Lajme

Cyrihu, Zvicra Qendrore dhe ajo lindore përfshihen nga një stuhi e fortë

Në periferinë e Winterthurit, një pemë ka rënë dhe ka goditur sheshin e lojërave. "Fëmijët po luanin atje vetëm pesë minuta para se të godiste stuhia"

Mot me stuhi, reshje shiu dhe breshëri ka prekur sonte në orët e hershme të mbrëmjes pjesë të mëdha të Zvicrës verilindore dhe asaj qendrore. Stuhia që ka fryrë në rrethinat e Cyrihut dhe Winterthurit ka rrëzuar shumë trungje dhe objekte provizore të vendosura pranë kantiereve të ndryshme.

Po ashtu në disa vende në Winterthur janë regjistruar edhe reshje të breshërit.

Në periferinë e Winterthurit, lagjen Steig një pemë ka rënë dhe ka goditur sheshin e lojërave. “Fëmijët po luanin atje vetëm pesë minuta para se të godiste stuhia”, raportoi një informator lajmesh për 20 minuten.. Sheshi i lojërave u dëmtua nga pema e rënë.

Për dëmet eventuale të tjera deri më tani nuk janë publikur të dhën zyrtare, shkruan albinfo.ch.

Një qelizë e fuqishme stuhie po lëviz nëpër Liqenin e Cyrihut. Sasitë e reshjeve po kalojnë 60 litra për metër katror në disa zona. Janë regjistruar edhe goditje të shumta rrufeje.

Emisioni “Donnschtig-Jass” në SRF ishte planifikuar të transmetohej nga Horgeni, Cyrih, në orën 20:05 të mbrëmjes. Megjithatë, për shkak të stuhisë së fortë, vendi u evakuua, siç postoi në Instagram Stefan Büsser, një nga prezantuesit e shfaqjes. Audienca u strehua në një palestër.

Pak para transmetimit, stuhia tashmë kishte vazhduar – shfaqja mundi të fillonte me një audiencë të drejtpërdrejtë.

Rrezik i lartë për stuhi me bubullima në Zvicrën Qendrore

Qeveria federale po paralajmëron për një rrezik “të lartë” për stuhi me bubullima (niveli 4 nga 5) në pjesë të Zvicrës Qendrore. Të prekura konkretisht janë rajonet Muotathal dhe Einsiedeln-Wägital. Stuhi me bubullima priten gjithashtu në Emmen-Hochdorf dhe Lucerne-Alpnach.

(Fotot: albinfo.ch)