Jeta në Gjermani

Teuta Abazi, në garë për kreun e Këshillit të Integrimit në  Gelsenkirchen

Motoja e saj në këto zgjedhje është: “Së bashku për një shoqëri solidare, gjithëpërfshirëse dhe të fortë. Për Ty! Mua! Ne!”

Këtë të dielë, në landin gjerman të Rinit Verior dhe Vestfalisë, do të mbahen zgjedhjet  për Këshillat Komunalë dhe ato për Këshillat e Integrimit pranë komunave. Me këtë rast albinfo.ch biesdoi me zonjën Teuta Abazi nga Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD)  e cila do të garojë për kreun e Këshillit të Integrimit në qytetin Gelsenkirchen.

Albinfo.ch: Zonja Abazi, jeni inkuadruar qysh në moshën 17-vjeçare në politikë dhe kjo nuk është përvoja juaj e parë me zgjedhje komunale. Çka dallon kjo fushatë parazgjedhore nga ato të mëparshmet?

Këtu vërej ndryshime të mëdha nga zgjedhjet e mëparshme. Në kohën e pandemisë, fushata zgjedhore është shumë më e vështirë dhe më e mundimshme se dikur. Njerëzit kanë frikë nga virusi. Fushata realizohet me pajisje mbrojtëse, distancë fizike dhe është e ndaluar te mbahen tubime te mëdha. Gjatë mbajtjes së tubimeve, rekomandimi është të respektohen të gjitha këto masa, të mbahet llogari për numrin e pjesëmarrësve dhe të shfrytëzohen pajisjet e zërit në mënyrë që të evitohet koncentrim më i madh i njerëzve në një vend. Për shkak të këtyre arsyeve, shumë nga organizimet janë anuluar. Sidoqoftë, unë po përpiqem të vizitoj shoqërinë civile e poashtu organizata si dhe gjithashtu t’i arrij njerëzit përmes internetit. Me shumë mund, fundjavën që shkoi, e kam realizuar edhe një organizim me kandidaten e SPD, Karin Welge dhe komunitetin shqiptar.

Albinfo.ch: Jetoni në një qytet me një numër të madh migrantësh. Cilat janë problemet kryesore me të cilat përballet kjo pjesë e popullsisë në Gelsenkirchen?

Në Gelsenkirchen më shumë se gjysma e të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve nën moshën 18 vjeç kanë emigruar dikur në Gjermani. Problemet kryesore me të cilat përballet kjo pjesë e popullsisë në Gelsenkirchen është shkollimi dhe pjesëmarrja në tregun e punës.

Nga pikëpamja ime, integrimi është një proces i përshtatjes dhe përfitimit të njohurive të reja në një shoqëri të re, e cila shkon në interesin personal dhe shoqëror duke zgjidhur probleme të ndryshme të cilat na sfidojnë në jetën e përditshme. Në anën tjetër integrimi është një proces edukativ i cili mbulon mungesën e njohurive që bëjnë dallime nga natyra kulturore, socio-ekonomike, teknologjike dhe shërbimeve të ndryshme si dhe shkëmben përvojat me të cilat njerëzit janë përballur në jetën e tyre të përditshme nga vendet e origjinës.

Albinfo.ch: Ju synoni postin e Kryetares së Këshillit për Integrime. Si duket plani juaj për ndihmë në zgjedhjen e prolemeve të bashkëqytetarëve tuaj të ardhur në Gelsenkirchen nga vendet më të ndryshme të botës?

Motoja ime është: “Së bashku për një shoqëri solidare, gjithëpërfshirëse dhe të fortë. Për Ty! Mua! Ne!”. Synimi im është, që të gjithë banorët në qytetin e Gelsenkirchen-it te jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën shoqërore në mënyrë të barabartë. Për mundësi të barabarta në arsim, punësim dhe administratë pa marrë parasysh origjinën, për një të drejtë vote komunale si dhe për forcimin e pjesëmarrjes në  politikë: Si pjesë e kësaj shoqërie, njerëzit e emigruar duhen të përfaqësohen edhe angazhohen në politikë.  Dua që secili të ndjehet jo si i huaj por si pjesë e këtij qyteti dhe të vlerësohet puna dhe angazhimi i tyre për këtë shoqëri.

Albinfo.ch: Krahas problemeve me të cilat ballafaqohen gjithë migrantët në Gelsenkirchen, ka ndonjë problem specifik për bashkëkombësit tanë në qytetin tuaj?

Po, kemi mbi 4000 shqiptarë në Gelsenkirchen por ata nuk janë më të angazhuar dhe organizuar si dikur në vitet e 90-ta. Në qytet nuk ekzistojnë më shoqata shqiptare, mungon angazhimi edhe interesimi. Qeveria gjermane paguan një mësues shqiptar në qytet që t’ju mësojë fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe. Për shkak të neglizhencës së prindërve, pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë në shkollë ka qenë jo e mjaftueshme dhe në ndërkohë shkolla është mbyllur.

Albinfo.ch: Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?

