Shqipëria përtej bregdetit

U kthye nga SHBA-ja për t`i treguar botës Shqipërinë e bukur

Leonidha Mako: "Shqipëria për mua është gjithçka. Ajo dhe natyra e saj na ofron gjithçka. Përgjegjësia na mbetet ne që ta mbrojmë këtë vend me një pasuri natyrore të pakrahasueshme dhe të promovojmë turizmin e qëndrueshëm"

Leonidha Mako është udhërrëfyes kulturor në Jugun e Shqipërisë. Ai ka studiuar për turizëm në Kretë dhe në SHBA. Leonidha është rikthyer për të punuar në vendin e tij, duke risjellë dijet e fituara jashtë vendit dhe duke nisur një karrierë, atë të udhërrëfyesit në Shqipërinë e Jugut. Ai për albinfo.ch përshkruan katër pika atraktive në zonën e Sarandës, jashtë plazheve

Butrinti 

Edhe pse nën mbrojtjen e UNESCO dhe një nga më të vizituarit, për shumicën e vizitorëve të huaj është i panjohur. Qyteti antik i Butrintit ofron shumë më tepër. Aty do të gjeni një kombinim të turizmit natyror dhe turizmit arkeologjik, historik dhe kulturor. I rrethuar nga liqene, lumenj, det dhe pjesërisht tokë, Butrinti nuk është i preferuar vetëm nga njerëzit, por edhe nga një shumëllojshmëri bimësh, kafshësh e shpendësh. Një nga speciet që do të gjeni në zemër të Butrintit, është breshka e ujit “Epirus”, sot në mbrojtje për shkak të rrezikut të zhdukjes së saj.

Besohet që të jetë zbuluar dhe ndërtuar fillimisht nga trojanët që u larguan nga Troja për shkak të luftës me helenët. Më vonë Butrinti u ripushtua nga romakët, bizantinët, venecianët dhe osmanët. Butrinti është përmendur tek “Eneida” e Virgjilit, por edhe nga poeti Edward Lear, gjithashtu dhe nga Lord Byron.

Syri i Kaltër

Syri i kaltër përbëhet nga disa burime natyrore ujore që bashkohen dhe formojnë lumin  Bistrica i cili përfundon në detin Jon. Njëri prej këtyre burimeve është dhe më i famshmi, i njohur si Syri i Kaltër. Uji i këtij burimi vjen nga thellësia e tokës, gjithmonë me një temperaturë konstante 5-9 gradë celsius, edhe gjatë verës.

Një ecje pranë këtij burimi ju jep ndjesinë sikur po hyni në një dhomë me ajër të kondicionuar edhe pse jeni në natyrë të hapur. Ky burim ka formën e një syri dhe karakterizohet nga ngjyra blu.

Kalaja e Lëkursit

Kalaja e Lëkursit është interesante për pozicionin e saj gjeografik çka u shton bukurinë eventeve që organizohen aty. Kjo kështjellë është ndërtuar pas pushtimit të zonës nga Perandoria Osmane dhe më vonë është përdorur edhe nga regjimi komunist. Ajo shërbente për të vrojtuar të gjithë zonën rreth e përqark.

Prej aty, ju mund të vështroni gjithçka, duke përfshirë liqenin e Butrintit, kanalin dhe ishullin e Korfuzit, lumin e Bistricës, qytetin e Sarandës etj. Peizazhi që ofron ky vend do t`ju mahnitë. Restauruar gjatë fundit të dekadës 90 nga një biznesmen vendas, kjo kështjellë mirëpret vizitorë dhe ofron specialitetet e kuzhinës shqiptare në kombinim me eventet me muzikë live (përfshi atë tradicionale) që organizon çdo fundjavë.

Një nga eventet me dinjitoze është festivali i polifonisë, që sot mbrohet nga UNESCO.

Fshatrat e Karanxhit

Në mes të fushave të Vurgut, rrethuar nga pemë të larta ahu, dy familje vendase, vendosën të promovonin produktet që rriten aty. Sot, ky lloj agroturizmi është kthyer në një sukses të vërtetë për gjithë Shqipërinë. Fillimisht, popullor për vizitorët vendës dhe sot, edhe për vizitorët e huaj.

