Futboll

Thirrje për donacion nga FC Kosova Cyrih, skuadra më e suksesshme shqiptare në Zvicër

Skuadra kuqezi garon në Ligën e Katërt në Zvicër, derisa ka nevojë edhe më shumë për përkrahjen e shqiptarëve në Zvicër

Skuadra më e suksesshme shqiptare në Zvicër është FC Kosova Cyrih. Kjo skuadër nuk është e suksesshme vetëm me rezultate, por edhe në organizim.

Kuqezinjtë garojnë në Ligën e Katërt në Zvicër dhe shpresojnë se për një periudhë të shkurtë të ngjiten një ligë më lartë.

Nesret Limani, presidenti i klubit, presidenti i klubit ka folur për organizimin e klubit, synimet, por edhe thirrjen për donacion, që do të ndihmonte shumë klubin shqiptar në Zvicër.

Albinfo.ch: Çka e dallon nga skuadrat tjera në Zvicër?

Nesret Limani: FC Kosova Cyrih u themelua 25 vite më parë dhe është klubi më i suksesshëm migrant i Zvicrës që rreshtohet në ligën e 4-të më të lartë.

Nga të tjerët, neve na dallon organizimi struktural, loja e ndershme, masa e gjërë tifozësh, prania e madhe e mediave dhe platforma e fortë sociale. Lojërat tona shtëpiake bëhen gjithnjë ngjarje festive për tifozët dhe familjet e tyre.

Albinfo.ch: Cili është misioni i skuadrës?

Nesret Limani: Misioni i klubit është të mbledhë tifozë rreth vete dhe t’i shpërblej ata me një futboll të suksesshëm dhe atraktiv, por edhe të jetë një shembull pozitiv në aspektin integrues.

Albinfo.ch: Sa keni përkrahje nga shqiptarët në Zvicër?

Nesret Limani: Ne shohim interes të shtuar të bizneseve për të mbështetur klubin tonë, të cilët i falënderojmë nga zemra. Potenciali i bizneseve, por edhe i individëve në Zvicër është shumë i madh dhe nëse arrijmë ne të jetësojmë moton “FC Kosova JONË” dhe t’i animojmë vetëm 10% të tyre, ne do të jemi në gjendje të arrijmë shumë më shumë. Në këtë drejtim, ne kemi zhvilluar një koncept të ri sponsorizimi i cili përmban sponsorin kryesor, bashkë-sponsorët, Premium Club, Business Club, anëtarët pasiv dhe donatorët, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të japin kontributin e tyre në suksesin e klubit. Në këtë kontekst, ne veçanërisht falënderojmë sponsorin tonë kryesor për një kohë të gjatë – ENB Versicherungen – për mbështetjen financiare. Falë Arsim Hysenit dhe ndihmësve të tij, klubi gëzon suksesin e sotëm. Ne gjithashtu falënderojmë dhe i urojmë mirëseardhje në shtëpinë FC Kosova Cyrih sponsorit tonë të ri kryesor LIKA, si dhe bashkë-sponsorëve A1 Elektro, GEPART AG, Maliqi AG, Preischecker, por edhe anëtarëve tanë të rinj si në Premium Club ashtu edhe në Business Club!

Albinfo.ch: Si po arritni të funksiononi me këtë buxhet?

Nesret Limani: Buxheti i sezonit të ri sigurisht që ka kushtuar shumë punë, pasi kemi hartuar një koncept të ri sponsorizimi i cili siguron një platformë adekuate për të gjithë, dhe kjo na mundëson një buxhet te mjaftueshem per ligën e parë. Nëse ne arrijmë të zbatojmë strategjinë, idetë dhe konceptin tonë siç kemi paraparë, atëherë jemi të sigurtë që në një afat të shkurtë kohor, ne do të kemi një buxhet i cili na mundëson kalimin në Promotion League (liga e tretë).

Albinfo.ch: Sa e rëndësishme është kontributi vjetor?

Nesret Limani: Kontributet vjetore janë një pasqyrë e stabilitetit financiar e cila rrejdhimisht ka ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin e klubit. Andaj koncepti i ri i sponsorizimit është përpiluar në atë mënyrë që të jetë i bazuar në shumë shtylla; në këmbim, ne vazhdimisht përpiqemi tu ofrojmë financuesve tanë vlerë të shtuar me synimin që këto partneritete të jenë sa më afatgjate që është e mundur.

Albinfo.ch: Në cilën ligë jeni momentalisht dhe sa jeni të kënaqur me rezultate?

Nesret Limani: Ne aktualisht luajmë në ligën e 4-të më të lartë në Zvicër dhe kemi qenë shumë të kënaqur me zhvillimin deri tanishëm. Ne qëndrojmë në këtë ligë tash e katër vite dhe shpresojmë të bëjmë hapin e rradhës në tri vitet e ardhshme.

Albinfo.ch: Cilat janë synimet për të ardhmen?

Nesret Limani: Qëllimi ynë kryesor është stabilzimi dhe rritja e buxhetit si dhe kalimi në Promotion League (liga e tretë) në një periudhë kohore prej 2-3 vjeç.

https://www.gofundme.com/f/unser-fc-kosova-zurich