Integrimi
Teuta Kryeziu, ndërmjet komunikimit dhe kuptimit në jetën familjare
Si këshilltare dhe mediatore sistemike, ajo, përmes Familienberatung plus në Kantonin e Bernës punon me familje shqiptare që përballen me situata të ndërlikuara jetësore
Në jetën e përditshme të shumë familjeve që jetojnë larg vendit të origjinës, tensionet nuk janë gjithmonë të dukshme. Ato shfaqen në mënyrën si flitet, si shmangen temat e vështira, si mbeten të pathëna pritshmëritë. Në këtë hapësirë, ku përvoja personale ndërthuret me kërkesat e një shoqërie tjetër, familja shpesh kërkon një ekuilibër që nuk gjendet lehtë.
Në këtë realitet vepron Teuta Kryeziu, këshilltare dhe mediatore sistemike, e cila përmes Familienberatung plus në Kantonin e Bernës punon me familje shqiptre që përballen me situata të ndërlikuara jetësore. Puna e saj nuk nis nga problemi si kategori, por nga marrëdhënia si proces nga mënyra si njerëzit lidhen, komunikojnë dhe ndikojnë njëri-tjetrin.
Qasja që ajo ndjek është sistemike dhe transkulturore. Familja shihet si një strukturë e gjallë e formuar nga historia e saj, nga përvoja e migrimit dhe nga raporti i vazhdueshëm me mjedisin ku jeton. Në këtë kuptim, konfliktet nuk trajtohen si episode të izoluara, por si shprehje e një dinamike më të gjerë që kërkon të kuptohet dhe të ristrukturohet.
Në praktikën e saj përfshihen këshillimi i prindërve në procese ndarjeje dhe riorganizimi të jetës familjare, ndërmjetësimi në konflikte shpesh të ndërlikuara emocionalisht, si dhe mbështetja për fëmijët dhe të rinjtë në çështje që lidhen me shkollën, identitetin dhe orientimin në jetë. Një pjesë e rëndësishme e punës është edhe vlerësimi i aftësive prindërore dhe ndërmjetësimi në raport me institucionet, duke ndihmuar familjet të orientohen në një sistem që shpesh u duket i largët.
Ky profil është ndërtuar mbi një përvojë të gjatë në arsim, migracion dhe punë sociale. Angazhimi i saj në mbështetjen e drejtpërdrejtë të familjeve, puna në kontekste ndërkulturore dhe përvoja në edukim kanë krijuar një bazë të qëndrueshme për të kuptuar jo vetëm situatat individuale, por edhe mekanizmat që i prodhojnë ato. Formimi në këshillim sistemik, ndërmjetësim ndërkulturor dhe metoda të avancuara të punës sociale i jep ndërhyrjes së saj një strukturë të qartë dhe të qëndrueshme.
Në këtë praktikë, përvoja profesionale ndërthuret me përvojën personale. Si migrante dhe nënë, ajo e njeh nga brenda kompleksitetin e jetës mes dy kulturave. Kjo e bën qasjen e saj më të afërt, por edhe më të saktë në leximin e situatave ku përplasen pritshmëritë familjare me realitetin social.
Një element thelbësor në punën e saj është gjuha. Mundësia për të zhvilluar këshillimin në shqip krijon një hapësirë ku njerëzit mund të shprehen pa filtrime, duke artikuluar përvojat dhe emocionet me qartësi. Në shumë raste, kjo është pika ku fillon realisht procesi i ndryshimit.
Në këtë kontekst, ajo shprehet: “Familja nuk është një strukturë statike që duhet ‘rregulluar’, por një sistem i gjallë që kërkon të kuptohet në tërësinë e tij në historinë, në heshtjet dhe në mënyrën si anëtarët lidhen me njëri-tjetrin. Ndërhyrja profesionale nuk fillon me zgjidhjen e konfliktit, por me krijimin e kushteve që secili të mund të dëgjohet pa u mbrojtur dhe pa u tërhequr.”
Puna e saj vë në dukje edhe një realitet të heshtur: shumë familje kërkojnë ndihmë vetëm kur situatat janë thelluar. Ndërhyrja në kohë nuk i zhduk menjëherë konfliktet, por krijon kushte që ato të mos përkufizojnë marrëdhëniet. Veçanërisht për fëmijët, kjo nënkupton një hapësirë më të qëndrueshme zhvillimi.
Siç thekson ajo: “Kur komunikimi ndërpritet, marrëdhënia fillon të dobësohet në heshtje; rikthimi i tij kërkon kohë, por mbi të gjitha kërkon gatishmëri për të parë edhe perspektivën e tjetrit. Ajo që ndodh në këto procese nuk është spektakolare, por është rikthimi thelbësor i komunikimit, vendosja e kufijve të qartë, krijimi i një mënyre të re bashkëjetese. Kur shumë marrëdhënie lodhen nga ritmi dhe presioni i përditshëm, kjo punë mbetet një formë e heshtur, por e qëndrueshme e kujdesit.
Për ata që kërkojnë mbështetje profesionale, Teuta Kryeziu mund të kontaktohet përmes Familienberatung plus në Bernë, në adresën: Sternengässchen 1, përmes telefonit +41 76 233 30 80 ose në e-mailin [email protected]. Informacione të mëtejshme janë të disponueshme në: https://familienberatung-plus.ch/
E-Diaspora
-
Destani flet për “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut” Takimi u mbajt në Dyseldorf ndërsa u zhvillua diskutim i drejtpërdrejtë dhe strategjik mbi këtë temë... -
Shoqata Kulturore “Sharri” nderon figurën e Rexhep Rifatit, një jetë në shërbim të gazetarisë dhe identitetit shqiptar në diasporë -
Suhr (AG): Gruaja nga Maqedonia plagos me thikë foshnjën dhe anëtarët e familjes -
Marigona Qerkezi rikthehet në “Anna Bolena” në Tirol -
Berlin
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare
Jeta në Zvicër
-
Mashtrim i ri telefonik: mashtruesit pretendojnë se punojnë për OFCOM Një skemë e re mashtrimi telefonik po qarkullon, kryesisht në Zvicrën frankofone. Persona që paraqiten si... -
Gjetja e një shtëpie në Zvicër, gjithnjë e më e vështirë -
Swissgrid raporton fitim më të ulët për vitin 2025 -
Qytetarët zviceranë të shqetësuar për mashtrimet kibernetike me inteligjencën artificiale -
Një aeroplan i vogël u rrëzua në kantonin e Bernës

















