Lajme

Taksa e tranzitit në Zvicër një hap më afër zbatimit

Zvicra shqyrton vendosjen e taksës së tranzitit për shoferët e huaj

Zvicra është një hap më afër vendosjes së një takse tranziti për shoferët e huaj që kalojnë nëpër territorin e saj nga një shtet fqinj në tjetrin, përcjell albinfo.ch.

Pas muajsh debatimesh, kjo masë ka marrë miratimin e komisioneve përkatëse të Këshillit të Shteteve dhe Këshillit Kombëtar, duke hapur rrugën për diskutime të mëtejshme në nivel politik.

Sipas propozimit, taksa do të aplikohej për drejtuesit e mjeteve me targa të huaja që përdorin rrugët zvicerane vetëm për tranzit, pa pasur destinacion brenda vendit.

Megjithatë, Këshilli Federal i Zvicrës ka shprehur rezerva lidhur me zbatimin praktik të kësaj mase. Autoritetet theksojnë se një taksë e tillë do të kërkonte monitorim të gjerë të të gjitha pikave kufitare, gjë që do të sillte kosto dhe sfida administrative.

Për më tepër, vendosja e taksës së tranzitit do të kërkonte edhe ndryshime kushtetuese, çka nënkupton mbajtjen e një referendumi kombëtar, sipas procedurave ligjore në Zvicër.

Diskutimet pritet të vazhdojnë, ndërsa çështja po tërheq vëmendje të veçantë, sidomos për sektorin e transportit dhe për shtetet fqinje që përdorin rrjetin rrugor zviceran për tranzit./Albinfo.ch