Integrimi

SRF: Sa janë migrantët pjesë e politikës zvicerane? Shembulli i shqiptarëve

Në sport, në kulturë apo në biznes: emigrantët janë të përfaqësuar mirë kudo – por ende jo në politikë. Per çfare arsye? Duke përdorur shembullin e diasporës me origjinë shqiptare, SRF tregon se çfarë nuk po ecën ende mirë

Transmetuesi Publik në gjuhën gjermane, SRF, në një emsion radioje dhe në portalin e tij (me shkrim) është marrë gjerësisht me pjesëmarrjen e të huajve në politikën zvicerane, duke vënë fokusin te komuniteti i këtushëm shqiptar, shkruan albinfo.ch. Përse pjesëmarrja në zgjedhje, e shqiptarëve të natyralizuar (me pasaporta zvicerane) është kaq e ulët? Kjo është njëra ndër pyetjet që shtron srf dhe të cilës përpiqet t`ia gjejë përgjigjen duke marrë mendimin e vetë shqiptarëve të angazhuar politikisht dhe të studiuesve të kësaj fushe.

Në vazhdim, artikulli i përkthyer nga Albinfo.ch, me pak shkurtime.

Në sport, në kulturë apo në biznes: emigrantët janë të përfaqësuar mirë kudo – por ende jo në politikë. Per çfare arsye? Duke përdorur shembullin e diasporës me origjinë shqiptare, SRF tregon se çfarë nuk po ecën ende mirë.

Në kompleksin sportiv Eichrain, Zurich Seebach, të enjten në mbrëmje: futbollistët e FC Albania kalojnë në dhomat e zhveshjes për stërvitjen e tyre javore. Normalisht këtu flitet për sport. Por sot bëhet fjalë për politikë. Është fillimi i shkurtit – pak para zgjedhjeve kantonale të Cyrihut (koha kur është realizuar emisioni, v.j.).

Anëtari i bordit të klubit, Ylli Doko merr fjalën dhe u bën thirrje futbollistëve të votojnë, transmeton albinfo.ch. Sigurisht që 30-vjeçari Doko nuk e bën ashtu thjesht këtë thirrje për të votuar. Ai është kandidati i FDP-së për Parlamentin Kantonal të Cyrihut. Edhe Agron Beqiri, trajneri i FC Albania, është  kandidat për Parlamentin e Cyrihut – por për PS.

Fakti që dy kandidatë nga i njëjti klub konkurrojnë për votues nuk është aq i pazakontë. Fakti që të dy kanë rrënjë shqiptare, nga ana tjetër, është i tillë, sepse politikanët me origjinë shqiptare ende konsiderohen “ekzotikë” në Zvicër. Kjo pavarësisht se më shumë se çdo i treti i moshës mbi 15 vjeçare, me rrënjë shqiptare në këtë vend tashmë është natyralizuar. Kështu, shkalla e natyralizimit është pothuajse dy herë më e lartë se, për shembull, ajo e portugezëve.

Nenad Stojanoviç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Gjenevës merret me politikë dhe migrim. Ai e shpjegon dallimin mes diasporës shqiptare dhe portugeze me arsye shumë praktike.

Pasaporta zvicerane sjell shumë përparësi – veçanërisht për lirinë e udhëtimit

Portugezi ka pasaportën e BE-së. Sipas Stojanovicit, emigrantët me origjinë shqiptare mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë vetëm nëse kanë nënshtetësi zvicerane, përcjell albinfo.ch. Fakti që pasaporta zvicerane gjithashtu mundëson pjesëmarrjen politike është diçka që shumë nga komuniteti etnik shqiptar ende nuk e përdorin mjaftueshëm.

Nëse vini nga një vend ku nuk kishte zgjedhje të lira, nuk keni përvojë me votën dhe zgjedhjet.

Shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhje, në Cyrih, e shtetasve zviceranë, me prejardhje të huaj

Studimet e realizuara në qytetet e Cyrihut dhe Gjenevës tregojnë se pjesëmarrja në votime mes shqiptarëve etnikë është shumë e ulët. Nga njëra anë, kjo mund të shpjegohet me faktin se popullata shqiptare në Zvicër është shpesh e re dhe më pak e arsimuar. Një arsye tjetër është se shumë të drejta demokratike janë diçka e re për ta, sipas Stojanoviçit. “Kushdo që vjen nga një vend ku nuk ka pasur zgjedhje të lira, nuk ka përvojë me votën dhe zgjedhjet”, thotë ai.

