Kosova
Tedi Papavrami, violinisti elitar që zgjodhi Gjenevën para Parisit
Intervistë ekskluzive me violinistin shqiptar të përmasave botërore, Tedi Papavrami, i cili njëherësh njihet edhe si përkthyesi kryesor i Kadaresë në gjuhën frënge
Mjeshtri i violinës, Tedi Papavrami, është një personalitet krijues me suksese të mëdha botërore, i cili ka ndarë ekskluzivisht përvojat e tij për numrin më të ri të revistës Albinfo.ch.
Të shkruash për portretin e Tedi Papavramit, nuk del e lehtë. Kjo ngase perspektiva e qasjes në përshkrimin e tij të nxjerrë para dilemava të shumta: nga t’ia fillosh, cilin element të tij ta marrësh si bazë, cilës veçori të tij t’i kushtosh rëndësinë parësore… Sepse te secili element i tij gjejmë shumëçka që mund t’i qasemi për ta trajtuar sipas një pikëshikimi të caktuar.
Ai është violinist profesionist me famë botërore, profesor në Universitetin “The Geneva Haute école de musique” (frëngjisht: ”Haute école de musique de Genève HEM”), një institucion i arsimit të lartë muzikor në Gjenevë të Zvicrës. Është përkthyes i veprave më në zë të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, në gjuhën frënge dhe autor i librit “Fugue pour violon seul” (shqip, ”Fugë për violinë”).
Por, le të fillojmë me dashurinë e tij për violinën dhe emigrimin e tij.
Tedi Papavrami ka lindur në Tiranë. Ai, në fakt, u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili pa dyshim, ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike. Në moshën 8-vjeçare interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate” me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë në koncertin e parë për violinë të Paganini-t.
Falë dhuntisë së tij për violinë, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë, ku studioi pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal.
“Unë kam ardhur në Francë, fillimisht si bursist. Sa isha në moshën 9 vjeç, më erdhi një propozim nga Franca që të studioja në këtë shtet. Sigurisht që ishte e komplikuar të më lejonin, sepse në atë kohë ishte regjimi komunist dhe kjo ishte e pamendueshme për një fëmijë, ndërkohë që në moshën 11 vjeç më lejuan të studioja në Paris. Në atë kohë, unë sapo kisha fituar një konkurs në Itali, konkurs internacional, e që shteti shqiptar komunist ishte shumë krenar për këtë”, shprehet ai.
Tedi për revistën Albinfo.ch rrëfen rrugëtimin e tij në Francë, që në fakt s’ishte fare i lehtë për të si një fëmijë me ambicie të mëdha.
“Sa isha në Paris, mamaja më shoqëronte për të jetuar, sepse isha shumë i ri, më pas lejuan edhe babain tim të vinte të na takonte gjatë pushimeve. Ne vedosëm të qëndronim në Francë, sepse ishte e vetmja mundësi që ne të tre të ishim bashkë jashtë Shqipërisë, ku në atë kohë nuk hyhej dhe nuk dilej kollaj në shtetet sikurse ishte Franca, bile ishte pothuajse e pamundur, kjo sepse unë po arrija në përfundim të studimeve dhe në atë kohë do të duhej të kthehesha dhe nuk do të mund të dilja më nga Shqipëria, sepse ishte regjimi komunist. Në atë moment ne qëndruam përgjithmonë në Francë, ku kërkuam azil politik, që e morëm shumë shpejt”, tregon Tedi.
Pas shumë vjetësh lidhur me ardhjen në Francë, Tedi ka shkruar një libër frëngjisht “Fugue pour violon seul” (shqip: ”Fugë për violinë”) lidhur me periudhën më lart. Libri është një përmbledhje e jetës së violinistit me famë botërore, që rrëfen ngjarjet e hapura në Tiranë dhe mbylljen e tyre në Francë, dy vendet që ndikuan në formësimin e tij jo vetëm si profesionist, por edhe si njeri. Papavrami në këtë libër është kujdesur të mos harrojë asgjë: njerëz që e ndihmuan, rrethana të favorshme, personazhe të diskutueshme etj.
Me shumë modesti, Papavrami shprehet: “Unë nuk besoj te fati. Një talent i madh fare mirë mund të dështojë ose të kalojë pa u vënë re”.
Performues në shumë skena të rëndësishme të botës
Pa dyshim se të qenët artist nuk është e lehtë, pasi që duhet angazhim maksimal si nga ana skenike, ashtu edhe ikonografike.
Tedi si violinist në skenë tani numëron shumë vjet që lirisht mund të themi se përkufizohet si një rrugëtim artistik multidimensional dhe me shumë dinamik. Destinacionet ku ka performuar janë të shumta, qoftë në skenat e Europës, ashtu edhe të Azisë dhe Amerikës.