Synimi im është të hap prapë shkollën shqipe. Kur i mësojmë fëmijët për vendin ku jetojnë dhe vendin prej nga kanë ardhur dhe kur t’i njohin të dyjat, do ta kenë shumë më lehtë të kenë një identitet të tyre. Dua që prindërit të kuptojnë që vendimi i tyre që mos ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe, do të ketë më vonë pasoja për fëmijët e tyre. Ai femi nesër don ta di prejardhjen e prindërve dhe emrit të tij. Ai e viziton vendlindjen e prindërve dhe ballafaqohet me gjuhën dhe traditat shqiptare dhe në atë moment ndihet sigurisht shumë keq kur nuk mund të komunikoj me vendas. Nuk i kuptoj prindërit që thonë “kam frikë që po ma humb fëmija gjuhën gjermane”. Ajo frikë është e pa bazë.  Sipas studimeve të fundit, një fëmi që nga mosha trevjeçare mund të mësojë katër gjuhë pa kurfarë pengese.  Përkundrazi,  sa ma shumë gjuhë aq flet, më lehtë  e mëson edhe gjuhën tjetër.

Albinfo.ch: Për zgjidhjen e problemeve të lartëpërmendura me siguri se është e nevojshme një pjesëmarrje aktive e migrantëve si në Këshillin Komunal e poashtu edhe në atë të integrimit siç shihet në shembullin tuaj. A është ky angazhim i mjaftueshëm ?

Sipas mendimit tim, jo. Për të zgjidhur problemet, kërkohet një angazhim i gjerë, qoftë në procesin e ligjit, zbatimin e ligjit, punën në shtyp, punën në institucione të ndryshme shtetërore dhe punën në shoqërinë civile. Pra, është një proces i vazhdueshëm që kërkon shumë aktorë dhe shumë përkushtim.

Albinfo.ch: Ku qëndrojnë bashkëkombësit tanë dhe sa janë ata të angazhuar në politikë ?

Kur fillova të përfshihem aktivisht në politikë në moshën 17 vjeçare, me sa e di unë nuk kishte asnjë shqiptar në rajonin tim që ishte përfshirë në politikën gjermane. Miqtë e mi gjermanë dhe shqiptarë habiteshin se si mund të mirrem me politikë në këtë moshë të re dhe më thoshin se më mirë do të ishte të kaloj kohën e lirë me tjera gjëra të mira. Tani ka ndryshuar, ka gjithnjë e më shumë shqiptarë që janë të përfshirë në politikën gjermane, gjë që unë e mirëpres shumë.

Albinfo.ch: Cila është rëndësia e pjesëmarrjes aktive në politikbërje dhe çka ju shtyri juve të mirreni me politikë ?

Visioni im ishte për ti ndryshuar gjërat. Unë dikur erdha si 7-vjeçare në Gjermani dhe fillimi ka qenë shumë i vështirë sepse tek pas 13 vitesh qendrimi në Gjermani pata të drejtën ta vizitoja vendlindjen time, Kosovën. Si fëmi, mendoja për padrejtësitë që bëheshin ndaj njerëzeve të huaj por edhe njerzëve tjerë në pergjithësi dhe mendoja se kur të rritem do ta luftoj padrejtësinë dhe të jam shtyllë e shumë njerëve që nuk kanë fuqi ti luftojnë padrejtësitë që ju bëhen. Mundësinë më të mirë për të kontribuar dhe ndihmuar e pashë ta studioj drejtsinë dhe të angazhohem në politikë.

Albinfo.ch: Ky Land gjerman njihej gjithmonë si Landi i Socialdemokratëve. Viteve të fundit partia juaj nuk kishte arritur rezultatet e pritura. Çka pritni nga këto zgjedhje ?

Sipas mendihmit tim, atëherë performanca e SPD nuk ka qenë e mirë. SPD ka bërë shumë sidomos për drejtat e familjeve, të puntorit dhe arsimit por nuk e ka publikuar shumë në media. E partia ime është si nje punëtore e mirë që nuk bën zë po vetëm punon. Këtë njerëzit nganjëhere nuk e shohin por shohin më shumë propagandat që i bëjnë të tjerët.

Këtu në Komunën time, SPD udhëheq qe 16 vite. Tash kemi një kandidate femër e cila nëse fiton zjgedhjet, do të ishte kryetarja e parë femër në këtë komunë. Është nganjëherë interesant ta mendosh këtë fakt meqë thonë shumë se ne Gjermani femrat kanë shumë përparësi.

Shpresoj që njerëzit ta kenë parasqysh punën që e ka bërë SPD në qytetin Gelsenkirchen në 16 vitet e fundit dhe te votojnë SPD. Kjo është partia e punëtorëve, të rinjve dhe migranteve.

Albinbfo.ch: Cilat janë ambiciet tuaja politike në të ardhmen?

Kam shume vizione për të ardhmen, por ja lë punës time dhe fatit se si do të vazhdon ky kapitull. Por kudo që do të jem do të jap kontributin në realizimin e qëllimeve të partisë time. Gjithnjë do të punoj e angazhohem në përmirësimin e kushteve jetësore të bashkëqytetarëve shqiptarë dhe atyre të nacionaliteteve tjera.