Lajme

Skandaloze: ‘Grupi i Karaçevës’ kontrabandoi kafshë të sëmura për ushqim të kosovarëve

Në mesin e një sërë veprash penale “Grupi i Karaçeva” akuzohet edhe për kontrabandim të kafshëve të sëmura, të cilat paraqesin një rrezik potencial për sigurinë e përgjithshme shoqërore.

Në dosjen e Prokurorisë për rastin Karaçeva, të cilën ka arritur ta sigurojë Insajderi, thuhet se zyrtarët policorë të përfshirë në këtë grup kriminal, në mënyrë sistematike kanë kontrabanduar kafshë të sëmura dhe mallra të tjera, të cilat janë futur përmes Serbisë në territorin e Kosovës, shkruan Insajderi, përcjell Albinfo.ch

“Duhet potencuar se veprimet e të dyshuarave përveç që kanë dëmtuar në aspektin financiar buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës dhe përfitimeve që ju ka sjellë të dyshuarve, në rastin konkret konsiderojmë se kontrabandimi i këtyre kafshëve në formën e tillë paraqet rrezik potencial për sigurinë e përgjithshme shoqërore”, thuhet në dosje.

“Tregtimi i këtyre kafshëve (ka pasur rast që janë transportuar edhe gjedhe të sëmura…) nëpër tregjet e Republikës së Kosovës dhe shndërrimi i tyre në produkte të konsumit të gjerë pa ju nënshtruar fare një kontrolle strikte nga institucionet përkatëse sipas standardeve në fuqi, mund të jenë sa të dëmshme për shëndetin po edhe fatale për shoqërinë tonë”, theksohet mes tjerash në dosjen e Prokurorisë.

Insajderi ka mësuar edhe mënyrën se si është kryer kontrabandimi i kafshëve dhe nëpër cilat qytete është bërë shpërndarja e mishit, potencialisht të prishur pasi që nuk ka pasur ndonjë kontroll striktë.

“Kafshët e kontrabanduara në rrugë ilegale fillimisht i kanë futur në rajonin e Kamenicës nëpërmjet vijës kufitare me Serbinë duke i bartur me kamion, traktor apo edhe në këmbë dhe më pas distribuimin e tyre e kanë bërë gjithashtu me automjete transportuese duke i dërguar nëpër thertore po edhe fabrika për prodhimin e produkteve të mishit nëpër qendra të ndryshme të Republikës së Kosovës si Gjilan, Prizren, Gjakovë, Suharekë, Podujevë, Prishtinë…”, vijon tutje.

Skandaloz është fakti që edhe bizneset, të cilat janë furnizuar nga ky rrjet kanë qenë të informuar për mënyrën e shpërndarjes së mishit, dhe të njëjtin e kanë shpërndarë në forma të ndryshme për konsum të qytetarëve.

Dosja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, shpalos gjithë organizimin e kontrabandës me mallra, organizimin e skemave piramidale e bixhozit të paligjshëm, në rastin Karaçeva. Në këtë aksion të madh të Njësisë Speciale të Policisë dhe Inspektoratit Policor, në Karaçevë të Kamenicës në zonën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, u arrestuan gjithsej 33 persona përfshi këtu edhe zyrtarë policorë që në forma të ndryshme kishin ndihmuar këtë krim e po ashtu ishin edhe pjesë e tij. Për 30 nga ta Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar paraburgim në afat prej 30 ditësh.