Kosova

Sveçla: Te dëbimi i 6 shtetasve turq pati shumë shkelje

Ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi, është intervistuar për dëbimin e 6 shtetasve turq, nga Komisioni Hetimor.

Kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, tha se ka tendenca që faji për rastin të hidhet nga një institucion te tjetri. Ai tha se ishte një intervistim i gjatë, por gjetjet nuk mund të bëhen publike.

Sveçla pas mbledhjes së komisionit e cila u mbajt e mbyllur për mediat, shtoi se në planin e veprimit të komisionit është që të ftohen për intervistim edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi, përcjell albinfo.ch.

Në plan për intervistim kanë qenë të paraparë edhe inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, por këta dy të fundit nuk iu kanë përgjigjur ftesës për shkak të agjendave të tyre.  6 shtetasit turq ishin dëbuar nga Kosova më 29 mars të këtij viti, por të mërkurën Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shpallur të parrezikshëm për vendin, dy nga gjashtë prej tyre.