Lajme

Tollovi në Aeroportin e Bazelit: Vetëm mbrëmë, 4 fluturime për në Prishtinë

Siç mund të shihet në këtë fotografi, katër aeroplanë po fluturonin për në Prishtinë vetëm në mbrëmjen e të premtes

Tollovi dhe nxitim në Euroairportin e Bazelit.  Zviceranët mësyjnë jashtë vendit pak para festës së Krishtlindjes kështu që aeroporti është përplot, “si në ditët e tij të mira”.

Ka kohë që nuk është dukur kështu në Euroairport Basel: salla e pritjes është përplot, pasagjerë që presin për të bërë check-in, shkruan blick.ch.

“Askush nuk e mban distancën këtu. Është pothuajse e pabesueshme kjo që po ndodh”.

Dhe, ajo që po ndodh është ngutia për të shkuar në pushime, ose për të vizituar familjet jashtë vendi.

Për këtë të dytën, dëshmi më e mirë është kjo fotografi e bërë nga një lexues i medias në fjalë, shkruan albinfo.ch:  katër aeroplanë po fluturonin për në Prishtinë vetëm në mbrëmjen e të premtes. Pastaj, dy për në Këln dhe disa të tjerë për në Vjenë, Berlin, Budapest ose Beograd.

Kriza e koronës pati goditur rëndë (jo vetëm)  aeroportin e Bazelit. Numri i udhëtarëve këtu kishte rënë praktikisht në zero.

Në muajt e fundit, aeroportet e vendit kanë qenë kryesisht bosh. Edhe gjatë pushimeve verore nuk ishin shumë të ngarkuar, transmeton albinfo.ch. Arsyeja për nxitimin rreth Krishtlindjes ka të bëjë edhe me shkurtimin e listës zvicerane të karantinës për shkak të numrit të lartë të infeksioneve në Zvicër.

Në shumë vende, hyrja nga Zvicra është ende e mundur, në disa raste me karantinë të detyrueshme ose me rezultat negativ të testit. Ky i fundit është i nevojshëm, për shembull, për të hyrë në Itali.

Kur kësaj i shtohet edhe lajmi për ashpërsimin e masave që u bë i njohur të premten – mbyllja e gastronomisë dhe objekteve sportive – shumë veta mendojnë: nuk ka më mirë se të udhëtojmë jashtë!.