Kosova

Stuhi dëbore në Kosovë dhe Shqipëri

Reshjet e borës që kanë filluar nga mbrëmë e që po vazhdojnë edhe sot, kanë vështirësuar qarkullimin në disa pjesë të vendit. Mirëpo, sipas institucioneve, të gjitha rrugët janë të kalueshme. Reshjet pritet të vazhdojnë deri nesër në mëngjes, përcjell albinfo.ch.

Nga MMPHI-ja thonë se janë në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në çdo situatë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se kompanitë e kontraktuara nga ministria janë vazhdimisht në terren, duke pastruar borën dhe duke hedhur kripë.

Sipas Durmishit, janë 19 kontrata për mirëmbajtje të rrugëve dhe se janë në gjendje gatishmërie për të vepruar në çdo situatë.

“Të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme. Të gjithë operatorët ekonomikë të kontraktuar nga ministria janë vazhdimisht në terren, duke pastruar borën dhe duke hedhur kripë. Ne kemi 19 kontrata për mirëmbajtje të rrugëve, të cilët janë në gjendje gatishmërie për të intervenuar në çdo situatë. Pra jemi të përgatitur që të veprojmë sa herë ka reshje të bores”, ka deklaruar Durmishi.

Ai u ka bërë thirrje shoferëve që të kenë kujdes gjatë vozitjes dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.

“Edhe me këtë rast u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë vozitjes dhe të vozitin me kujdes të shtuar”, ka theksuar Durmishi.

Veriu i Shqipërisë është përfshirë nga stuhi të forta dëbore, duke sjellë edhe problematika të shumta. Aksi rrugor bypass Qafë Murrizë është bllokuar, ndërsa për pasojë lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet.

Po ashtu, edhe akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, Bogë-Qafë Thore dhe Fushë Arrëz- Iballë janë bllokuar prej reshjeve të dëborës. Edhe në Kukës, akset rrugore në njësit administrative Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren janë bllokuar.

ARRSH bën me dije se makineritë dhe punëtorët janë në punë për pastrimin e borës dhe mbajtjen hapur të akseve, por për shkak të erës së fortë ato bllokohen sërish.

Për pasojë, këshillohet të shmanget sa më shumë qarkullimi në këtë aks përveç rasteve të emergjencës, sepse pamja është e vështirë nga furtunat e erës si dhe ka rrezik për shkarje të borës në rrugë apo ortekë.

Edhe në bashkitë Pukë e Fushë-Arrëz ka reshje të shumta dëbore, ku sipas informacioneve nga krerët e këtyre bashkive, akset nacionale janë të hapura, por ka probleme në rrugët periferike.

Në Fushë-Arrëz ka rreth 20 centimetra dëborë, ndërsa në fshatra ajo i kalon gjysmë metri. Shqetësim mbetet mungesa e energjisë në disa fshatra të largëta të Berishës dhe Iballës.