Lajme

Task Forca e Zvicrës kërkon mbylljen e restoranteve dhe kafeneve

Për të arritur përmbysjen e plotë, Task forca rekomandon mbylljen e "ambienteve të mbuluara", si: bareve, restoranteve, muzeve, sallave sportive...

Në kohën kur pothuajse të gjitha shtetet që rrethojnë Zvicrën dhe shumë të tjera, i janë kthyer bllokimit për pandeminë në variante dhe shkallë të ndryshme rreptësie, Zvicra po kritikohet për neglizhencë kundrejt rrezikut të virusit.

Masat e ndërmarra së fundi këtu po konsiderohen të pamjaftueshme në krahasim me seriozitetin e gjendjes.

Për nënçmimin e rrezikut nga ana e institucioneve zvicerane ka tërhequr vërejtjen edhe taskforca shkencore, e themeluar në nivel federal për të luftuar koronavirusin.

Së fundi kjo task forcë ka publikuar një analizë të re të situatës aktuale rreth koronavirusit, transmeton albinfo.ch mediat zvicerane.

Sipas kësaj analize, “disa shifra” tregojnë që epidemia në Zvicër po stabilizohet. Ka një rënie të vogël të numrit të infeksioneve por, një përmbysje e trendit ende nuk është arritur.

Për të arritur përmbysjen në fjalë, Task forca rekomandon mbylljen e “ambienteve të mbuluara”, dmth. bareve, restoranteve, sallave sportive, teatrove, muzeve dhe sallave koncertale.

Më tutje, ajo kërkon kufizimin e kontakteve në një maksimum prej dy familjeve, si dhe zbatimin e punës nga shtëpia (Home office) dhe mësimin online,  në distancë.

Numri i infeksioneve të reja, me masat e propozuara, sipas Task Forcës, duhet të ulet në më pak se 500 në ditë, brenda tetë javësh.