Integrimi

Të rritesh në gjirin e dy kulturave

Rritja në gjirin e dy kulturave është një gjë shumë e dobishme dhe pasuruese. Kjo pashmangshmërisht do të ndikojë të jesh më i hapur ndaj botës, më i hapur me të tjerët

Meqë jam rritur në gjirin e familjes së nënës sime, është më se e vërtetë se ajo ka pasur ndikim më të madh se ajo e babait tim në personin që jam bërë sot. Megjithatë, duhet theksuar se në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare kam kaluar gati tre muaj në Kosovë, ku babai im jeton tani. Gjatë këtij qëndrimi kam kryer një hulumtim personal mbi historinë, kulturën dhe zakonet shqiptare. Ky udhëtim më mundësoi të njihem me shumë anëtarë të familjes sime që unë nuk i kisha parë kurrë. Midis tyre ishte edhe familja e largët që jetonte në Shkup për më shumë se gjashtëdhjetë vjet.
Larg tyre? Jo edhe aq shumë, në të vërtetë. Ajo që më ka lënë më së shumti përshtypje sa i përket kulturës shqiptare dhe gjithashtu më pëlqente shumë ishte përkushtimi i tyre për të mos humbur rrënjët e tyre, me përpjekje për të njohur të gjithë të afërmit qoftë nga ana a babait apo të nënës, me qëllim që të mos humbasin kontaktin në mesin e tyre. Kam biseduar për këtë me shumë njerëz nga vende të tjera dhe kultura të tjera dhe ata na kanë zili për këtë veçanti. Kjo mbrojtje e rrënjëve të jep një ndjenjë sigurie, e cila është shumë qetësuese. Një gjë që kam gjetur edhe në mesin e familjes së nënës sime në Ticino.

Në kërkim të rrënjëve

Përveç kësaj, më është dhënë mundësia gjithashtu që të udhëtoj në SHBA për të njohur familjen e babait tim. Atje kam fituar një vizion tjetër të diasporës shqiptare. Ajo gëzon një reputacion shumë më të mirë se në Zvicër. Edhe sot unë jam gjithnjë në kontakt të rregullt me familjen time në SHBA dhe në Maqedoni, edhe pse nuk është familja ime e  “ngushtë”.

Zbulimi im i kulturës shqiptare ishte gjithashtu një mundësi për mua të vështroj angazhimin e shqiptarëve të Kosovës për Shqipërinë. Për shembull, babai im është një person shumë i hapur me mendje, por edhe shumë nacionalist. Duhet të theksohet se shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në Shqipëri para vdekjes së Enver Hoxhës. Kur babai im ka shkelur për herë të parë tokën e Shqipërisë, ai nuk mund të përmbante lotët e tij. Fillimisht unë isha shumë i habitur me këtë formë të patriotizmit shqiptar të Kosovës për një vend që nuk është i tyre. Më vonë kam kryer një hulumtim personal për historinë e popullit shqiptar dhe kam kuptuar më mirë këtë fenomen.

Punoj për njohjen më të mirë të dy kulturave që u takoj

Mendoj se rritja në gjirin e dy kulturave është një gjë shumë e dobishme dhe pasuruese. Kjo pashmangshmërisht do të ndikojë të jesh më i hapur ndaj botës, më i hapur me të tjerët dhe më i sinqertë. Por, pengesa më e madhe që unë do të theksoja megjithatë do të ishte kjo: unë asnjëherë nuk jam mjaft shqiptar apo mjaft zviceran për njerëzit me të cilët bashkëveproj. Prandaj, edhe unë punoj vazhdimisht për të rritur njohuritë e mia rreth këtyre dy kulturave, në mënyrë që të thelloj sa më shumë ndjenjën time të dyfishtë të përkatësisë.

