Maqedonia

Struga po zbrazet, më pak nxënës

Në bankat e shkollës, sipas të dhënave të komunës, do të ulen 555 nxënës të klasave të para

Pothuajse dy klasa më pak me nxënës të klasës së parë do të ketë në shtator në komunën e Strugës, krahasuar me vitin e kaluar.

Në bankat e shkollës, sipas të dhënave të Komunës, do të ulen 555 nxënës të klasave të para. Kjo është për 50 fëmijë më pak se vitin e kaluar, kur u regjistruan 605 nxënës të rinj. Nga vendbanimet më të mëdha, situata më e keqe është në shkollën fillore në Dellogozhdë me 34 nxënës në klasën e parë, duke përfshirë të gjitha shkollat ​​rajonale.

Në Tatesh, numri i nxënësve të klasave të para është 18, në Ladorishtë 41 dhe në Veleshtë 40. Në Zhepin ka vetëm një nxënës në klasën e parë dhe në Pohum asnjë. Më e mirë është gjendja në Labunishtë, ku janë regjistruar 121 fëmijë, si dhe në të dy shkollat ​​në qytet,  “Josip Broz Tito” dhe “Vëllezërit Miladinovci”.

“Situata është shumë më dramatike se sa duket. Vetëm shkolla në Dellogozhdë, e cila ka pesë shkolla të zonës, ka 33 fëmijë. I bie nga pesë ose gjashtë fëmijë për shkollë. Kjo është për shkak të emigrimit që në Strugë është disi më ndryshe. Nëse në Pollog ka emigrantë që janë në Evropë ose në Slloveni, këtu në zonën e Strugës kemi emigrantë që janë në Amerikë, një fenomen që ka një rol të madh në këtë”, thotë Agim Poshka, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, raporton Alsat.

Numri i nxënësve të klasave të para në të gjithë rajonin në pesë vitet e fundit është zvogëluar për 150. Të shqetësuar janë gjithashtu dhe në Komunën e Strugës, përcjell albinfo.ch.

“Ne presim të ndryshojë pozitivisht ky trend me hyrjen në NATO dhe BE, si dhe me paralajmërimet e qeverisë për rritjen e pagave. Nëse jo, atëherë kemi frikë se disa mësues do të humbasin punën e tyre vitin e ardhshëm”, thonë nga Sektori për Arsim, Strugë.

Numër më të vogël të nxënësve të regjistruar në klasën e parë ka dhe në Ohër. Janë regjistruar 459, që është për 48 më pak se viti e kaluar shkollor 2018/2019 dhe 39 në lidhje me vitin shkollor 2017-2018. Në shkollën fillore “Vanço Nikoleski”, këtë vit, nuk është regjistruar asnjë fëmijë për klasën e parë.