Hilmi Gashi: Pengesa të larta për emigrantët në Zvicër

Hilmi Gashi, me prejardhje nga Kosova, është mërgimtar i gjeneratës së parë. Ai është një sindikalist aktiv dhe është i angazhuar politikisht në kantonin e Bernës me të Gjelbrit. Gashi nuk mendon se shqiptarët janë të painteresuar politikisht. Madje është e kundërta. Por në Zvicër, pengesat për këtë janë ende shumë të larta. Ndër të tjera, këto pengesa shprehen kur aplikoni për shtetësi, transmeton albinfo.ch. Për këtë arsye ai është bërë pjesë e një komiteti iniciativ që kërkon natyralizim për të gjithë ata që kanë jetuar në Zvicër për pesë vjet.

Por kjo nuk mjafton. Gashi beson se partitë duhet të promovojnë me vetëdije kandidatët me prejardhje migrimi dhe jo t’i përdorin vetëm si plotësues të listave. Megjithatë, vetëm PS-ja njeh një program të qartë të mbështetjes së migracionit. Për shembull, për zgjedhjet kombëtare në vjeshtë, të gjitha seksioneve të PS-së kantonale u kërkohet të përfshijnë në listat e tyre persona me prejardhje migrimi. Parlamenti Nacional i Zvicrës  duhet të korrespondojë më shumë me pamjen reale të popullsisë, thotë Arbër Bullakaj nga emigrantët e PS-së.

Të natyralizuarit dhe sekondot janë të nënpërfaqësuar në Parlamentin në Bernë

Në fakt, të natyralizuarit dhe sekondot (brezi i dytë i të huajve) janë dukshëm të nënpërfaqësuar në dy dhomat e parlamentit. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, pothuajse 20 për qind e të gjithë zviceranëve kanë një pasaportë të dytë, d.m.th. janë shtetas të dyfishtë, transmeton albinfo.ch. Por,në parlament, megjithatë, vetëm 5 për qind kanë një sfond migrimi. Këtë e tregon një studim në të cilin Stojanoviç është bashkautor.

Edhe në mesin e kandidatëve, proporcioni nuk përkon me pasqyrën reale të popullsisë. Përveç kësaj, sipas Stojanoviç, votuesit shpesh i injorojnë emrat e huaj në listat zgjedhore.

Ylli Doko: Unë nuk jam shqiptar për kuotë të FDP-së

Ylli Doko thotë se ka pasur vetëm eksperienca të mira me partinë e tij. FDP-ja e ka mbështetur që në fillim, thotë Ylli Doko. Në mënyrë korrekte dhe të barabartë.

Ai nuk trajtohej si shqiptar i kuotave të FDP-së, por njësoj si të gjithë anëtarët e tjerë të partisë. Doko është kryetar i FDP-së në Bassersdorf ndërsa FDP e Qytetit të Cyrihut FDP ka gjithashtu një kryetar me origjinë shqiptare, Përparim Avdilin.
Edhe Arife Asipi ka rrënjë shqiptare. E reja nga Thurgau është avokate dhe është gjithashtu aktive në FDP. Edhe ajo shpreson që emigrantët dhe sekondot do të angazhohen më shumë në politikë. Veçanërisht zviceranët me origjinë shqiptare janë të nënpërfaqësuar në politikë. Duhet të punohet për të ndryshuar këtë, thotë Asipi.

Burra dhe gra të shumta me prejardhje shqiptare emigruese kanë kandiduar për Parlamentin Kantonal të Cyrihut, edhe nga parti të tjera. Të paktët, me sukses. Megjithatë, Stojanoviq është i bindur se gjithnjë e më shumë politikanë me gjuhë amtare shqipe do të përfshihen në Zvicër.

Së shpejti deputet federal me rrënjë shqiptare?

Ai gjithashtu beson, thotë Stojanoviç, se nuk do të kalojë shumë dhe zviceranët e parë me origjinë shqiptare do të përfaqësohen në Dhomën Nacionale të Parlamentit të Zvicrës. Ndoshta këtë vjeshtë.

Dhe kur është hapi tjetër? Këshilli Federal. Kjo, nga ana tjetër, do të marrë pak kohë, thotë studiuesi politik, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari i parë federal i natyralizuar ishte Ignazio Cassis

Vetëm në vitin 1993 qe zgjedhur Ruth Dreifuss, këshilltarja e parë federale me rrënjë hebreje. U desh edhe më shumë kohë për Bundesratin (ministrin) e parë të natyralizuar. Kjo ishte në vitin 2017, kur shtetasi i dyfishtë zvicerano-italian Ignazio Cassis u zgjodh në Këshillin Federal, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, Cassis hoqi dorë nga pasaporta italiane përpara se të bëhej anëtar i Këshillit Federal.