“Skenat sigurisht që lënë mbresa, por edhe harrohen në fakt me kohë, kështu që mund të them që kam kujtime nga “Musikverein” në Vjenë, Filarmonia e Berlinit, në Berlin. Në Gjermani zakonisht janë sallat me skena të bukura, nga ana akustike, për një violinist, muzikant dhe kjo është më e rëndësishmja, të tjerat janë pak më sekondare. Kam shumë, shumë vende që kam performuar dhe nuk i mbaj mend të gjitha. Mbaj mend që kam luajtur në “Basilica San Marco” në Venecia, një event mjaft i veçantë, që në atë kohë isha 14 vjeç edhe sigurisht ishte një kontekst shumë prekës”, tregon Tedi.
Maestro Papavrami gjatë karrierës së tij si violinist është nderuar me shumë çmime të rëndësishme. I pyetur nga Albinfo.ch. se cilat janë më të veçanta për të, që i ngjallin kujtime dhe emocion më të madh, Tedi shprehet se ka marrë disa çmime, por që për të nuk ngjallin shumë emocione, për disa arsye.
“Në fakt, unë kam marrë pjesë në dy konkurse, të cilat për fat të mirë i kam fituar. Njërin, kur kam qenë 14 vjeç, ashtu siç po thosha më parë në Itali. Kunkursi që quhej “Rodolfo Lipizer” dhe më vonë në moshën 22-vjeçare mora pjesë në Spanjë në konkursin “Pablo de Sarasate”, të cilin e fitova gjithashtu. Të them të drejtën, nuk mund të them se kam mbresa shumë të bukura nga konkurset, sepse është gjithmonë një atmosferë kompeticioni, që nuk është shumë e favorshme për shprehjen artistike, kështu që edhe pse i kam fituar, nuk janë në fakt mbresa shumë të bukura, që mund të them se i kujtoj me kënaqësi. Por, prapëseprapë ishte e nevojshme që duhej bërë në atë kohë për të hapur rrugë në karrierë, Por, thjesht janë aktivitete që nuk më pëlqejnë aq shumë”, tregon ai.
Repertorët e preferuar të Tedit nga literatura botërore
Pa dyshim se çdo artist ka pjesët instrumentale që i preferon nga literatura botërore. Sigurisht edhe Tedi ka repertorë me të cilët e ndjen vetën më të afërm.
“Sonatat dhe partitat e Bahut janë sigurisht diçka të rëndësishme në reportorin tim. Ka shumë në fakt, kështu që pak e vështirë t’i them të gjitha. Mund të cek koncertin Beethoven-it, koncerti i Bramsit, janë nga majat që më prekin më shumë. Gjithashtu janë koncertet e Prokofiev-it, koncertet e Alban Berg-ut, Bartok-ut etj. Koncertet e Bahut për violinë bëjnë vërtet pjesë më shumë në jetën time, kështu që lista është pa fund, por dua të theksoj se Bahu në përgjithësi mbetet diçka qendrore në jetën time”, shprehet ai.
Ndërsa nga literatura shqiptare Tedi thotë se nuk është shumë koherent për kompozitorët e tanishëm shqiptarë, ndërkohë që sonata e Çesk Zadesë mbetet në kujtimet e tij.
“Më duhet ta them, pak turp ta pranoj, por është e vërtetë, sepse aktiviteti që kam nuk më ka lejuar të jem shumë koherent me kompozitorët shqiptarë të tanishëm. Ndërsa nga veprat që i përkasin të kaluarës shqiptare ishin sonata e Çesk Zadesë, që më kanë lënë mbresa, si një pjesë e fuqishme, por unë vetë nuk e kam luajtur ende”.
Profesor në Universitetin e Gjenevës për muzikë
Ka gati 14 vjet që Tedi Papavrami është profesor i shquar në Univeristetin “The Geneva Haute école de musique” (frëngjisht: ”Haute école de musique de Genève HEM”), një institucion i arsimit të lartë muzikor në Gjenevë të Zvicrës.
“Unë jam profesor në “École de musique de Genève HEM”, këtu në Gjenevë. U bënë, që nga vitit 2008 apo 2009, s’më kujtohet saktë, që jam emëruar profesor këtu dhe ku vazhdoj t’u jap mësim ende studentëve”, tha ai.
Tedi, gati për paraqitjen e tij në jurinë e spektaklit “Tibor Junior”
Këtë verë Tedi Papavrami do t’i bashkohet jurisë së konkursit “Tibor Junior”, një konkurs shumë i popullarizuar për artistë të rinj.
“Po, do të marr pjesë në jurinë e konkursit “Tibor Junior”. Është një konkurs për të rinjtë, për violinistët e rinj, më duket se caku më i lartë është deri në moshen 17 vjeç që marrin pjesë. Por, kjo është më interesantja, në fakt, sepse gjithmonë është mosha ku potenciali tregohet në mënyrën më të qartë, një violinist i madh e tregon veten që në rini. Jam shumë kurioz të shoh se cilët do të jenë pjesëmarrësit dhe nivelet e tyre që kanë. Më vjen mirë që ekziston një aktivitet i tillë këtu në Sion të Zvicrës dhe jam i kënaqur që do të marr pjesë”, bën të ditur Tedi.
Zvicra, vendi që e bën Tedin të ndihet mirë
Tedi ka gati 15 vjet që jeton në Gjenevë të Zvicrës. “Këtu e ndjej veten mirë, në fakt, më mirë se në Paris, sepse ky i fundit më ka lënë shije jo të mirë, mbase nga e kaluara ime atje, kur kam emigruar si i vogël, disa kujtime jo të mira, një përshtypje pak të hidhur, që është krejt subjektive, por që është reale tek unë”, thotë ai.
Ndërkohë që jeta në Zvicër për Tedin, veçmas ajo profesionale është më tepër e lidhur me aktivitetin e tij në Universitetin e Gjenevës, por jo vetëm.
“Përveç aktivitetit tim si profesor, vendosja në Gjenevë ishte edhe për arsye personale, sepse doja të isha në një qytet më të vogël, me kontakt më tepër me natyrën. Për këtë arsye, Gjeneva më përshtatet shumë mirë dhe jam i lumtur që jetoj në të”.
Tedi Papvrami, përkthyes ekskluziv i veprave të Ismail Kadaresë
Tedi krahas karrierës së tij si violinist, është edhe përkthyes i shkëlqyer i veprave të Ismail Kadaresë në frëngjisht për më shumë se 20 vjet.
Ai ka përkthyer rreth 12 libra të ndryshme të shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhën frënge.
I pyetur nga Albinfo.ch se sa i jep mundësi shprehjeje në gjuhën frënge, gjuha e përdorur nga Kadare dhe çfarë e bën specifik procesin e përkthimit të veprave të tij, Tedi tregon se është e vështirë të godasësh në qendër, në një gjuhë tjetër me disa përparësi apo humbje në përkthim.
“Nuk di të them se çfarë e bën specifike vështirësinë për procesin e përkthimit të veprave të Kadaresë. Tek të gjithë librat e Kadaresë, them që vështirësitë janë gjithmonë të njëjta, kur një vepër është cilësore dhe e bukur, është gjithmonë një vështirësi që të arrish, të godasësh në qendër, në një gjuhë tjetër, me disa përparësi apo humbje në përkthim. Gjithmonë mundohem t’i qëndroj sa më afër përkthimit nga kuptimi i shqipes. Pa dyshim se ka vështirësi në disa fjalë që janë me dialekt në shqipe, por në frëngjisht, me pak imagjinatë, njeriu arrin të gjejë disa zgjidhje që mbase i japin shijen lexuesit edhe kur është larg Shqipërsië dhe gjuhës shqipe”.
Koncert në Shqipëri, më 19 qershor
Tedi ka disa koncerte në agjendën e tij dhe së shpejti do të ketë projekte të reja. Ai para pak javësh interpretoi në një koncert në Republikën Çeke, në Pilsen, më 13 maj.
“Këtu në Zvicër, pak a shumë në rrethin e Gjenevës, do të luaj më 21 gusht me pianistin Nelson Goerner në Festivalin Veror të Muzikës Klasike. Pastaj është konkursi “Tibor Junior”. Do të luaj edhe në një koncert në Shqipëri më 19 qershor. Janë koncerte, aktivitete si zakonisht, ndoshta më pak se zakonisht, sepse pas krizës se Covid, pati një ngadalësim goxha të dukshëm, por pak nga pak po rimarrin gjërat”, përfundon Tedi.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
“Netët e filmit shqiptar” në 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, në Cyrih Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër: "Nëntori Shqiptar" pjesë e festimeve të 80-vjetorit të çlirimit,...
-
Diamant Salihu është nominuar sërish për Çmimin e Madh të Gazetarisë
-
“Alpha & Partner Vermögensmanagement GmbH” ju këshillon si të menaxhoni pasurinë
-
Kurti të dielën do të takojë mërgatën në Gjermani
-
Arrestohet 28-vjeçari shqiptar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Bazel: Kujdes kur porositni qebapë Nëse porositni një qebap në Bazel – mund të mos merrni saktësisht atë që keni kërkuar...
-
Sa lirisht mund të lëvizin qytetarët e BE-së në dhe brenda Zvicrës?
-
Si do të funksionojë ndalimi zviceran për mbulimin e fytyrës kur të hyjë në fuqi?
-
A mund të refuzojnë kompanitë në Zvicër një shërbim për shtetasit e huaj?
-
Edelweiss Air zbulon fluturimet e reja në orarin e saj të verës 2025