Portrete të firmave

Sjell në Zvicër shtëpi të gatshme druri nga Shqipëria

Shtëpitë e ndërtuara prej druri janë projekte që konstruktohen, gëdhenden e montohen në Shqipëri, pastaj çmontohen dhe të paketuara vijnë te kompania Rag-Immo në Zvicër

Shtëpitë shqiptare nuk janë më të panjohura në Zvicër. Ato po shtrihen në lagje zvicerane si produkt i së ardhmes që garantojnë një cilësi të lartë të kushteve për jetë më të mirë ekologjike. Shtëpitë shqiptare kanë një kosto më të ulët ndërtimi, janë më të qëndrueshme ndaj fatkeqësive natyrore dhe garantojnë shpenzime dukshëm më të ulëta për ngrohje dimërore.

Shtëpitë e ndërtuara prej druri janë projekte që konstruktohen, gëdhenden e montohen në Shqipëri, pastaj çmontohen dhe të paketuara vijnë te kompania Rag-Immo në Zvicër.

“Çdo gjë bëhet gati në Shqipëri, dritaret i marrim nga Kosova dhe kur gjithçka të jetë paketuar, shtëpitë transportohen në Zvicër” shprehet Sherifi. Në Shqipëri ai ka një fabrikë me shokun e tij nga Gjermania Afrim Sejdiun që prodhon shtëpi druri ekskluzivisht për firmën Rag-Immo.

“Gjatë këtij viti Rag-Immo ka pasur një qarkullim te mjaftueshëm vjetor”, thotë Rahmiu, i cili anagzhon një numër të madh firmash shqiptare dhe zvicerane për t`i kryer punët.

Ka ndërtuar një lagje të tërë me shtëpi druri

Shtëpitë prej druri të kompanisë Rag-Immo, shiten qysh në fazën e parë të projektit.

Sivjet ka ndërtuar një lagje të tërë me shtëpi prej druri dhe të gjitha i ka shitur në fazën e parë të projektit, kryesisht klientëve zviceranë.

“Shumica e punëve sanitare, rrymë, lyerje dhe pjesë të tjera dekorative, kopshti e tjera, bëhen nga firma të shumta shqiptare”, tregon Sherifi.

Konstruimi dhe përgatitja e shtëpive bëhët nga firma “Futura Wood”. Kjo kompani ka një përvojë të suksesshme të ndërtimit të këtyre shtëpive dhe eksporton shtëpi të gatshme, sipas porosive edhe në vende të tjera. Vetëm në Gjermani janë ngritur mbi 100 shtëpi të eksportuara nga kompania durrsake „Futura Wood“.

„Dallimi i këtyre shtëpive është se janë natyrale, shtëpitë e drurit janë diçka e njëjtë sikur ushqimi bio“, na thotë Sherifi.

Ekoficienti për kursimin e energjisë sillet dikund 50% më pak energji për ngrohje gjatë sezonit dimëror dhe dukshëm më rezistente ndaj termeteve se shtëpitë e tjera.

Këto shtëpi, kompania Rag-Immo i ofron në treg si „Minergiehaus“ dhe janë fjala e fundit e zhvillimit të teknologjisë në kursimin e energjisë.

Shtëpi që shpenzojnë 50% më pak energji

“Produktet tona janë vlerësuar nga organet komunale të ndërtimeve si produkte që ofrohen rreth 20% më lirë në tregun për shitjen e shtëpive të gatshme për banim dhe njëkohësisht shpenzojnë rreth 50% më pak energji për ngrohje dimërore. Veç kësaj, ato janë më të sigurta në raste tërmeti sepse druri lëvizë kurse betoni çahet”, thotë Sherifi.

Ndryshe, tregon ai, këto shtëpi nuk janë vetëm të bukura për t`i parë nga jashtë, detajet më mahnitëse klientët tanë i gjejnë përbrenda, siç është ekskluziviteti i shkallëve të drurit që janë mrekulli punëdoreje nga druri amerikan.

Ky ekskluzivitet shqiptar vjen në tregun zviceran të patundshmërive si rezultat i punës profesionale të drejtuesit të kompanisë, Rahmi Sherifit. Kompania ka zyrat e saj në Rorschach, ku përveç që ofron shtëpi prej druri me një kosto më të ulët se shtëpitë tjera, ofron edhe objekte banesore për banorët e regjionit të Zvicrës lindore.

Atdhedashuria si motiv

“Kompania Rag-Immo është një biznes familjar. Për punët administrative kujdesen gruaja ime Luljeta dhe vajza ime Nora, e cila është dora e djathtë për mua“, tregon Rahmiu, i cili si 14 vjeçar ka emigruar në Zvicër dhe me sukses ka vijuar mësimet deri në shkollimin profesional të drejtimit polimekanik, vizatues teknik dhe vegëltar i makinerisë. Për 20 vjet ai ka punuar pa ndërprerje duke qenë dhe instruktor i nxënësve që merrnin zanatin.

Historia e suksesit të djalit preshevar që ngre shtëpi druri në Zvicër, të sjella nga Shqipëria, është e motivuar nga atdhedashuria. Apo, siç e thotë ai, “për t’u treguar zviceranëve se edhe ne dimë të bëjmë gjëra të mira”.