Futboll

Sonte Kosova përballë Shqipërisë

Ndeshja e parë zyrtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Takimi do të zhvillohet sonte, në orën 19:00, në “Elbasan Arena”

Shqipëria U-21 dhe Kosova U-21 do të përballen për herë të parë kundër njëra-tjetrës.

Takimi zhvillohet nga ora 19:00 në Elbasan, në kualifikimet për Evropian.

Trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi, ka folur para ndeshjes. “Nuk kemi asnjë lloj ndjesie ekstra, thjesht është një ndeshje e radhës për ne. E kemi përgatitur mirë. Gjëja pozitive është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion. Kemi bërë atë lloj strategjie, që do e shprehim nesër në fushë, për të mundur ekipin e Kosovës. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi ynë”, është shprehur Bushi.

Edhe në kampin e Kosovës atmosfera është e mirë, derisa ka një optimizëm të madh për një rezultat pozitiv.

Futbollisti Qëndrim Kamberaj foli para ndeshjes. “Për mua ky është grumbullimi i parë dhe jam pritur shumë mirë nga bashkëlojtarët. Ndihem shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës, këtu ekziston një harmoni shumë e mirë brenda ekipit, ku disa prej lojtarëve i kam njohur edhe më parë, pasi luajmë së bashku në Zvicër. Shpresoj që gjatë kësaj periudhe t’i tregoj vlerat e mia dhe të më jepet mundësia edhe për lojë, por me rëndësi është që ekipi të luajë mirë dhe t’i marrë tri pikët kundër Shqipërisë”, theksoi futbollisti që luan në Zvicër.