbe në Kosovë në gazetën «Golias» në vitin 1999, faqe 42-46. Sipas zotit Nativi, forcat serbe të pranishme në Kosovë gjatë kësaj periudhe kishin: forca speciale të policisë, 10000 persona, forca antiterrorriste, 1000 persona, forca ushtarake, 40 000 persona dhe pa përmendur forca paraushtarake të përbëra nga serbët vendës mbi 30 000 persona. Këto forca ishin radhitur në formë të patkoit dhe nëse shohim tani, këto forca janë ende të radhitura në atë formë në tërë vijën kufitare me Kosovën…

Informatat për luftën e Kosovës ishin si përgatitje për mua për vizitën në mbrëmje që bëra në bunkerin e artilerisë në Champex. Bunker me potencial të strehimit të 300 ushtarëve, me kapacitet të zjarrit të shumë topave të kalibrave të ndryshëm. Ndërtimi i këtij bunkeri kishte filluar në vitin 1943 si përgatitje për mbrojtjen gjatë Luftës së Dytë Botëror dhe ishte aktiv deri në vitin 1994, kur u konsiderua që me rënien e murit të Berlinit qasja për politikën mbrojtëse të Zvicrës kishte ndryshuar. Zvicra ishte në situatë të ketë përgatitje të tillë mbrojtëse që të ndërtojë anembanë territorit të saj strehimore e bunkerë me karakter luftarak, se kishte dekada që nuk i ishte ekspozuar drejtpërdrejt luftës. Me vizitën time në këtë bunker, nuk munda të mos kujtoj pjesëmarrjen e diasporës në luftën e Kosovës. Diaspora shqiptare me dashuri për Kosovën, që kishte shijuar lirinë e vendeve pritëse, ku referencat për funksionimin e shtetit demokratik, ishin pikëreferim për Kosovën.

Kosova, e tëra e marrë peng, as forca të shumta serbe nuk e frikësuan Familjen JASHARI që u bë simbol i luftës dhe lirisë së Kosovës. Familja JASHARI, simbol i forcës së shqiptarëve që lufta për liri ishte më e fortë se gjithë armatimi dhe prania e madhe e ushtarakëve dhe paramilitarëve të veshur me petka e me nofka të kafshëve të ndryshme….

Vizitoj depon e armëve, dhomën e ushtarëve, pikat e zjarrit, komandën e bunkerit, njësitë e komunikimit, të ushqimit, të energjisë, etj. Dhe ky konfigurim i funksionimit të bunkerit më jep vizionin e Ushtrisë së Kosovës, që në misionin dhe radhitjen e vet të ketë vend për pjesëtarët e diasporës, si pjesë e pandarë e Kosovës.

Shoh se vizitorët zviceranë me shumë kureshtje dhe me krenari përcillnin ciceronin e bunkerit, e kjo krenari e vizitorëve më bëri të mendoj duke dalë nga bunkeri që sa më shumë të forcohet siguria e qytetarëve të Kosovës, aq më shumë do të forcohet mbrojtja e Kosovës…