Kosova

Tinka Kurti, nga Vjena në Kosovë, për të luftuar pabarazinë

Më 14 shkurt të këtij viti, qytetarët e Republikës së Kosovës i besuan Tinka Kurtit që të jetë zëri i tyre në Kuvend. Ajo, ashtu si dikur kur ushtronte profesionin e gazetares, edhe tani si deputete i ka qëllimet e njëjta. Do të vazhdojë të luftojë kundër diskriminimit, pabarazisë dhe varfërisë

Angazhimet politike kanë bërë që Tinka Kurti të qëndrojë në Prishtinë më shumë sesa në Vjenë. Por, udhëtimet Austri-Kosovë tashme janë më të shpeshta për të, për shkak të obligimeve të saj familjare.

Deputete në Kuvendin e Kosovës

Para se të bëhej deputete, Tinka fillimisht ishte aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, ku edhe udhëhoqi Sekretariatin për Media dhe Komunikim të kësaj partie.

“Puna parlamentare është vazhdimësi e bindjeve për të cilat angazhohem. Ajo ta mundëson trajtimin e shumë çështjeve dhe shtyrjen e politikave shtetërore. Mandati i deputetes është zgjatim i atyre angazhimeve si aktiviste pa e pezulluar këtë të fundit, por duke e gjallëruar si përpjekje. Është një dritare shtesë e angazhimit tim”, thotë ajo.

Tani në rolin e deputetes, Tinka tregon se në cilat sfera do të kontribuojë ajo gjatë mandatit të saj si përfaqësuese e qytetarëve të Kosovës.

“Realizimi i të drejtave të grave dhe të drejtave të punëtorëve, janë prioritet. Shumica e grave nuk janë të punësuara. Diskriminimet kapin çdo nivel. Rastet fatale nuk po zvogëlohen. Thonë se çdo spektator vjen në teatër me akustikën e vet. Në këtë kuptim, në Kuvend e jashtë tij pres ta sjell situatën e tyre. Të parat e përbëjnë gjysmën e popullsisë e janë masivisht të përjashtuara, të dytët e mbajnë shtetin e shoqërinë dhe janë të shkelur e nëpërkëmbur. Natyrisht se nuk jam indiferente ndaj çështjeve të tjera por këto mendoj se janë prioritet”, ka thënë ajo.

 

Familjen në Austri, punën në Kosovë

Tinka vitet e fundit ka jetuar në Vjenë me bashkëshortin dhe djalin e saj. Me marrjen e pozitës së deputetes, ajo po kalon më shumë kohë në Kosovë. Por, udhëtimet për në Austri i zhvillon sa herë që t`i jepet mundësia.

“Udhëtoj për në Vjenë, sa herë që është lehtë e mundshme pa e lënë ndonjë aktivitet në mungesë, por në të shumtën e kohës do të jem e vendosur në Prishtinë. Të qenët deputete e Republikës për mua nënkupton para së gjithash përgjegjësi të madhe. Andaj, për hir të efektivitetit do të jem kryesisht këtu. Por, edhe lëvizja brenda e jashtë vendit është fati ynë si duket”, thotë ajo.

Kur pyetet rreth amësisë dhe angazhimeve të saj të tanishme politike, ajo nuk lë pa theksuar sërish bindjet që ka rreth diskriminimit gjinor.

Ndërsa, thotë se të qenët nënë e ka përmbushur atë. Gjithashtu, thotë se amësia ia ka shtuar ndjeshmërinë për tema të caktuara politike.

“E kuptoj. Zakonisht janë gratë ato që pyeten për fëmijët. P.sh. deputetët baballarë shumë më pak marrin pyetje të tilla. Para se të përgjigjemi duhet ta theksojmë këtë. Ndërkaq, unë jam nënë fatlume e një djali të vogël, të mrekullueshëm. Të qenët nënë ma përmbush motivin amnor por amësia ma ka rritur ndjeshmërinë për tema të caktuara politike. Jo që më herët më ka munguar kjo pjesë por tashmë këto interesime veç janë shtuar. Jam edhe motër e kënaqur e pesë motrave punëtore. Jam bijë krenare e dy prindërve të pandalshëm. Dhe bashkëshorte e dashuruar në burrin e saj. Ndërkohë besoj se pos familjes biologjike janë të rëndësishme edhe shoqet e shokët e zemrës besnikë”, shprehet Tinka.

 

Çdo të mirë që ka mërgata, ta praktikojmë në Kosovë

Sjellja e ideve të reja, që do t`i shërbenin pozitivisht Kosovës. Ky është angazhimi i Tinkës në të ardhmen si deputete e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa, ajo shton se kjo parti ka organizim në Austri që nga viti 2013.

Kur flet për diasporën, Tinka thotë se çfarëdo e mire që ka në mërgatë, duhet të praktikohet në Kosovë.

“LV-ja ka organizim në Austri që prej vitit 2013. Kjo do të vazhdojë por edhe do të rritet. Mërgata jeton e lakmon. Çdo gjë të mirë që sheh në vendet ku jeton, duan ta kthejnë e praktikojnë në Kosovë. Më ka ndodhur edhe mua shpesh prej aq kohë sa kam qenë atje. Ndërkohë, prurjet e ideve më të mira për Kosovën mund të bëhen me LV-në. Prandaj edhe mërgata e sheh Lëvizjen si zgjidhje. Austria është prej vendeve ku kemi shumë mërgatë që është më së afërmi me Kosovën. Prandaj (dhe jo vetëm për këtë) organizimi në Austri është tejet i rëndësishëm”, thotë deputetja Tinka Kurti.

Box

Qëndrimi në Kosovë, me prioritet

“Udhëtoj për në Vjenë, sa herë që është lehtë e mundshme, pa e lënë ndonjë aktivitet në mungesë, por në të shumtën e kohës do të jem e vendosur në Prishtinë. Të qenët deputete e Republikës për mua nënkupton para së gjithash përgjegjësi të madhe. Andaj, për hir të efektivitetit, do të jem kryesisht këtu, në Kosovë”.

BOX

“Më pëlqen ta përshkruaj veten si dashamirëse e kritikës, luftëtare e së vërtetës dhe njeri që beson në ndryshime pozitive të vazhdueshme, të vetes dhe shoqërisë”.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI