Kosova

Udhëtimi i (pa)pritur në kohë pandemie në të (pa)njohurën Kosovë

Nexhati është njëri nga ata mërgimtarë që është thellësisht i lidhur me vendin e lindjes, Kosovën. Ai e viziton atë shpesh dhe kalon gjithmonë pushimet atje, duke shëtitur e eksploruar çdo cep të Kosovës e të Shqipërisë. Por, planin ia kishte prishur një armik i vogël, i brishtë e i padukshëm, me emrin Covid-19

Frika nga përhapja e infektimit të njerëzve në masë të madhe, kishte detyruar shumë shtete të ndërmerrnin masa parandaluese, duke mbyllur kufijtë dhe aeroportet. Kosova kishte vepruar po ashtu me urgjencë, dhe hyrja në Kosovë për qytetarët e saj ishte e mundur vetëm përmes karantinimit dyjavor.

“Të rrënohej koka, diasporës po i mbylleshin të gjitha dyert e rrugët për të shkuar në Kosovë”, tregon Nexhatin karantinimin e tij brenda Zvicrës. “Përkundër kësaj unë ndonëse jetoja në Zvicër, me mendje e me shpirt isha në Kosovë”, vazhdon ai duke kujtuar javën e parë të pushimit që po e kalonte në Zvicër në pritje të hapjes së kufijve për të shkuar në Kosovë.

“Java e parë, nga tri që kisha marrë gjatë dimrit tek punëdhënësi im, më shkoi në Zvicër duke pritur momentin e nisjes me veturë në drejtim të Kosovës. Rreziku se mund të na kthejnë mbrapa në ndonjërin nga kufijtë e kishim të qartë, por nuk çanim fort kokën”, tregon ai për albinfo.ch.

Lehtësimi gradual i masave që po paralajmëronin Kosova dhe po ashtu Zvicra pas disa javësh mbylljeje, kishte ngjallur në mesin e shumë bashkatdhetarëve shpresën, se megjithatë, pushimet verore do të mund t`i kalojnë në Kosovë.

Kurse Nexhati me të kuptuar lajmin se Kosova nga një qershori do të aplikojë vetëm izolim njëjavor, fillon dhe e bën planin e nisjes, pasi atij nuk i kishte ndodhur kurrë më parë të përjetonte një situate të këtillë shkëputjeje të kontaktit fizik me Kosovën, përgjatë tridhjetë vjetëve sa jeton në Zvicër.

“Më e keqja ishte kur dëgjoja lajmet se sivjet ndoshta duhet të përshëndetemi fare nga udhëtimi për në vendlindje. Nuk doja ta pranoja faktin se për pushimin e planfikuar për fundin e muajit maj, mund të mbetesha këtu në Zvicër. Tërë ditën ia hidhja sytë smartfonit tim duke parë lajmet se mos ndonjë shtet i ka hapur kufijtë, sepse ne nuk po lëviznim dot as në Gjermani e Austri”, tregon përjetimin e tij për albinfo.ch Nexhati. Ai, të hënën e një qershorit, që ishte ditë pushimi në Zvicër, deri sa po pinte kafenë e mëngjesit me shokë vendosi të niset për Kosovë duke i shkruar gruas, Ylberes: “Bëhu gati se po nisemi”.

“Brenda një ore, me një kofer të vogël e me disa gjëra elementare, pa çokolata e pa kafe, bashkë me gruan ndezëm veturën dhe u nisëm për Kosovë, pa e ditur se çfarë na pret në këtë rrugëtim”.

I tërë udhëtimi kishte kaluar pa pengesa të mëdha. Vetëm në kufirin mes Gjermanisë e Austrisë doganierët i kishin kopjuar letërnjoftimin zviceran duke i kërkuar të nënshkruajë një formular që po kalonte transit dhe që e kishte të ndaluar të ndalej në pompa të benzinës.

“Natën e kalova në Slloveni, në një hotel të zbrazët në Krek me çmime tejet të ulëta. Në kufirin kroat nuk kishte asnjë veturë dhe pyetja e vetme që më bënë doganierët kroatë ishte, ku po shkoja”, tregon babai dy fëmijëve, i cili kishte vazhduar rrugën deri në kufirin serb pothujase i papenguar nga vetura të tjera.

“Dukej sikur autostrada ishte rezervuar vetëm për mua”, kujton rrobaqepësi, i cili është një pasionant i udhëtimeve, natyrës, fotografisë e skijimit.

“Në Serbi isha vetëm unë që po hyja. Nuk kishte anjë veturë tjetër”, thotë ish i burgosuri politik, i cili pas lirimit kishte emigruar në Zvicër. Përgjatë rrugës deri në kufirin e Kosovës, kishte parë vetëm një veturë tjetër me tabela të Zvicrës dhe një me tabela gjermane. Kurse nga Bujanoci deri tek Dheu i Bardhë, asnjë veturë.


“Mendova se do të jem i vetmi edhe në hyrje të Kosovës dhe do të kaloja shpejt. Por ndodhi e kundërta, kishte nja 20 vetura para meje dhe prita mbi katër orë”, tregon për albinfo.ch Nexhati bezdinë e tij mbi punën e ngadalshme të doganierëve kosovarë.

Rruga prej Dheut të Bardhë deri në shtëpi ishte tejet interesante, kujton ai. “Në fytyrat e njerëzve vërehej dukshëm befasia kur shihnin makinën me tabela zvicerane. Në çdo ndalim, të gjithë pyesnin si erdhe, nga erdhe, pse erdhe…. dhe takimi me familjarët në Gjilan ishte përmallues e i ngjashëm sikur kisha shkuar pas luftës në Kosovë“.

Habia e treguar tek floktari e në sportelin e postës që shërbime po kërkonte një bashkatdhetar i ardhur nga Zvicra, i linte të kuptonte atij se pandemia kishte ndikuar në vetëdijesimin një pjesë të madhe të qytetarëve atje për të vlerësuar diasporën më shumë se kurrë më parë.

„Pa diasporën nuk kemi të gjallë edhe nëse ju nuk vini, do ta përjetojmë pandeminë e dytë, pandeminë e skamjes“, i kishin thënë atij gjilanasit.

Bekim Dalipi