Çdo gjë që shërbehet këtu është pjesë e kulturës shqiptare, ku çdo frut apo perim është vetëm sezonal dhe i përgatitur sipas traditës vendase. Gjithashtu, çfarëdo lloj produkti të mishit të zgjidhni, është i rritur në natyrë të lirë, duke e bërë pjatën tuaj akoma më unike.

Karaxhi dhe Finiqi njihen për rritjen dhe kultivimin e rrushit, si rezultat kjo zonë prodhon disa varietete të verës së kuqe dhe asaj të bardhë.

Puna juaj është e përqendruar në stinën e verës, a mund të ofrojë kjo pjesë e Shqipërisë diçka edhe jashtë sezonit? 

Saranda ka një klimë ku temperaturat shumë rrallë bien në zero. Ajo është e bekuar me mbi 300 ditë diell në vit. Muaji më i preferuar nga unë është marsi, kur natyra shpërthen me një larmi ngjyrash dhe aromash. Edhe pse vizitorët janë të pakët në numër, gjatë këtij muaji ne vizitohemi nga një shumëllojshmëri shpendësh që rikthehen çdo vit, duke e populluar vendin. Klima perfekte gjatë muajve mars, prill, maj, por edhe shtator, tetor dhe nëntor, kur temperaturat nuk janë as shumë të larta por as shumë të ulëta, e bëjnë Sarandën një destinacion perfekt për të gjthë dashamirësit e natyrës dhe të aventurës. Saranda ofron vende për hiking, trekking, cycling dhe shumë aktivitete të tjera.

 

A mund të na tregoni se çfarë shprehin më shpesh vizitorët që i kontaktoni? 

Fillimisht vizitorët i shtyn kureshtja për Shqipërinë, e cila ka qenë e izoluar nga pjesa tjetër e botës për pothuajse 50 vjet nga regjimi i ashpër komunist. Gjithashtu, shumica e tyre pranojnë faktin se kanë pasur ndrojtje për të ardhur në Shqipëri. Unë me humor u përgjigjem që fajin e ka Liam Neeson apo Hollivudi me “Taken” 1 dhe 2.

Sa keni vizitorë nga Zvicra dhe a ka ndonjë gjë që do të ishte specifike për ta?

Nuk mund të them një numër të saktë, por mund t’ju them se në 5 vjetët e fundit kam vënë re që angjencitë polake dhe ato skandinave (Apollo) po sjellin prurjen më të madhe në Shqipëri. Këto të fundit ndiqen nga Italia, Franca, Greqia, Zvicra dhe Amerika. Duhet sqaruar që vendet si Italia, Greqia dhe Zvicra kanë një numër të madh shqiptarësh që jetojnë atje.

Ju keni emigruar dhe jeni shkolluar jashtë vendit: çfarë ju ofron Shqipëria?

Shqipëria për mua është gjithçka. Ajo dhe natyra e saj na ofron gjithçka. Përgjegjësia na mbetet ne që ta mbrojmë këtë vend me një pasuri natyrore të pakrahasueshme dhe të promovojmë turizmin e qëndrueshëm. Po e përsëris, turizmi i qëndrueshëm është gjithçka për Shqipërinë siç dhe ajo është gjithçka për ne.

A mendoni se Shqipëria në të ardhmen do të tërheqë më shumë njërëz të kthehen se sa ata që do e braktisin vendin?

Një pyetje që i duhet drejtuar politikës shqiptare, por po ju jap mendimin sipas eksperiencës time. Është një ndjenjë kundërshtuese, sepse kur u largova nga Shqipëria, të vetmen gjë që mendoja ishte: kur do të kthehem pas. Personalisht mendoj se Shqipëria nën administratën e duhur mund të shndërrohet në “Zvicrën e Ballkanit”. Mirëpo, që të ndodhë kjo, na duhen ligje dhe rregulla të forta për mbrojtjen e natyrës, kthimin e pronave tek pronarët origjinalë, të cilëve sistemi komunist ua mori, forcimin e sistemit shkollor dhe atij mjekësor. Personalisht si prind i tre fëmijëve, por edhe djalë i dy prindërve pensionistë, jam në siklet të madh për të ardhmen e tyre, sepse sistemi publik arsimor, mjekësor dhe ai gjyqësor lënë shumë për të dëshiruar.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI