Ukraina

Terapistja kosovare: Lufta e Ukrainës ringjall traumat e luftës në Kosovë

Në moshën 18 vjeçare ajo ka përjetuar luftën në vendlindje dhe, në vitin 1998 ka ardhur në Zvicër si refugjate. Sot, Xhevahire Balaj është terapiste e traumës në Kosovë

“Si shoqëri ende nuk e kemi tejkaluar traumën e luftës së Kosovës”, thotë me bindje psikologia Xhevahire Balaj. Në moshën 18 vjeçare ajo ka përjetuar luftën në vendlindje në vitin 1998 dhe ka ardhur në Zvicër si refugjate. Sot ajo është terapiste e traumës në Kosovë. “Kushdo që ka përjetuar luftën e di se sa e rëndësishme dhe sa e çmuar është paqja”, thotë ajo në një bisedë të realizuar në Prishtinë menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, “por fatkeqësisht realiteti është ndryshe”.

Lajmi për agresionin në Ukrainë nga ushtria ruse më 24 shkurt 2022 ka shkaktuar tronditje te Xhevahire Balaj. “Ndjej një simpati të fortë për popullin e Ukrainës, mund të kuptoj se nëpër çfarë gjendje po kalojnë këta njerëz që ne shohim në TV dhe foto, në arrati, në strehimore dhe në mes të shtëpive të shkatërruara. Por e gjithë kjo ka shkaktuar te unë – dhe ndoshta te shumica e njerëzve që përjetuan luftën – kthimin e kujtimeve traumatike të përvojave të tyre të luftës. Ato janë të njëjtat imazhe që ne shohim tani”.

Ajo vëren se shumë nga pacientët e saj kanë reaguar shumë të frikësuar dhe të ri-traumatizuar nga lajmet e luftës në Ukrainë. Xhevahirja bën kujdes që të mos përmbytet nga raportimet e luftës, të cilat tani janë shumë më gjithëpërfshirëse sesa gjatë luftës së Kosovës, kur të gjitha mjetet e reja të komunikimit nuk ishin ende në dispozicion. Ajo shikon vetëm disa lajme. Dhe gjithashtu këshillon pacientët e saj që me vetëdije të zgjedhin se cilat lajme duan të shikojnë dhe lexojnë dhe sa mund të durojnë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që të rriturit t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve, t’i dëgjojnë, të flasin me ta dhe të mos i ekspozojnë pa dashje imazhet e kohës së luftës në celular dhe televizor.

Lufta në Kosovë

 

Lufta në Ukrainë

Lufta dhe arratisja në Zvicër

Xhevahirja është rritur me tetë vëllezër e motra në një fshat në Kosovën lindore, ku lufta ishte ndezur që në vitin 1998 – një vit para ndërhyrjes së NATO-s. 29 maji 1998 mbetet përgjithmonë në kujtesën e saj: atë ditë ushtria serbe kishte granatuar fshatin e saj dhe ndërsa Xhevahirja dhe një nga motrat e saj u thirrën për të ndihmuar fqinjin e plagosur, nëna e tyre u plagos aq rëndë nga të shtënat me armë zjarri, sa që vdiq po atë ditë. Natën tjetër, familja Balaj iku në mal me gjithë banorët tjerë të fshatit, nga fshati në fshat përmes shumë stacioneve për të cilat kanë tashmë kujtime të paqarta dhe më në fund kaluan kufirin për në Shqipëri.

Kryefamiljari, babai i Xhevahires donte të priste përfundimin e luftës me motrat dhe vëllezërit më të rritur (të Xhevahires) pranë kufirit me Kosovën dhe pastaj të kthehej në shtëpi sa më shpejt të ishte e mundur. Por dy më të vegjlit e familjes, Xhevahirja dhe vëllai i saj, i cili ishte dy vjet më i vogël, do të përpiqeshin të arrinin në Zvicër, ku tashmë jetonin dy vëllezër. Ata u transportuan kontrabandë me refugjatë të tjerë përmes Mesdheut në Itali dhe më pas me makinë në Zvicër.

Xhevahires nuk i pëlqen të kujtojë qëndrimin e saj në qendrën fillestare të pritjes në Bazel. “Rreth qendrës patrullonin burra të Securitas me qen dhe me uniformat e tyre më kujtonin policinë serbe nga e cila kishim vuajtur me vite. Kisha shumë frikë. Gjithçka në qendër ishte e çuditshme për mua, ekzaminimi mjekësor ditën e parë, pastaj konviktet e mëdha që ndamë me kaq shumë të panjohur nga e gjithë bota, radhët e gjata për ushqim, që ndryshonte shumë nga ushqimi që njihja…”.

Pas ca kohësh, vëllezërit e saj arritën të merrnin vëllain dhe motrën e vogël që të jetonin me ta. Xhevahirja, me vëllain e tij në Bernë ndërsa vëllai i saj i vogël me tjetrin, në Münchenbuchsee. “Gjatë ditës isha e vetme në studion e vëllait tim, i cili punonte”, thotë ajo. “Ishte keq për mua që nuk mund të bëja asgjë, të mos shkoja në shkollë, të mos kisha asnjë kontakt. U përpoqa të mësoja pak gjermanisht me ndihmën e televizionit, por ishte e vështirë. Me babanë dhe vëllezërit e motrat e mia, të cilët kishin gjetur strehë në Gjermani ndërsa lufta vazhdonte, mund të telefonoja vetëm çdo dy ose tre javë, sepse në atë kohë ishte shumë e shtrenjtë. Një herë në muaj mund të mblidhja para nga zyra e mirëqenies, por aty ndihesha si numër, jo person. Nëpunësja nuk më ka pyetur asnjëherë se si isha”.

Për Xhevahiren e re ishin këta muaj të gjatë izolimi dhe zie për nënën e saj të ndjerë dhe atdheun e humbur. Ajo u ndje më mirë kur, pas gati një viti, mundi të ndiqte një kurs për të rinjtë që kërkonin azil për gjashtë muaj, ku mësoi gjermanisht dhe ku zhvilloheshin aktivitete të tjera. Ndjehej me fat që mundi të merrte pjesë në kursin vijues si asistente për tre muaj të tjerë pas përfundimit të gjashtë muajve të kursit të parë.

Kthimi në Kosovë

Në verën e vitit 2000, një vit pas përfundimit të luftës, ajo doli vullnetare për tu kthyer në Kosovë.

Xhevahire Balajn e njoha rastësisht gjatë shërbimit të këshillimit të Caritas-it për kthimin. Unë ua sillja atje pagat punonjësve të zyrës së Prishtinës. Meqenëse ende nuk kishte llogari bankare në vendin e shkatërruar nga lufta, unë i sillja paratë në Prishtinë sepse shpesh udhëtoja atje për punën time si gazetare.

Xhevahiren nuk e takova më deri rreth një vit më vonë, në vjeshtën e vitit 2001, kur ajo studionte për psikologji në Universitetin e Prishtinës. Ajo fillimisht u kthye nga Zvicra në fshatin e saj në rajonin e Dukagjinit, ku babai dhe vëllezërit e motrat jetonin të gjithë në një dhomë të improvizuar pranë shtëpisë së shkatërruar. Fillimi nga e para ishte i vështirë për të gjithë dhe Xhevahirja përsëri vuante nga pamundësia për të punuar ose studiuar. Por pas një viti, falë mbështetjes së një shoqate bamirëse zvicerane, ajo mundi të fillonte studimet për psikologji. Ishte kursi i parë në këtë lëndë në Universitetin e Prishtinës, i cili dalëngadalë po rithemelohej pas largimit të administratës serbe, pas përfundimit të luftës.