Duke qenë me prejardhje nga Neuchâtel dhe Ticino nga ana e nënës dhe duke pasur një nivel të kënaqshëm të gjermanishtes dhe italishtes, më vjen për të qeshur kur më thonë se jam mirë i integruar. Çfarë është edhe më keq, është amalgami që bëhet në mes të integrimit dhe tregut të punës. Edhe pse më vjen keq për një gjë të tillë, sigurisht se duhet të jetë mirë kur arrijmë të fitojmë respektin e të tjerëve. Personalisht, unë kam vërejtur, veçanërisht në kontekstin e ushtrisë, se kur unë arrija të kryej diçka me shumë performancë, përkatësia etnike ose vendi i banimit bëhej çështje anësore.

Nuk jam “i integruar” në Zvicër por jam qytetar zviceran

Shpesh dëgjoj se unë jam një shembull i mirë i integrimit. Qëllimi im është që të thyej këtë paradigmë. Nëna ime është shtetase zvicerane, me gjuhë amtare frënge, prandaj unë nuk konsideroj të jem një person i integruar mirë, por një qytetar zviceran sikur të tjerët. Më pëlqen të përsëris se çdo gjë është vetëm çështje perceptimi. Është logjike që për momentin, falë mbiemrit dhe emrit tim, pra edhe falë ndoshta pamjes sime, qytetari i mesëm zviceran nuk konsideron se jam zviceran. Megjithatë, unë jam i bindur se brenda disa dekadave, emrat që janë me konsonancë ballkanike do të perceptohen si zviceranë, jam më se i bindur. Ky fenomen nuk është i ri. Ai tashmë ka ndodhur me hungarezët dhe polakët. Megjithatë, numri i lartë i shqiptarëve, të cilët emigruan në Zvicër për një periudhë të shkurtër, do të thotë se akulturimi do të zgjasë më shumë.

Unë do të doja të theksoja se nuk ka kulturë zvicerane. E vetmja kulturë që ekziston, përveç disa ushqimeve të caktuara dhe ekipeve sportive kombëtare, është kultura institucionale dhe mekanizmat e federalizmit që lejojnë katër popujve të ndarë në 26 kantone të jetojnë së bashku në një shtet. Ndërsa, ekziston një kulturë shqiptare, me tradita dhe histori shqiptare. Kjo pikë e fundit nuk duhet të neglizhohet. Kjo është ajo që bën të mundur, falë fesë, për shembull, që kroatët dhe serbët të dallohen në mesin e tyre, pavarësisht se ata flasin të njëjtën gjuhë me disa dallime. Për t’ iu shmangur amalgamave të dyshimta, është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se Islami nuk është një fe shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri, siç mund të jetë në disa vende në Lindjen e Mesme si dhe në Afrikë.

Shpesh ndodh që me të parë të emrit tim zviceranët mendojnë se unë jam mysliman. Dhe ajo që është ironike, është fakti se brenda komunitetit shqiptar, nga ana tyre supozojnë se falë emrit tim jam i Kishës katolike romake. Pra, në mënyrë të vazhdueshme mua më duhet t’u shpjegoj njerëzve se Islami nuk është fe e shtetit për shqiptarët dhe që sa i përket emrit tim, ai përmban më shumë elemente historike domethënëse se sa fetare.

Carte de visite /Kartë vizita

Gjon Haskaj
Domicile/Vendbanimi: Delémont (Canton du Jura)
Age/Mosha: 26
Profession / Profesioni: Etudiant à l’Université de Neuchâtel (Student i Universitetit të Neuchâtel-it)
Lieu d’origine au Kosovo/ Irzniq (Commune de Deçan). Vendi i prejardhjes: Kosovë Irzniq (Komuna e Deçanit)

 

Asnjëherë “sa duhet” shqiptar dhe asnjëherë “mjaft” zviceran

Pengesa më e madhe që unë do të theksoja megjithatë do të ishte kjo: unë asnjëherë nuk jam mjaft shqiptar apo mjaft zviceran për njerëzit me të cilët bashkëveproj. Prandaj, edhe unë punoj vazhdimisht për të rritur njohuritë e mia rreth këtyre dy kulturave, në mënyrë që të thelloj sa më shumë ndjenjën time të dyfishtë të përkatësisë