Lajme

Studim: Bora artificiale mund të ngadalësojë, por jo të ndalojë shkrirjen e akullnajave

Bora artificiale mund të ngadalësojë shkrirjen e një akullnajeje, por projekte të tilla janë të kushtueshme dhe nuk e stabilizojnë akullnajën, sipas studimit të një projekti në Zvicrën juglindore, përcjell albinfo.ch.

“Nëse vërtet duam të shpëtojmë akullnajat, më mirë të fillojmë me mbrojtjen e klimës”, tha Matthias Huss, një studiues i akullnajave në Institutin Federal të Teknologjisë ETH Cyrih.

Ai punoi në një studim mbi ndikimin e projektit të parë të tillë të shpëtimit të akullnajave të këtij lloji në botë, në akullnajën Morteratsch në rajonin Bernina të kantonit Graubünden. Rezultatet janë publikuar në edicionin e marsit të revistës së Shoqatës Zvicerane të Menaxhimit të Ujit.

Projekti “Mortalive” u lansua në shkurt të vitit 2021 dhe ideja ishte e thjeshtë: për sa kohë që akulli është i mbuluar me borë, ai nuk mund të shkrihet. Bora ka një reflektim më të lartë se akulli i zhveshur, kështu që rrezet e diellit reflektohen prapa dhe nuk ndikojnë në shkrirjen.

Sipas studimit, akullnaja Morteratsch do të humbasë midis 56% dhe 71% të vëllimit të saj gjatë 40 vjetëve të ardhshme pa ndonjë ndërhyrje të jashtme. Dëbora artificiale mund të parandalojë një të tretën deri në një të katërtën e kësaj humbjeje deri në vitin 2060. Kjo do të vononte disi rënien e akullnajës, por “në terma afatgjatë, është vetëm një pikë në oqean”, thotë Huss.

Kostot janë gjithashtu të larta. Rreth 150 milionë CHF do të duhet të investohen për të instaluar një sistem për prodhimin e borës në akullnajë. “Përveç kësaj, ndikimi në natyrën kryesisht të paprekur të maleve Engadine të Epërme do të ishte i konsiderueshëm”, tha Huss, përcjell tutje albinfo.ch.