“Para luftës kisha një dëshirë të fortë për të studiuar mjekësi, por përvojat e luftës më ndryshuan mua dhe dëshirat e mia, tani doja të kujdesesha për shëndetin mendor të njerëzve”, shpjegon Xhevahire zgjedhjen e saj të karrierës. Nuk ishte një vit i lehtë akademik, gjithçka duhej të rindërtohej në Kosovë, e gjithë infrastruktura, zyrat dhe institucionet që ishin pushtuar kryesisht nga punonjësit serbë që nga heqja e autonomisë së Kosovës në vitin 1989 deri në përfundimin e luftës në 1999. Kishte mungesë të shumë gjërave, mallrave, rrymës dhe ujit. Studentët ngrinin në konviktin e studentëve dhe në klasa, ushqimi në mensë ishte i mjerueshëm. Por Xhevahirja ishte e vendosur, motivimi i saj ishte i fortë dhe gjithashtu donte t’u tregonte mbështetësve të saj nga Zvicra se përpjekja ia vlente. Tashmë gjatë punimit të masterit ajo filloi të punojë në organizatën joqeveritare “Children for Tomorrow” në Gjakovë, ku gjetën mbështetje fëmijët dhe të rinjtë e traumatizuar. Pas gjashtë vitesh ajo mori drejtimin e shërbimit psikologjik në qendrën trajnuese të Gjakonisë në Mitrovicë. Krahas punës së saj, ajo vazhdoi shkollimin e saj në seminare në Qendrën për Traumatologjinë dhe Terapinë e Traumës në Gjermani, Niedersachsen. Pas nëntë vitesh me gjakoninë, ajo u pavarësua, hapi ordinancën e vet  vjeshtën e kaluar. Tani ajo ofron terapi, veçanërisht terapi traumatike, në një ordinancë psikologjike në Prishtinë, si dhe bën mbikëqyrje dhe trajnime për ekipe të ndryshme që punojnë me fëmijë dhe të rinj. Ajo është gjithashtu anëtare e komisionit të ngritur nga qeveria për të përpunuar kërkesat për kompensim nga gratë e përdhunuara gjatë luftës.

Ndihmë për njerëzit e traumatizuar

Xhevahire Balaj kishte vite që punonte me veten në terapi dhe trajnime për të përballuar historinë e saj traumatike. Pas luftës, ajo ka marrë pjesë disa herë edhe në kampet ndërkombëtare të paqes në Teufen dhe, falë mbështetjes së miqve zviceranë, ka mundur të ndjekë mësimet e psikoterapisë në Zvicër gjatë pushimeve të semestrit.

E pyetur nëse përvojat e saj traumatike janë të dobishme në punën e saj, Xhevahire mendohet për një moment. “Mendoj se po, më ndihmojnë, kam shumë pacientë të traumatizuar dhe kam ndjeshmëri me situatën e tyre. Nga ana tjetër, duhet të sigurohem që të ruaj një distancë të shëndetshme në mënyrë që të mos ketë kundërfekte”.

Përvojat traumatike nuk kanë të njëjtat pasoja dramatike për të gjithë. Çfarë është e rëndësishme dhe e dobishme pas përvojave të tilla?, pyes psikologen. “Të gjithë ata që si fëmijë kanë pasur lidhje të sigurta, kanë parakushte më të mira për të qenë në gjendje të përpunojë një traumë sesa fëmijët që rriten në rrethana të pasigurta”.

Në punën e saj si terapiste, ajo përpiqet të ndihmojë njerëzit të gjejnë sigurinë e brendshme, emocionale dhe fizike. “Vizualizimet ndihmojnë në këtë drejtim. Por siguria e jashtme, siguria familjare, sociale dhe ekonomike janë gjithashtu të rëndësishme”. Dhe të gjithë ata që përmbyten nga mendime të forta, të frikshme, nga frika se përvojat traumatike do të ndodhin përsëri, duhet të mësojnë si të distancohet prej tyre, për shembull në mënyrë figurative, ta “mbyllin atë përvojë në një kasafortë” që të mos e sulmojnë më, në mënyrë të pakontrolluar.

Kur mendon për refugjatët nga Ukraina, Xhevahirja shpreson “që ata, duke qenë larg nga shtëpia, do të vijnë në një mjedis ku mund të ndihen të sigurt, në një vend ku do të mbështeten dhe do të shihen si njerëz, jo vetëm si numra – dhe se lufta do të përfundojë së shpejti”.

 

Elizabeth Kastli

4 prill 2022


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI